“Poeteka” 


Flitet në tavolina, shkruhet e debatohet për përkthimin. Është e natyrshme në një mësymje letrare si kjo e këtyre viteve. Por veprimtaria e radhës e “Poeteka” mbi përkthimin kishte zgjedhur një auditorium jo nga ata të zakonshmit. Në vijim të projektit “Status”, organizuar nga “Poeteka” dhe mbështetur nga AMSHC, Edmond Tupja dhe Arian Leka kanë zhvilluar dje një takim në mjediset e Qendrës së Formimit Policor në Sauk. “Përkthimi – Gjithçka përkthehet… Gjithçka është përkthim…!”. Ka qenë një takim me ligjërata, bashkëbisedim dhe ilustrime rreth kontekstit ndërkulturor dhe social të “përkthimit” si term i hapur dhe domethënieve të tij në shoqëritë posttotalitare dhe ato të komunikimit masiv. Ç’domethënie ka koncepti “të përkthesh”? A shpreh ky koncept të njëjtën gjë kur kalon nga njëra shoqëri në tjetrën, nga njëra kulturë në tjetrën: çfarë mund të përkthejmë dhe ç’mbetet pa përkthyer në një komunikim brenda së njëjtës shoqëri dhe a mund t’i përkthejmë, për t’i bërë tonat, konceptet apo modelet e shoqërive të tjera? Përkthehet vetëm fjala apo tashmë gjithçka përkthehet dhe gjithçka është shndërruar në përkthim? Kanë qenë vetëm disa nga pikëpyetjet që ngrihen sot, që Tupja dhe Leka kanë shtruar në bashkëbisedimin e tyre.