Interpoli - Emri i Manjola Priftit, e veja e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes), figuronte me kartelë të kuqe në listën e Interpolit
Trafiku - Aktiviteti i paligjshëm konsistonte në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave dhe ka ndodhur rreth viteve 2000
Grupi - Kreu i grupit ka qenë pikërisht Miri i Xhikes, i cili ka pasur ndihmën e shumë personave të tjerë
Arresti - Për Manjola Priftin, autoritetet italiane kanë lëshuar urdhërarrestin që në datën 11 korrik 2005
Ekstradimi - E veja e Mirit të Xhikes mund të ekstradohet dhe të procedohet në shtetin italian, ku ka jetuar për disa vjet
Sokol Çobo
Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës fillon hetimet pasurore ndaj Manjola Priftit, të vesë së Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes), e cila akuzohet në Itali për trafik droge dhe pastrim parash. Në bazë të ligjit “Antimafie”, policia kërkoi disa ditë më parë që ndaj kësaj shtetase të nisë verifikimi i pasurisë, pasi ka dyshime se paratë e fituara nga aktiviteti kriminal në Itali i ka investuar në vendin tonë. Pas materialit nga policia, akuza ka lëvizur menjëherë dhe fillimisht u ka dërguar kërkesë bankave të nivelit të dytë nëse shtetasja në fjalë ka apo jo llogari bankare, me qëllim bllokimin e tyre. “Faza e parë e hetimit pasuror konsiston në evidentimin e pronave të Manjola Priftit, e akuzuar në Itali për trafik droge e pastrim parash, vepra penale që preken nga ligji “Antimafie”, megjithëse nuk janë konsumuar në vendin tonë. U kemi dërguar bankave të nivelit të dytë kërkesë nëse Prifti ka apo jo llogari bankare. Nëse rezulton se ka, atëherë u kemi kërkuar këtyre bankave të ngrijnë çdo veprim, pasi personi në fjalë është objekt hetimi në Prokurorinë e Tiranës. Kërkesat janë dorëzuar dhe në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për pronat në fjalë të së vesë së Fatmir Ramës. Gjithashtu kërkesë kemi dorëzuar edhe në QKR”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit. Sipas tyre, janë marrë të dhënat e para, por gjithmonë jo zyrtare. Në emër të Manjola Priftit figurojnë apartamente dhe biznese private, njëri prej të cilëve në periferi të Tiranës.
“Veprimet e para për këtë procedim penal do të jetë bllokimi i pasurisë së kësaj shtetase. Nuk do të ndërpritet aktiviteti, apo ai do të mbikëqyret, me qëllim që këto prona të mos tjetërsohen”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas saj, seksioni i pastrimit të parave në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë dërguar në organin e akuzës materialet në ngarkim të saj. Burimet pranë institucionit të akuzës shpjegojnë se specialistët e policisë kanë zbuluar aktivitete të dyshimta të Manjola Priftit, që sipas tyre, kryhen për pastrim parash. Në këto kushte, është regjistruar procedimi penal në ngarkim të saj, ndërkohë që disa ditë më parë, Gjykata e Tiranës e ka lënë në arrest shtëpie Manjola Priftin, të venë e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes). Ajo u arrestua me një urdhër të drejtësisë italiane.
Kërkesa për caktim masë sigurimi arrest shtëpie është bërë nga prokuroria, e cila pohoi se 37-vjeçarja ka në kujdestarinë e saj një vajzë dhe një djalë të mitur. Në seancën e 31 majit, edhe avokati Arben Prifti pranoi kërkesën e akuzës, ndërsa pohoi se klientja e tij nuk ka kryer asnjë vepër penale në Itali, madje proceset hetimore dhe gjyqësore i ka mbyllur në vendin fqinj. Megjithatë, prokuroria paraqiti në seancë vetëm kartën e Interpolit, ku nën emrin e Priftit shkruhet se ka marrë pjesë në një organizatë kriminale, ndërsa akuzohet për trafik droge dhe pastrim parash. “Arrestimi i Manjola Priftit u bë sepse Interpol Tirana, me shkresë nr. 869kl/1, Prot. LA-FKB 474, datë 27 prill 2012, e ka shpallur në kërkim me kartelë të ‘Kuqe’” do të pohonte policia pas ndalimi.
Pronat - Në emër të Manjola Priftit figurojnë apartamente dhe biznese private, njëri prej të cilëve në periferi të Tiranës
Provat - Drejtësia italiane ka prova shkresore, me dëshmitarë, përgjime dhe vëzhgime për aktivitetin kriminal të këtij grupi
Transfertat - Provë janë edhe komunikimet telefonike të Ramës me Priftin, si dhe transfertat bankare që janë kryer drejt Shqipërisë dhe SHBA-së
Sekuestrimi - U kemi dërguar bankave të nivelit të dytë kërkesë nëse Prifti ka apo jo llogari bankare. Nëse rezulton se ka, atëherë u kemi kërkuar këtyre bankave të ngrijnë çdo veprim, pasi personi në fjalë është objekt hetimi në Prokurorinë e Tiranës