Kandidati – Xhezair Zaganjori ishte i besuari i mazhorancës për të qenë kandidat për presidentin për dy javë, në dy raunde parlamentare


Takimet – Zaganjori preferoi të merrte vetë kontakte me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, në selinë e PS-së. Nga ky takim nuk pati asnjë rezultat


Dualizmi  – Politikanë të rëndësishëm të mazhorancës nuk kanë qenë gjithsesi konsekuentë në mbështetjen ndaj Zaganjorit, duke luajtur me dy qëndrime


Takimet – Vendimi i Zaganjorit për dorëheqje ka ardhur në mënyrë individuale, por siç mësohet nuk është kundërshtuar nga krerët e koalicionit


 


Zhvillimet


Anëtari i Gjykatës Kushtetuese tërhiqet nga gara për president, por pret promovimin


Fatjona Mejdini


Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, u tërhoq dje përfundimisht nga gara për president, ndonëse në të nuk u fut asnjëherë juridikisht. Nëpërmjet një deklarate surprizë, pasi kishte përfunduar raundi i tretë i votimit për president, Zaganjori deklaroi se ai po tërhiqej nga gara, duke dhënë si arsye kryesore faktin se opozita nuk e kishte pranuar si kandidaturë konsensuale. Por burimet bëjnë të ditur se tërheqja e Zaganjorit nga jeta publike dhe nga vëmendja e mediave nuk do të jetë përfundimtare. Burimet konfirmojnë se Zaganjori do të jetë dhe kandidat potencial për të qenë Prokuror i ri i Përgjithshëm i vendit. I vlerësuar nga të gjitha palët sa i përket pikëpamjes profesionale, Zaganjori duket se do të jetë i pakontestuar nga asnjë palë për të qenë drejtues i organit kryesor të akuzës në vend.


Tërheqja


Pak orë pasi raundi i tretë i votimit për president kaloi pa konsensus dhe pa kandidaturë nga Gjykata Kushtetuese, Xhezair Zaganjori hoqi dorë nga vorbulla ku u përfshi për dy javë me radhë. Duke theksuar faktin se këtë “lajm” ai po e ndante fillimisht me median, Zaganjori theksoi se nuk kishte qenë në asnjë moment një kandidaturë zyrtare, ndaj nuk kishte përgjegjësi në lidhje me lënien në mes të garës. Si arsye për këtë shkëputje nga gara, anëtari i Gjykatës Kushtetuese dha atë të mosmbështetjes së tij nga opozita, ndonëse me vetëdije theksoi se tashmë, secili mund ta argumentonte në mënyrë të ndryshme këtë “dorëheqje”. “Nuk jam më kandidat për raundin e katërt, nuk pranoj që të jem kandidat për raundin e katërt. Për mua ka shumë rëndësi fakti, që opozita nuk ka besim tek unë dhe do të paragjykohet çdo vendimmarrje e imja, në këto kushte paragjykimi, deklaroj me bindje të plotë dhe jam i sigurt që analistët do të thonë se ka pasur presione, ka pasur takime…Nuk më vjen keq për asgjë, unë falënderoj ata që më propozuan, do të uroja që ky proces të mbyllej dhe të zgjidhej një kandidat i përshtatshëm”, deklaroi Zaganjori, i cili ndonëse u përpoq të dukej i qetë, në fytyrë i dukeshin shenja lodhje dhe tronditje. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk harroi të theksonte në fjalën e tij dhe faktin se palët politike nuk kishin luksin të debatonin, në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të mëdha, siç janë reformat që duhen për integrimin.


Prokurori


Burimet bënë të ditur dje se figura e Xhezair Zaganjorit nuk pritet më të eklipsohet në godinën e Gjykatës Kushtetuese. Fakti që mazhoranca parlamentare e përbërë prej katër partish dha konsensus të plotë për të, duke i ofruar të qëndrojë në krye të shtetit shqiptar, pritet t’i shërbejë së ardhmes së Zaganjorit. Nga ana tjetër, moskundërshtimi personal i opozitës ndaj tij, bëjnë që anëtari i Gjykatës Kushtetuese të jetë një figurë tepër e përshtatshme për të zëvendësuar kryeprokuroren Ina Rama, pas përfundimit të mandatit të saj. Ndonëse nuk është përcaktuar qartë se kur do të jetë koha në të cilën mandati i Ina Ramës do të përfundojë, anëtari i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë i propozuar për këtë detyrë të rëndësishme në drejtësinë shqiptare. Presidenti i ri i vendit pritet të ketë përgjegjësinë e madhe që në nisje të mandatit të zgjedhë dhe emrin e kryeprokurorit, figurë që tashmë ka një mandat të kufizuar në pesë vite. Sipas Kushtetutës, emri i Prokurorit të Përgjithshëm të vendit zgjidhet nga presidenti dhe më pas miratohet nga Kuvendi. Përpara vitit 2008, Prokurori i Përgjithshëm kishte një mandat të pakufizuar, po tashmë ai qëndron në detyrë vetëm për pesë vite.


 


Etapat


Topalli – Berisha ka deklaruar prej kohësh që do të propozonte për President të Republikës një figurë të lartë të PD-së, duke nënkuptuar Topallin


Refuzimi – Opozita e ka kundërshtuar ashpër kandidimin e Topallit, duke e konsideruar si të njëanshme dhe krejt të papërshtatshme për postin e lartë


Meta – Kryetari i LSI-së bëri lëvizjen e parë, duke kundërshtuar një kandidaturë politike të mazhorancës, gjatë takimit të dytë që zhvilloi me Ramën


Vendimi – Mazhoranca vendosi të kandidojë Xhezair Zaganjorin pas djegies së raundit të parë për të zgjedhur presidentin, që u zhvillua më datën 30 maj