Peter Stano, zëdhënësi i Stefan Fule ka deklaruar se BE ka ndjekur nga afër zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës
Bashkimi Europian nuk është optimistë se Shqipëria do ta kalojë provimin e vjeshtës, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sipas agjencisë së lajmeve “Ansa”, BE ka vlerësuar se votimi i djeshëm për Presidentin e ri të Republikës, shënon hapa pas për Tiranën zyrtare në rrugën për integrimin evropian.
“Në këtë pikë është shumë e vështirë të shohim sinjale, zhvillime pozitive, që mund ta çojnë vendin në fazën tjetër të procesit të aderimit të BE”, ka thënë sot Peter Stano, zëdhënësi i Komisionerit europian për zgjerim, Stefan Fule, pas interesimit të gazetarët.
Zgjedhja e Bujar Nishanit në kreu të shtetit vetëm me votat e mazhorancës qeverisëse, largon mundësinë e Shqipërisë për të kërkuar zyrtarisht statusin e vendit kandidat për aderimin në BE. Në vjeshtë, Komisioni Europian publikon raportin vjetor në lidhje me progresin e vendeve kandidatë apo kandidatëve potencial për tu pranuar në BE dhe u rekomandon liderëve se cilat vende kanë përmbushur kërkesat e nevojshme për të kaluar në fazat në procesin e aderimit.
Çdo hap përpara, vazhdon të theksojë Brukseli, varet para së gjithash nga dialogu politik dhe nga përmbushja e prioriteteve të kërkuara prej kohësh. “Komisioni Europian ka përcaktuar 12 prioritete për integrimin e Shqipërisë dhe do ta japë vlerësimin e saj në vjeshtë”, ka thënë Stano.
12 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)