Aktualitet Hoxha, ndërpritet ëndrra presidenciale

Hoxha, ndërpritet ëndrra presidenciale

125
SHPËRNDAJE

Kandidati dorëhiqet. Opozita kërkon dëshmi nga SHISH për pastërtinë

Artan HoxhaKa zgjatur vetëm 12 orë ëndrra presidenciale e Artan Hoxhës. I emëruar si kandidat zyrtar i mazhorancës, në mbrëmjen e së dielës, me kalimin e kohës dhe me lindjen e diellit në mëngjesin e djeshëm, rruga ka qenë në ngjitje për analistin e njohur 48-vjeçar. Në orën 10:00 është mbledhur Komisioni Parlamentar i Ligjeve, me të cilin ka pasur debat në lidhje me verifikimin e figurës së kandidatit të mazhorancës. Dyshimin e shpallur publikisht në fillim nga nënkryetari i grupit socialist, Erjon Braçe, e ka zyrtarizuar nënkryetari tjetër i grupit socialist, Sajmir Tahiri, anëtar i Komisionit të Ligjeve. Tahiri ka kërkuar, që përveç dokumenteve të tjera, duhet t’i kërkohet edhe Shërbimit Informativ Kombëtar dhe Prokurorisë së Përgjithshme një dëshmi për pastërtinë e figurës së kandidatit. Kjo deklaratë e deputetit socialist nuk ka ndikuar në ecurinë e zyrtarizimit të kandidatit.

Ai arriti të mbledhë 40 firma deputetësh të partive aleate në qeverisje. Kuvendi bëri gati gjithçka për të nisur raundin e katërt të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Administrata e Kuvendit shpërndau në tavolinat e 140 deputetëve të gjithë dokumentacionin e miratuar në Komisionin e Ligjeve. Por seanca nuk po fillonte. Kandidati Artan Hoxha u nis nga banesa e tij drejt Parlamentit, i shoqëruar edhe nga Garda e Republikës. Megjithatë diçka ndryshoi rrugën dhe ai nuk mbërriti në destinacion. Tensioni në sallën e Kuvendit arriti kulmin, administrata urdhërohet të marrë nga tavolinat e deputetëve dokumentacionin për Hoxhën. Krejt papritur ata ambasadorë që ndodheshin në sallën e seancave plenare nisën t’i drejtoheshin daljes së Parlamentit. Duhet nënvizuar se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dje nuk mori pjesë fare në Parlament. Burime diplomatike bënë të ditur se qëndrimi i zotit Arvizu ka qenë një sinjal që pas largimit në seancën e së enjtes së shkuar. Diçka kishte ndodhur. Mazhoranca ishte nën shok. Kryeministri Sali Berisha nuk mbërriti në Parlament por thirri në zyrën e tij krerët e partive aleate: Ilir Metën e LSI-së, Shpëtim Idrizin e PDIU-së dhe Fatmir Mediun e PR-së. Paralelisht me këtë takim, kandidati zyrtar i mazhorancës, Artan Hoxha shpall largimin e tij nga gara presidenciale. Në një deklaratë për median ai paralajmëroi se ky proces po sjell furtunën në skenën politike shqiptare. Megjithatë mbetet ende mister, itinerari i Hoxhës drejt Kuvendit që u ndërpre dhe bisedat që ka konsumuar.

 

Arvizu

“Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dje nuk mori pjesë fare në Parlament”

 

Deklarata e plotë

“Procesi presidencial paralajmëron furtunë

“Deri pas mbledhjes së mbrëmshme (të dielën) kam shpresuar se procesi presidencial do të mbante frymën minimale të mirëkuptimit dhe konsensualitetit, madje dhe sot (dje) në mëngjes pasi kam marrë me qindra e qindra mesazhe urimi, një pjesë e mirë e të cilave më kanë ardhur nga individë brenda dhe pranë Partisë Socialiste, kam vazhduar të shpresoj se procesi presidencial premtonte ende mirëkuptim dhe konsensus, por duke parë qëndrimet e eksponentëve socialistë dhe pranë tyre, të cilët filluan të përdorin me agresivitet dhe egërsi të gjitha llojet e akuzave të bajatosura në këto 22 vite, përfshi shpifje dhe shantazhe arritën në përfundimin se procesi presidencial nuk mund të ketë as minimumin e civilizimit dhe aq më pak, të vullnetit të mirë për zgjidhje të arsyeshme dhe konsensuale. Arrita të kuptoj se në procesin presidencial për shkak të interesave politike nuk lejohet të kontribuojnë faktorët civilë. Unë e kam ndjekur nga shumë pranë procesin presidencial, kam komentuar dhe pak shkuar në favor të zgjidhjes së arsyeshme dhe konsensuale. Mendova të kontribuoj në instancën e fundit për të njëjtin qëllim, por për gjithçka çfarë shpjegova më lart deklaroj se nuk mund të jem më pjesë e vazhdimit të këtij procesi, i cili me sa duket, paralajmëron furtunë”.