Politikë Zgjedhja e Presidentit Marku: Pas Presidentit duhet rikonceptim i qeverisë

Marku: Pas Presidentit duhet rikonceptim i qeverisë

57
SHPËRNDAJE

Mazhoranca 

Zgjedhja e kreut të shtetit dhe ngelja e një vendi të rëndësishëm vakant në kabinetin “Berisha” dhe afrimi i zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme ka rritur zërat brenda Partisë Demokratike me nevojën për të bërë një riformatim total të kabinetit që qeveris vendin. Nevoja për të mos proceduar me mbushje të vakancave për postet ministrore, por për të bërë një ndryshim rrënjësor të njerëzve që qeverisin vendin në kuadër të faktit se pas një viti në vend do të mbahen zgjedhjet e reja, u artikulua dje nga deputeti i PD-së, Mark Marku. Në një intervistë të dhënë për “Ora News”, deputeti demokrat i Qarkut të Lezhës, e përcakton verën e këtij viti si kohën ideale për të bërë ndryshime në kabinetin qeveritar, duke renditur dhe argumentet për këtë kërkesë bërë Berishës. Madje, ai shton si arsye për këto ndryshime dhe krizën ekonomike botërore, e cila ka paralizuar dhe vende fqinje me Shqipërinë. “Në momentin që Presidenti i ri i vendit u zgjodh sipas një mënyre normale dhe kushtetuese, një lëvizje është e detyrueshme në kabinet, pasi do të zëvendësohet një ministër. Por unë mendoj se lëvizjet duhet të jenë më tepër si reflektim i asaj çfarë është arritur në mënyrë të suksesshme në këto vite, por edhe i asaj çfarë pritet të arrihet. Duhet një analizë dhe një bilanc dhe në këto momente mendoj se një rikonceptim do të ishte shumë produktiv dhe për të djathtën dhe për përmirësimin e qeverisjes, por dhe për vetë Shqipërinë”, theksoi Marku duke lënë të kuptohej se kjo ishte koha e duhur për të bërë ndryshime.

F.M