Në ndeshjen e mbrëmjes, në ndeshjen e dytë të grupit C Kroacia ka marrë një fitore të rëndësishme përballë Irlandës e Trapatonit, duke mos i zhgënjyer kështu parashikimet. Takimi ka qenë shumë luftarak dhe të dy skuadrat janë përpjekur shumë, por në fund ata që kanë festuar ishin kroatët e Sllaven Biliç. Sllavët kanë kaluar menjëherë në avantazh me anë të Mandzukiç pas vetëm tri minutash lojë. Por në të 19-ën, Lexher ka realizuar golin e barazimit. Ndërsa në minutën e 44-t, Kroacia ka gjetur golin e avantazhit 2-1 me Jelaviç. Pati protesta të irlandezëve për një pozicion jashtë loje të lojtarit kroat. Në pjesën e dytë ritmi vazhdon të jetë i njëjtë, por djemtë e Biliç gjejnë edhe golin e 3-1 sërish me Mandzukiç në minutën e 48-të. Vazhdimi i lojës është shumë luftarak, por Irlanda e ka të vështirë të shënojë dhe gjithçka mbyllet me fitoren 3-1 të kroatëve, që marrin vendin e parë në këtë grup.