Politikë Zgjedhja e Presidentit Fatos Nano uron Nishanin, por e cilëson të parregullt procedurën

Fatos Nano uron Nishanin, por e cilëson të parregullt procedurën

102
SHPËRNDAJE

Deklaratat

Ish-kryeministri ka mbajtur disa qëndrime, ku sulmon ashpër Kryeministrin

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një ministër i kabinetit qeverisës nuk mund të kandidojë për president, në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen

Fatos Nano, kandidati i vetëshpallur për president, e ka uruar zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin më të lartë të shtetit, duke kërkuar nisjen e një epoke të re, por lëvizja që mbështet Nanon ka paralajmëruar një betejë ligjore, duke kontestuar parregullsitë e zgjedhjes së presidentit të ri. “Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë të bashkohen dhe presidenti i ri, Bujar Nishani, më tepër se kurrë duhet të simbolizojë unitetin kombëtar”, thekson në deklaratën e fundit lëvizja “Nano për President”. Por në mënyrë të ashpër akuzohet mazhoranca se po futet në një qerthull shkeljesh kushtetuese. “Pas konsultimeve intensive me një grup konstitucionalistësh të nderuar në vendin tonë, Fatos Nano i bën apel dhe i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse se kandidimi i fundit me kandidat të radhës për president, ministrin Bujar Nishani, është një gafë e rëndë kushtetuese dhe rrezikon të kthehet në një shkelje të rëndë kushtetuese. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një ministër i kabinetit qeverisës nuk mund të kandidojë për president në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen. Dhe dorëheqja e tij ka vlerë ligjore vetëm pasi është pranuar me dekret nga Presidenti i Republikës, për t’u votuar nga Kuvendi. Gjithashtu, ministri kandidat për president e ka të pamundur, sipas Kushtetutës, që të votojë për veten në Kuvend në cilësinë e tij si deputet. Referenca e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e heqjes së mandatit të deputetit Ilir Beqja, e bën antikushtetues kandidimin e ministrit Bujar Nishani për president, pa përmbushur më parë të gjithë procedurën ligjore të dorëheqjes”. Kjo ka qenë deklarata e parafundit për media e stafit të Nanos, i cili më parë në një deklaratë tjetër sulmoi fuqishëm Kryeministrin Berisha dhe mazhorancën. “Sali Berisha dëshmoi se dashuria e tij për pushtetin e tejkalon dashurinë e tij për shtetin, dashuria e tij për partinë e tejkalon dashurinë e tij për kombin, dashuria e tij për koalicionin e tejkalon dashurinë e tij për integrimin europian dhe partnerët tanë euroatlantikë. Sali Berisha dëshmoi e po dëshmon papërgjegjshmëri totale, ndërsa ka rënë në nivelet meskine të lojërave të pushtetit dhe si partiak i devotshëm çmontoi e po çmonton, vendosi dhe po vendos në rrezik tejet serioz të gjitha shanset e Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm e të shëndetshëm, për integrimin europian dhe për partneritet dinjitoz euroatlantik”, theksohet në njoftimin e gjatë të Fatos Nanos, i cili pritet të shpallë së shpejti edhe rikthimin e tij në politikë brenda Partisë Socialiste.

 

Akuza

Berisha

“Sali Berisha dëshmoi e po dëshmon papërgjegjshmëri totale, ndërsa ka rënë në nivelet meskine të lojërave të pushtetit. Ai po vendos në rrezik shanset e Shqipërisë për integrimin europian”