Ndahet nga jeta ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare, Mehdi Zhega. Zemra e 66-vjeçarit, pushoi së rrahuri mesditën e sotme, në spitalin e Neurokirurgjisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Njeriu që ja kushtoi gjithë jetën futbollit, prej një viti luftonte me vdekjen, pas një goditjeje cerebrale që pësoi verën e kaluar, kur ndodhej për një vizitë në Kanada. Ish-trajneri i kombëtares shqiptare u transferua nga Kanadaja për në spitalin Nr.5 të Tiranës në fund të vitit të kaluar me një avion special, për të mos shkaktuar komplikacione të mëtejshme.
Mehdi Zhega ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF (Federata Shqiptare e Futbollit) dhe ka lindur në Shkodër më 31 janar 1946. Shkollën e mesme e ka kryer në qytetin e lindjes, studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Kimi-Mercologji. Ka kryer studimet e larta edhe në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” (sot Akademia e Sporteve). Në periudhën 1963–1979, ka luajtur me ekipet e Vllaznisë dhe Dinamos, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të vendit, i shquar si golashënues në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1965 e në vazhdim ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Në vitin 1981 mbaron shkollën e trajnerëve në Austri. Ka kryer gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit. Në vitet 1984-1986 ka punuar si ndihmës/trajner i ekipit kombëtar dhe atij olimpik. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1999-2001 ka qenë trajner i ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Nën drejtimin e Mjeshtrit Zhega, skuadra jonë Kombëtare, në vitin 2001, fiton turneun “Rothmans” në Maltë. Është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Pasi shkarkohet nga detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, post që e mbajti deri në vitin 2001, ai emërohet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Përsëri, këtë post e mban deri në vitin 2010.
12 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)