Arian Leka
Pas një jave data do të shënojë 15 qershor. Po ç’gjë të veçantë ka jo datë? Asnjë, në të vërtetë. Asnjë për t’u shënuar dhe për t’u mbajtur në kujtesë nuk ka. Atyre që do e nisin ditën duke u ulur përballë televizorit, për të dëgjuar fillimisht titujt e gazetave, padyshim që do u jepet ajo që u është premtuar: do u jepet rasti të bëjnë një gjezdisje nëpër botë dhe nëpër kohë, për të mbajtur vesh se kush, njeri apo profet, ka lindur apo vdekur atë ditë, cili shtet ka festën e flamurit dhe cila ngjarje e rëndësishme për historinë ia vlen të përkujtohet.
Për të tjerët, atyre që i kanë gjërat më me ngut se të parët dhe që e fillojnë punën apo detyrën para orës shtatë, nuk ka zgjidhje. Fat i tyre. Por gjithësesi atyre mund t’u thuhet se nuk kanë për të humbur ndonjë gjë me të vërtetë të madhe edhe nëse nuk u bie rasti të ndjekin ndonjëherë rubrikat e emisioneve mbi datat përkujtimore.
Kjo jo për shkak se njerëzit, të thjeshtë, të famshëm apo të shenjtë, që kanë lindur apo vdekur asaj dite, nuk e meritojnë nderimin. Jo se ngjarjet që nisën apo u mbyllën atë ditë nuk meritojnë respekt. Përkundrazi. Them se nuk kanë për të humbur ndonjë gjë me të vërtetë të madhe për shkak se kjo ditë, 15 qershori që përmendëm, s’di pse ka qëlluar një ditë disi e vobëkët, paksa shterpë përballë ditëve të tjera, të begata në emra e ngjarje.
Po çfarë mund të kishim dëgjuar ata nëse nuk do shkonin në punë, por do të qëndronin në shtëpi? Do të dëgjonin se më 15 qershor të vitit të largët 1594, ka lindur piktori i shquar francez Nicolas Poussin (vdekur më 1665). Se po atë ditë, më 15 qershor, veçse të vitit 1843 ka lindur kompozitori i madh, me famë botërore, norvegjezi Edvard Grieg, (vdekur më 1907). Se po në 15 qershor të vitit 1915 lindi virologu amerikan, laureat i Nobel-it, Thomas Huckle Weller. Por në 15 qershor të vitit 1920 ka lindur edhe aktori italian Alberto Sordi dhe se po atë ditë, më 15 qershor, por të vitit 1954 lindi edhe aktori James Belushi (Jim Belushi), vëllai i aktorit komik John Belushi ( dhe ai që thotë “I am an Eagle”, do të na kujtojnë miqësisht moderatorët e emisionit).
Tek ngjarjet e shënuara historike ndoshta nuk do të anashkalohet fakti se më 15 qershor të vitit 1985, vepra aq e njohur e Rembrandit, “Danae”, u sulmua nga një njeri (që më pas u lirua si çmendur), i cili hodhi acid sulfurik mbi kanavacën e pikturës dhe e çau atë atë dy herë me thikë. Ndërsa tek ditëvdekjet mund të përmendet Sulltan Murati I, presidenti i 11 amerikan James Knox Polk, këngëtarja Ella Fitzgerald apo ndoshta edhe poeti rumun Mihai Eminescu.
(Kush dëshiron lista më të plota, më të gjata dhe më të detajuara, le t’i drejtohet motorit Google apo Wikipedia-s, zërit “15 June, this Day in History”, prej nga dhe unë i nxora të dhënat e mësipërme dhe prej nga i vjelin, jo me ndonjë mundim të papërballueshëm, të gjithë gazetarët e shtypit të shkruar apo të emisioneve televizive.)
Por popujt, para erës Google dhe Wikipedia dhe pavarësisht atyre, kanë krijuar mekanizma të tjerë për të mbajtur mend. Ata kanë sajuar rituale, kanë ngritur mite në këmbë të institucioneve të mbamendjes, për t’i pasur kurdoherë në gjendje pune “motorët” që ua kanë mbajtur të gjallë kujtesën.
Është po kjo kujtesë shpesh ka rezultuar të jetë mësues qortues, pasi na sjell ndërmend pësimet apo gabimet. Ajo është bërë pjesë e fondit shpirtëror, pjesë e identitetit apo e përfaqësimit përmes atyre emrave dhe datave të shënuara, të cilave u bashkangjitemi duke i kujtuar sa herë që vjen rasti. Si? Në ç’mënyrë? Përmendësh…
Nisur nga ky fakt, apo nisur pikërisht nga kjo fjalë, nga fjala “përmendësh”, prej kohësh më kanë bërë përshtypje të thellë mënyrat dhe rrugët që kanë gjetur popujt e ndryshëm për të qenë të vëmendshëm, për të kujtuar dhe për të mbajtur mend. Si mbajnë mend ata? Si kujtohen? Kanë institucione? Ndonjë ministri? Përdorin teknologji të avancuar, të cilën ne nuk e zotërojmë ende? Cili është mekanizmi i sotëm, që na detyron të kthejmë kryet pas në kohë, për të gjetur fillin e këputur të jetës apo të historisë sonë? Lahutarët? Google? Emisionet televizive? Apo…?
Ja, pikërisht për këtë arsye më kanë tërhequr teknikat e secilit prej atyre popujve për t’iu kundërvënë harresës. Sidomos kur kjo harresë nuk është thjesht një harresë vetjake apo një harresë individësh, nga ai lloj që mjekët e kanë të lehtë ta emërtojnë “sklerozë”, “rrufjaksje apo currufjepsje nga pleqëria”. Për një tjetër lloj harrese e kam fjalën: për llojin e harresës që prek një brez, një grup apo shtresë shoqërore dhe profesionale, që prek breznitë, gjithë shoqërinë dhe që në progresion, prek me gjasë të gjithë kombin apo etninë, duke u shndërruar në tipar dallues të saj.
Gjuha, njëlloj si toka regjistron lëkundjet fizike, ka regjistruar me kujdes dhe ka mbajtur shënim gjithë shenjat, lëkundjet dhe tronditjet tona emocionale. Përfshi këtu edhe kujtesën. Gjuha regjistron gjithçka. Po cila është mënyra për të kujtuar diçka që ia vlen të mos harrohet? “Përmendësh!” Kjo është mënyra. Kjo është fjala që ka zënë vend në shtresat më të thella të kujtesës sonë, shprehur përmes gjuhës që përdorim edhe sot. Dhe gjuha nuk shpreh vetëm kuptim, ajo mbart mendësinë tonë.
Ne kujtojmë me mend. Kujtohemi përmes të menduarit, i cili, në shumicën e rasteve është racional, veçues, përzgjedhës. Në fjalorin sinonimik të shqipes fjala “mend” krijon vargje njëkuptimësie me fjalën “kujtesë”, njëlloj siç edhe fjala “kujtesë” njësohet me procesin e “të mbajturit mend”, ndërkohë që fjala “përmendësh” shpjegohet me “rrjedhshëm”. Ne kujtojmë më shpesh atë që na kanë bërë “armiqtë” dhe jo se ç’i kemi bërë vetes, siç dhe harrojmë ato që të tjerët: “të huaj” apo “tanët” kanë bërë që këta të sotmit të jemi ne.
Por unë vetë i besoj më tepër një lloji tjetër kujtese. Asaj që në disa gjuhë ka mbetur e ngurtësuar, pjesë e vetëdijës, si një kujtesë e një llojt tjetër, kujtesë që vihet në lëvizje nga zemra, jo nga mendja, si kujtesë “by heart”. I besoj më shumë asaj kujtese vetjake dhe të përbashkët që, pa përjashtuar mendjen, kujton me zemër gjithë hyrjet dhe dajlet nga jeta, ç’ka dhe ç’ka pasur, asaj kujtese që “inventarizon” se ç’ka humbur dhe ç’ka fituar përgjatë historisë së vet, pa harruar asnjë. Kjo kujtesë nuk ka nevojë për ne. Përkundrazi.
Për njerëzit, kujtesa është një dhuratë hyjnore, ndonjëherë edhe talent. Edhe harresa për ta është një mrekulli çliruese, dëlirësuese, çlodhëse. Për popujt dhe kombet nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Nëse kujtesa e popujve ngjasnon me atë të njerëzve, harresa e tyre është mosmirënjohje – se është edhe mosmeritm.
Kjo lloj harrese, si formë e alzheimerit kolektiv, nuk prek vetëm popujt dhe kombet e lashtë, por edhe shtetet që, edhepse 100 vjeçarë, guxojnë të vetëshpallen të rinj. Si ne, pakashumë: të prekurit e kahershëm nga sindroma e Luigjit XIV, ku jo vetëm shteti dhe pushteti, po edhe historia dhe lavdia fekondohet me britmën: “Jam vetëm unë!” Të vetëshpalurit “shtet i ri”, “vetëm 100 vjeçar” – thua se kjo moshë qenksh moshë axhmiu – si duket u leverdis e u vjen për hosh të gjithëve.
Me një mungesë të thellë sinqeriteti, përcaktimet “shtet i ri”, “shtet vetëm 100 vjeçar”, përdoren më shumë për t’u fshehur pas gabimeve të qëllimta “të fillestarit të papërvojë”, sesa për të dëshmuar energji dhe vitalitet “prej të riu”, i cili edhe nëse pranojmë se është i ri, mund të dëshmohet fare mirë përmes paraardhësit. Në cilën formë? Duke i nderuar. Duke dëshmuar se me paraardhësin e lidh jo vetëm vendlindja apo vendbanimi. Por një qëllim i pandërprerë (nëse çdo ekzistencë e ka një të tillë.)
Për t’iu rikthyer alzhaimerit – sëmundjes që nuk kursen as pleq dhe as të rinj, që prek individë, por edhe kombe, por sidomos për të thënë se kjo lëngatë nuk është dhe aq panjohur për ne – po e këmbejë paksa regjistrin e ligjërimit.
Jo thjesht për mall të shqipes dhe të Gjon Buzukut. Por për të thënë se sa i hershëm është ky qortim, që thuajse prej 500 vjetësh ankohet se: “tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh nukë kish gjaa të endigluom ensëh shkruomit…”. Se edhe në është bërë diçka, nuk është bërë sa dhe si duhet “by heart” dhe pa përdhunë, për njerëzit tanë të shtrenjtë, të larguar nga me pengje nga jeta, mes të cilëve: Dom Nikollë Kaçorrit (në 150 vjetorin e lindjes), Asdrenit (në 140 vjetorin e lindjes), Fan Nolit (në 130 vjetorin e lindjes), Dom Lazër Shantojës (në 120 vjetorin e lindjes), Mitrush Kutelit (në 105 vjetorin e lindjes), Musine Kokalarit (në 95 vjetorin e lindjes), Qemal Draçit (në 90 vjetorin e lindjes), Robert Shvarcit (në 80 vjetorin e lindjes), Anton Pashkut (në 75 vjetori i lindjes)… Por edhe për të tjerë emra, të pranishëm edhe konribues të sotëm të artit, kulturës shqiptare dhe të dijeve albanologjike, që këtë vit kanë gjithashtu përvjetorë lindjeje, mes të cilëve 70 vjetori i lindjes së Ali Podrimes, 65 vjetori i lindjes së Italo C. Fortinos apo edhe 60 vjetori i Visar Zhitit – “desha me u fëdigunëh, për saa mujtah meh ditunëh, meh zdritunë pak mendetë e atyneh qi t’eh endiglonjinëh…”, si një ftese që kush të mundë dhe si të mundet…
Thuajse këtë shënim nisëm para pak ditësh nga adresa e Poetekës drejt më shumë se 1000 adresave elektronike: emra të kulturës, medies dhe institucioneve kryesisht, duke i ftuar ata për gjithë sa u shkrua më lart dhe që, meqenëse 15 qershori do thuajse edhe një javë që të mbërrijë, të bëjmë diçka për ta përkujtuar këtë radhë…
Kë? Bekim Fehmiun, pra. Dy vjet më parë, pikërisht më 15 qershor të vitit 2010, “Princi i popullit të përçmuar”, siç e quajti poeti boshnjak Mile Stojić, zgjodhi të largohej nga jeta në moshën 74 vjeçare, “moshë kjo jo tipike për vetëvrasje”. Apo mos duhet t’i fusim sërish një alzheimer të lehtë? Ta harrojmë, ngaqë në kujtesën tonë “përmendësh” vetëvrasjet si e tij janë të dobta, të padenja, joburrnore, tradhtare dhe aspak shqiptare?
Nëse do të mbanim parasysh se sa shumë adresave ua dërguam “ftesën anti-alzheimerit kolektiv” dhe sa pak reagime dhe përgjigje pati (një aktore e nderuar, një stundente e regjisë, që shkroi “emocionuese”, një mik nga Elbasani, një kryeredaktor, që e kërkoi shkrimin në version word (dhe jo në pdf, siç e nisëm ne) dhe një gazetare, që nuk ktheu përgjigje, por që e botoi shkrimin – kaq ishte repklika), mund të themi gjendja e alzhaimerit po përparon kënaqshëm. Dy gjëra janë në këtë mes – ose kemi ndërruar rrugë dhe nga një “popull që themi” jemi shndërruar më në fund në një “popull që bëjmë”, ose gjendemi në prag të një gjendjeje të re.
E ka një paragraf absurdi i Ionesco-s edhe për këtë rast. Në veprën “E Tashme-Shkuar – e Shkuar – Tashme” flitet për një gjendje ku qenia humane, ndonse jeton më mirë, ndonse ka shtëpi më të mira, ka makina më të mira, ha e pi më mirë, ndonse bën pushime në mal e në plazhe, ndonse ka liri fjale dhe ka më shumë kohë të lirë, në mënyrë të pashpjegueshme ndjen se diçka, që ai nuk ia gjen dot emrin, e pengon të jetë i lumtur: Ionesco mendon se është kujtesa. Vetëdija e brendshme.
Qenia e tij humane nuk i ka humbur të gjitha. Ajo mban mend. Kupton se për të jetuar i lipset e shkuara, paraardhësi. Përtej iluzionit të mirëqenies që e rrethon, ai mban vesh klithmën e thelbit të gjërave. Dëgjon t’i thuhet se ka qenë pjesë e një Parajse dhe pikëllohet ngaqë e mban mend. Ajo Parajsë, sipas tij, nuk është shthurur. Ekziston diku. Mjaft që ai të vihet në kërkim të saj dhe të njerëzve të asaj bote. Gjer atëherë shumë prej tyre nuk do të jenë më njerëz, por shpirtra. Mbijetojnë duke i përmendur. Dhe duke i kujtuar. “By heart”. Me të keq. Por ia dalin.
