Kryesoret Nishani zgjidhet President. Berisha tremb PD-në: Ndryshe, ka zgjedhje

Nishani zgjidhet President. Berisha tremb PD-në: Ndryshe, ka zgjedhje

469
SHPËRNDAJE

73 vota – Presidenti i ri u zgjodh me 73 vota. Një votë ishte kundër, ndërsa dy të tjera dolën të pavlefshme, ishin të bardha

19:30 – Në orën 19:30, Nishani, tashmë i shoqëruar nga një eskortë e posaçme, ka hyrë në Kryeministri për të zhvilluar një takim me Berishën

Sekretarja – Në lozhën e posaçme, ku rrinë ambasadorët, është vënë re prezenca e sekretares personale të Topallit, e cila vëzhgonte nga sipër procesin

Maliqi – Deputeti i PS-së, Subashi, ka bllokuar fletën e votimit të demokratit Maliqi, për shkak se në të kishte një shenjë të posaçme

 

Seanca

Kreu i shtetit merr 73 vota. Arvizu mungon

BLEDAR HOTI

Kur e gjithë vëmendja e shqiptarëve ishte përqendruar te ndeshja Angli-Francë, e vlefshme për grupin e katërt të Kampionatit Europian, një tjetër “ndeshje”, e nivelit të lartë politik, po zhvillohej në Parlamentin shqiptar, raundi i katërt i votimit për presidentin shqiptar. Frika e rrjedhjes së votave ka qenë një nga arsyet kryesore që lideri i PD-së, Sali Berisha, ka ndërmarrë ndoshta dhe vendimin më të skajshëm që të shkojë deri në fund me kandidatin e tretë, Bujar Nishani, duke rrezikuar edhe zgjedhjet e parakohshme. Një kërcënim të tillë, Berisha ia ka bërë deputetëve të PD-së në mbledhjen e pasdites së grupit, ku i është drejtuar se “nëse nuk zgjidhet Nishani në raundin e katërt, në ora 11:00 të natës do të bëhet raundi i pestë dhe nëse dështojmë, të përgatitemi për zgjedhjet e parakohshme”. Ky paralajmërim, siç duket, ka bindur demokratët që të jenë unik në votën e tyre pro kandidatit Nishani. Për të shmangur ndonjë pakënaqësi ndaj aleatëve, Berisha ia bëri të ditur siç duket dhe aleatëve të tij, Metës, Idrizit, Mediu.

3 votat pështjelluese

Opozita socialiste ishte e pranishme në seancën e votimit të pasdites së djeshme, por deputetët e PS-së nuk morën pjesë në votim. Në sallë mungonte vetëm deputeti Dritan Prifti. Kandidati i mazhorancës, Bujar Nishani, ka marrë 73 vota pro, 1 kundër dhe 2 vota dolën të pavlefshme. Pra 76 deputetë ishin të pranishëm, ku në votim kanë marrë pjesë dhe deputetët Vangjel Dule i PBDNJ-së, Gazmend Oketa i FRD-së dhe Kastriot Islami. Pjesëmarrja e 3 deputetëve në këtë proces ka pështjelluar disi faktin se nga ku kanë ardhur votat kundër e të pavlefshmet. Koalicioni qeveritar, PD+LSI+PR+PDIU ka në Kuvend 73 vota. Këto janë vota solide nëse përkthehen në shifra të zgjedhjes së presidentit. Nëse vota e Vangjel Dules është e pavlefshme, mbetet e pacaktuar se cila mes dy deputetëve është votë kundër në mes Oketës së FRD-së dhe Islamit. “Enigma” mbase mbetet përtej faktit se cila do të jetë vota që mund të ketë rrjedhur, edhe pse 73 votat duket se e konfirmojnë mazhorancën.

Tensioni dhe monitorimi

Në raundin IV të votimit ka rënë në sy mungesa e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu. Këshilltarja politike e ambasadës së SHBA ka qenë prezente. Edhe ambasadori i OSBE-së, Wollfarth ka munguar, në seancë ishte zv.ambasadori Redford. Në sallë vërehej tensioni i demokratëve, të cilët ishin më në ankth se pesë vite më parë kur zgjidhej Bamir Topi. Berisha është ulur në rreshtin e parë, ku pranë ka pasur kandidatin për president, ministrin e Brendshëm, Nishani, e në krah të tij, kreun e grupit të PD-së, Astrit Patozi. Në krah të Nishanit është ulur nënkryetarja Jozefina Topalli. Në sallën e të ftuarve është vënë re sekretarja personale e Topallit. Ajo ishte e ulur në lozhën ngjitur ku ishte ulur ambasadori i BE-së, Sequi. Në pozicionin ku ajo ndodhej kishte shumë të favorshme të shihte nga larg ndonjë deputet që futej në “minidhomën” e fshehtë për votën që do shënonte ndonjë deputet. Ndërsa për shkak dyshimi, anëtari i sekretariatit të votimit, socialisti Armando Subashi ka tërhequr fletën e votimit që do t’i jepej deputetit të PD-së, Lefter Maliqi. Kjo për faktin se ishte me një shenjë të posaçme. Më pas deputeti i PD-së, Viktor Gumi, ka nxjerrë një fletë tjetër të firmosur. Kur Meta votoi, ai shkoi pranë Berishës dhe bisedoi për disa minuta. Ndërsa Dule dhe Islami, pas votimit, duke kaluar pranë Berishës i ka buzëqeshur, duke nënkuptuar për ndonjë mesazh. Fillimisht doli vota kundër, pastaj kur ishin 60 vota në favor të Nishanit, u shfaqën 2 votat e pavlefshme. Kjo rriti tensionin e deputetëve demokratë, pasi mjaftonin dhe tre vota të tjera të pavlefshme, ose kundër dhe Nishani nuk mund të shpallej president. Në votën e 71-të në favor të Nishanit, deputetët e PD-së shpërthyen nga gëzimi dhe duartrokitjet, ndërsa socialistët lanë të gjithë sallën siç bëjnë ekipet që humbin një finale futbolli. Ndërsa të gjithë demokratët kanë përshëndetur dhe uruar njëri-tjetrin. Menjëherë pas zgjedhjes, mësohet se Presidenti në detyrë, Bamir Topi, e ka uruar pasardhësin e tij, Bujar Nishani. Ky është Presidenti i dytë që del nga radhët e PD-së, pesë vjet më parë ishte Bamir Topi.

Menjëherë pas zgjedhjes, mësohet se Presidenti në detyrë, Bamir Topi, e ka uruar pasardhësin e tij, Bujar Nishani