Arsim pa arsye ose “pse nuk e dua shkollën”

MONIKA SHOSHORI STAFA

- Ja ç’dëshmohet prej anketimeve, statistikave dhe të dhënave të UNICEG-it -

Analfabetizmi nuk është një figurë, por një kërcënim i vërtetë. Dhe nuk është fjala për disa dhjetëra fëmijë romë apo familjesh të ardhura që duhet të nxjerrin bukën e gojës duke larë makinat në kryqëzim për dhjetë lekë të vjetra. Nuk është fjala për malësitë e veriut, ku ende fantazma e kanunit ngujon dhe fëmijët. Është fjala për shkolla me emra në zemër të Tiranës, ku analfabetizmi po rikthehet në formë klasike e të tërthortë, si padije dhe deri edhe si pazotësi për të përdorur gjuhën amtare.

Përse shkollat janë të mërzitshme për fëmijët shqiptarë?

Të braktisësh shkollën – kjo është një ndër gjërat që ti nuk do të doje kurrë t’i ndodhë fëmijës tënd. Si prind, të gjithë ne do të donim të dinim pse fëmija ynë e ka humbur interesimin ndaj shkollës dhe hapi i parë që bëjmë sigurisht është të dimë shkaqet. Psikologët thonë që ka një seri shkaqesh që mund ta mbajnë larg një fëmijë nga shkolla, si: përpjekjet për arritje akademike dhe arritjet e ulëta ose vështirësitë e të nxënit; probleme me fëmijë të tjerë; abuzime me substancat (droga, duhani, alkooli); një situatë familjare jo e mirë; presioni i moshatarëve. Këto, por jo vetëm, e nxisin një fëmijë të jetë pak i interesuar për të shkuar në shkollë. Por edhe një gjë shpeshherë harrohet të thuhet: fëmijët janë subjekt i mësimeve të mërzitshme dhe i mënyrës po aq të mërzitshme të mësimdhënies. Edhe në shkollat më të mira, ne shohim mësues të pamotivuar, duke ndikuar direkt në cilësinë e të nxënit nga ana e fëmijëve, duke mos u dhënë mundësinë atyre të ushtrojnë potencialin e duhur për të zhvilluar dhe për të bërë zgjedhjet e duhura në jetë. Me dhjetëra e dhjetëra trajnime janë ndërmarrë në vite për të përmirësuar mësimdhënien, për t’i bërë shkollat sa më miqësore, për t’i bërë fëmijët të ndihen komodë e të shprehen lirshëm dhe pa u paragjykuar, mirëpo, me gjithë përpjekjet, përsëri shkollat vazhdojnë të vuajnë cilësinë e mësimdhënies.

 

Si po kthehet analfabetizmi?

Në shkollën “Konferenca e Pezës”, si në të gjitha shkollat e Tiranës, për shkak të ndryshimeve dinamike të dy dekadave të fundme; si dhe për shkak të qëndrimit të paqartë ndaj gjuhës letrare; komunikimi brenda dhe jashtë orës së mësimit është vështirësuar jashtëzakonisht. Nxënësit imitojnë njëri-tjetrin: myzeqarin, labin, tropojanin, dibranin, ashtu si në emisionet humoristike televizive, sepse shkalla e zotërimit të shqipes prej tyre është shumë e kufizuar, jo pse kanë ardhur prej periferive, jo pse nuk ka më popullsi homogjene, por sepse vetë gjuha shqipe nuk e ka më autoritetin e saj në shkollë. Dhe analfabetizmi, para së gjithash, ka të bëjë me shkallën e përdorimit të gjuhës.

Pas dy dekadash diskutimi nëse duhet të mbahet kjo gjuhë letrare që kemi apo jo, duket sikur çështja e gjuhës ka mbetur një çështje në vullnetin e mësuesit. Kjo është arsyeja që nxënësit sot po përqeshin jo vetëm njëri-tjetrin dhe me njëri-tjetrin e bëjnë miqësisht, por edhe mësueset e tyre, të cilat jo vetëm që nuk japin ndonjë shenjë afrimi me gjuhën letrare, por, përkundrazi, sikur duan ta theksojnë prejardhjen e tyre, të krenohen me të, të identifikohen me të dhe të krijojnë autoritet me të. Në fakt, njerëzit e formuar kanë prirjen për të tërhequr periferinë drejt qendrës në pikëpamjen kulturore dhe të nivelit të arsimit, kurse njerëzit mediokër duan të tërheqin qendrën drejt periferisë dhe t’i imponojnë asaj dialektin, lahutën, qeleshen, plisin.

 

Si e shikojnë fëmijët të ardhmen e tyre?

Mjekët, mësuesit dhe lojtarët e futbollit janë ndër profesionet më të preferuara nga fëmijët për të ardhmen e tyre. Shumica e fëmijëve mendon se Shqipëria do të bëhet një vend shumë i mirë dhe akoma më i mirë për të jetuar. Ata mendojnë se arsyeja për këtë do të jetë përmirësimi i situatës ekonomike. (48 për qind). Fëmijët duan një Shqipëri me një situatë më të mirë ekonomike (23 për qind), ku gjithsecili të ketë një punë (16 për qind), një vend të qetë (15 për qind) pa kriminalitet/dhunë (12 për qind).

 

Sikur të mos mjaftonte kjo, në tekstet shkollore parauniversitare nuk ka më një lëndë të gjuhës, por ka një “letërsi, gjuhë e komunikim së bashku”, në të cilën as njohuritë gjuhësore dhe as ato letrare nuk jepen mjaftueshëm. Me një fjalë, kot që u fol për një provim mature gjuhe dhe letërsie, sepse s’ka as gjuhë, as letërsi më vete në shkolla, por diçka të midistë. Këto lloj hibridesh si rregull edhe gjetiu kanë dështuar.

Po le t’u shtojmë këtyre fakteve edhe diçka tjetër: teksteve të letërsisë dhe të gjuhës u janë shtuar autorët e ndaluar veriorë, të diasporës e të Kosovës, një pjesë e të cilëve kanë shkruar në të folme lokale, shpesh tejet konservatore, si Fishta, Koliqi, Camaj dhe të tjerë. Ky hap ka qenë i domosdoshëm dhe i vështirë. Mësueset me të cilat biseduam e pranojnë se pikërisht me integrimin e këtyre autorëve kanë më shumë vështirësi, sepse kompetenca gjuhësore e nxënësve për leximin e letërsisë në dialekt, pa folur për arbërishten, janë tejet të kufizuara. Ndërkohë botimet e përshtatura dhe njohuritë dialektore jepen fare shkurt, për të mos thënë aspak. Imagjinoni si mund të lexohet Fishta, bie fjala, në një tekst shkollor ku të gjitha zanoret e poezive të tij nuk kanë më theksa. Imagjinoni një poezi të Camajt të lexuar pa zanoret hundore, të cilat as mësueset vetë nuk e dinë ç’janë. Ky është një bastardim i vërtetë i letërsisë, sepse në vend që nxënësve t’u nxitet dëshira për të lexuar letërsinë e ndaluar, në fakt u zvjerdhet dhe dëshira për letërsinë në gjuhën standarde.

 

Si ndihen fëmijët në shkollë?

89 për qind e fëmijëve shqiptarë shkojnë në shkollë;

11 për qind nuk shkojnë në shkollë;

8 për qind e fëmijëve punojnë; ndërsa 92 për qind nuk punojnë;

35 për qind e fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë, punojnë;

80 për qind e tyre thonë që arsyeja kryesore që fëmijët shkojnë në shkollë është për të mësuar, por vetëm kaq;

15 për qind e fëmijëve që ndjekin shkollën mendojnë se është e vështirë ose shumë e vështirë të diskutojnë problemet e nxënësve në shkollë;

Përafërsisht, gjysma e fëmijëve mendojnë se është e lehtë ose shumë e lehtë t’i diskutojnë ato, ndërsa 35 për qind janë asnjanës;

Nga fëmijët që mendojnë se është e vështirë t’i diskutojnë problemet, 45 për qind thonë që ata s’guxojnë të flasin dhe 36 për qind thonë se mësuesit s’i dëgjojnë.

Nëse do t’u jepej mundësia t’u thonin mësuesve atë që mendojnë:

28 për qind e fëmijëve do t’u kërkonin atyre t’i trajtonin dhe të komunikonin me nxënësit më mirë;

15 për qind do t’u kërkonte atyre të përmirësonin mësimdhënien;

13 për qind do t’u pëlqente të kishin kushte më të mira në shkollë.

 

Duke qenë tek kjo pjesë e letërsisë, nuk është se mësuesit apo nxënësit kanë ndonjë konsideratë kushedi se çfarë për këtë letërsi, për “soc-realizmin”, që, në mos tjetër, homogjenizoi gjuhën; kjo sepse gjatë dy dekadave soc-realizmi është njollosur aq shumë sa që është barazuar me diktaturën vetë.

 

Në një sondazh të kryer nga IDRA me mbështetjen e UNICEF-it më 2008-n, në Tiranë, Korçë, Synej (Kavajë), Fier, Selenicë (Vlorë) dhe Shkodër u ngritën pesëmbëdhjetë grupe të fokusuara me të rinj. Në Tiranë u krijuan edhe dy grupe të tjera me fëmijë që jetonin në zonën periferike dhe që kishin braktisur shkollën. Në këto diskutime morën pjesë 118 të rinj. Mendime të tyre:

“Jo vetëm në shkollën tonë, por në gjithë sistemin e arsimit në Shqipëri, ka një ‘elitë’ nxënësish që trajtohen më mirë, ndërsa nxënësit e tjerë nuk trajtohen njëlloj me ta” (17 vjeç, djalë në shkollën e mesme, Selenicë);

“Shpeshherë mësuesit janë hakmarrës ndaj nxënësve dhe u bëjnë presion psikologjik” (17 vjeç, vajzë në shkollën e mesme, Selenicë);

“Shkolla… Ajo që më vjen në mendje këtë moment është kur mësuesi hap regjistrin dhe mendon se kë do të pyesë në mësim. Është një moment i tmerrshëm. Ky është një moment i tmerrshëm…” (11 vjeç, vajzë në arsimin e detyrueshëm, Korçë).

 

Ndërkaq, në kushtet e shthurjes së rendit gjuhësor, një letërsi e re po lind në të folme lokale, kryesisht veriore, duke çuar tek ishujt dhe moskomunikimi. Kështu, ishuj në shkolla për shkak të prejardhjes heterogjene dhe të të mësuarit në shkollë me gjuhën e shtëpisë; ishuj dhe në tekste për shkak të paraqitjes së amullt të letërsive tradicionale; ishuj edhe prej formimeve të cunguara të mësuesve, analfabetizmi ka trokitur tek porta.

Ne hymë në disa mjedise shkollore në kryeqytet. Çfarë e bën një shkollë të jetë shkollë dhe në radhë të parë të jetë analfabete? Së pari: nxënësit; së dyti: mësuesit; së treti: tekstet; së katërti: programet. Të katër këto njësi kanë dy dekada që formohen e shformohen, megjithëse shkolla është një prej institucioneve më konservative në një shoqëri. Me drojë dhe frikë, mësueset flasin për rotacion personeli sa herë që ndërrohen qeveritë; për jetë partie brenda në shkolla, për përdorim të nxënësve në funksione fushatash. Dita e 1 Qershorit, Dita e Fëmijëve, në mes të metropolit u bë ditë e spektakleve politike për njërin dhe tjetrin. Programet, thonë mësueset, sa nisim të mendojmë se jemi mësuar me to, ndryshohen në emër të reformës, dhe reforma nuk mbaron kurrë, asgjë nuk qëndron shkallë mbi shkallë. Tekstet gjithashtu, të hartuar shpesh prej amatorësh, ndonjëherë dhe botuesish, që marrin përsipër dhe autorësinë, megjithëse pak gjë dinë për didaskalinë, pedagogjinë dhe psikologjinë shkollore. Të mos flasim për saktësinë, që shpeshherë tejkalon çdo hamendje. Kështu, në një tekst letërsie, Naim Frashëri cilësohet shkrimtar ortodoks, dhe njëherësh edhe autor i “Baba Tomorit”, kurse Çajupi për dekada me radhë ishte krejt i dëbuar nga tekstet e letërsisë. Mësueset i justifikojnë mungesat e nxënësve sepse “Camajn nuk e njohim as vetë”. Nxënësit, nga ana e tyre, të ardhur nga periferitë dhe të formuar në Tiranë, nuk dinë çfarë të zgjedhin: gjuhën e shtëpisë apo atë të televizionit.

 

Neni 29 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve na kujton se arsimimi i fëmijëve synon zhvillimin e personalitetit të fëmijës, talenteve dhe aftësive të tij/saj fizike dhe mendore në maksimumin e mundshëm. Arsimi duhet ta përgatisë fëmijën për një jetë aktive në një shoqëri të lirë dhe duhet të ushqejë tek fëmijët respektin për prindërit, identitetin kulturor, gjuhën dhe vlera kombëtare, si dhe respektin për vlerat dhe kulturën e të tjerëve. Faktori kryesor në ngritjen e standardeve ndërkombëtare të arsimit, është kualifikimi i mësueseve si dhe monitorimi i orëve të mësimit. Mësuesit duhet të mësohen me idenë e kontrollit dhe të marrjes së vlerësimit, qoftë prej inspektorëve të arsimit, qoftë prej kolegëve, por edhe të nxënësve që kanë të drejtë të votojnë për mirë apo për keq mësuesit e tyre.

 

Po t’u hedhësh një sy “palimpsesteve” që gjen në muret e klasave shkollore parauniversitare, përveç fjalorit jashtëzakonisht antiedukativ, mund të shohësh se çfarë shkalle moszotërimi jo vetëm gjuhësor ekziston në arsim. Shkolla, nga një institucion moralizues, po kthehet në një institucion demoralizues. Me shkrimet në faqet e murit dhe mbi bankat shkollore mund të bëhej një studim psiko-pedagogjik për të kuptuar se si janë raportet sot midis nxënësit, mësuesit, librit, shkollës. Në këto shenjime, gjysma shqip e gjysma anglisht më së pari kuptohet se shkolla e ka humbur autoritetin e vet mbi nxënësit, se vetë mësuesi nuk është më një model, por një antimodel, se mësuesi shet kohën e vet jashtëshkollore për të bërë detyrat e nxënësve me paratë e prindërve, se vetë nxënësit mburren me pazotësinë e tyre për të shkruar një letër shqip, për të hartuar një kërkesë shqip. Sa u takon marrëdhënieve me librin, ato tashmë i konkurron interneti dhe e-shkrimi. Nuk ka nxënës të shkollës së mesme që të mos ketë “Facebook”-un e vet. Thuajse të gjithë kalojnë orë të tëra duke ironizuar gjithçka që në shkollë duhej të ishte serioze. “Palimpsestet” e mureve të shkollave, po të kishin gojë të flisnin, u ngjajnë shenjimeve të WC-ve publike të një kohe të dikurshme, dhe për këtë askush nuk ndihet përgjegjës.

 

Sondazhi na njeh me disa të dhëna të tjera në lidhje me mënyrën sesi e shikojnë të ardhmen fëmijët shqiptarë dhe shumica ishin optimistë:

89 për qind mendonin që jeta e tyre në të ardhmen do të jetë më e mirë se jeta aktuale e prindërve të tyre.

Dy të tretat mendonin se Shqipëria do të bëhet një vend më i mirë për të jetuar, ndonëse më pak në Tiranë dhe më shumë në rrethet e tjera.

Kur iu kërkua të përshkruanin idealisht si do donin të ishte vendi i tyre, fëmijët përmenden një standard më të mirë jetese (60 për qind), më pak probleme sociale (56 për qind), politika më cilësore (56 për qind) dhe mbrojtje të mjedisit (52 për qind). Por, pavarësisht parashikimeve pozitive rreth së ardhmes, 44 për qind e fëmijëve u shprehën se do t’u pëlqente të jetonin në një vend tjetër në të ardhmen – kryesisht në Europën Perëndimore dhe Amerikën Veriore. Të pyetur se çfarë dëshirojnë të bëjë qeveria për fëmijët, ata janë shprehur se përmirësimi i sistemit arsimor / shkollave, mësues më të përgatitur, vlerësim më të mirë, kontroll ndaj mësuesve, ndalimi i dhunës në shkollë, më shumë disiplinë dhe rregull në shkollë, mësime më të lehta, ndalimin e korrupsionit, pajisjen e të gjithë nxënësve me libra (të ulen çmimet), tekste shkollore më të mira, funksionimin e qendrave të internetit në shkolla, rregullimin e kopshtit të shkollës, ndërtimin e shkollave të reja /qendrave ditore/ furnizimin me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike, sistem ngrohjeje në shkolla, mbajtje e higjienës shkollore.

 

Në shumë gjuhë të botës, analfabet nuk do të thotë thjesht të mos dish shkrim e këndim. Sot shkrim e këndim mësohet falas, sepse fasadat e qytetit janë një libër i hapur. Por është fjala për nxënit, të arsimit, të të arsyetuarit, prej nga vjen dhe fjala arsim. Shkurt, arsim pa arsye nuk mund të ketë, por shkalla e formimit të arsyes në mes të kryeqytetit është dëshpëruese, aq sa të flasësh për një kat të dytë të analfabetizmit modern.

Autor te 12 Qershor 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Gramoz Isufaj

    Faleminderit per shkrimin. Te gjitha ceshtjeve qe qe jane trajtur ne shkrim nuk do t’u hiqja asnje presje, por mendoj se problemet jane me te thella se sa jane pasqyruar ketu.
     

  • Anton

    Analize shume e mire e ketij problemi. Bravo! Eshte e vertete qe me keto pseudo-reforma shkollore po lihet ne harrese mesimi i vertete i identidetit tone: Gjuhes shqipe.

  • Jeronim

    Znj.Shoshori, ju keni tre probleme me veten tuaj:
    1-Beni kompetenten kur nuk jeni,
    2-Keni krize identiteti
    3-Jeni e fiksuar pas qeleshes dhe plisit, per kete nuk te fajesoj forma e tyre per femra si puna e juaj eshte me shume se fiksim.
    Nuk keni dhene zgjidhje sepse hiqeni kompetente. Kupton tani bespj. Zoti qetesofte trurin tuaj.

    • Anton

      Zoti qetesofte injorancen tuaj! Amin!

      • Jeronim

         Faleminderrit Antoneta.

  • G.Begolli

    Ju keni sh te drejte. Faktet qe permendni Ju pothuajse se cdo shqipetar i njeh,por te paket jane ata qe po mendojne seriozisht per pasojat e dhimshme qe vijne pas. Apeli qe ju po beni sot duhet te beje jehone te forte mbarekombetare. Ne kete moment mu kujtua nje thirrje e Ish kryeministrit anglez “Tony Blair“ne kohen e vet “ Arsim,Arsim Arsim“. Kur nje shtet si Anglia shtron kerkesa te tilla Po Ne ?!! Ku shkojme me arsimim te larte “ drejt 100 %“ dhe me analfabete ne te njejten kohe.