Pano Taçi, disident dhe bohem i plotë

Aleksandër Çipa

Pano Taci

“Poeti Pano Taçi vdiq dje pas mesnate nga një sëmundje e rëndë. Ndodhet i vetëm në morg…” Këtë mesazh mora si të vetmin lajm pas kaq kohësh mostakim me më të ëmblin e mbetur në atë moshë nga poezia e sotme shqipe. Ishte djali i poetit Xhavahir Spahiu, mjeku që e kishte mbajtur gjatë frymën e tij në muajin e fundit, Orgesi. Dhe unë hidhërimin e ndava me dy krijesa të tjera poetësh, Arianita Petro Markon dhe Eva Jorgo Bllacin. Më pas, mesazhin disa mediave dhe një kryebashkiakut të Tiranës.

Poeti më besnik i dashurisë, edhe pse në moshën madhore të mbi 80-ave, më në fund ia kishte dalë ta fitonte biletën për në “qimiterë”. Tamam si në prolog, të thënë prej poezisë së tij. Iku për të mos u kthyer më “tek ai vend që u bë harrim”. Poeti iku, pasi realizoi lodhjen e pafund për gjithçka, përfshirë vetë lodhjen. E mpaku rininë e përvuajtur të tij, duke e shndërruar në një lodhje të gjatë burgimi. E lodhi vetë burgun, me burgimin e tij. I qëndroi, si një zgalem i vërtetë, duke e pasur disidencën natyralitet dhe frymë ekzistence. Kjo e vërtetë ka mbetur e pazbardhur. Nuk ka vend e s’ka pasur gjatë këtyre 22 vjetëve për këtë zbardhje, sepse një tjetër propagandë rivalizon të përmbysurën. Poeti u frymor me dashurinë, duke i shtuar lirikës dhe sidomos lirikës sociale shqiptare dhjetëra të tjera poezi të mbetshme. Dhe udhëtoi nëpër ditët e mospërputhjes së thellë të pleqërisë fizike të tij dhe shpirtit dashuronjës. Një mospërputhje e thellë dhe e bukurishme: “I lodha e më lodhën netët pa darkë./Më lodhën e i lodha trotuaret gjithkund./Ku jam ulur si një deng leckash pa markë./Dhe fjala m’u lodh në të plasurën buzë,/Dhe buza m’u lodh nga fjala që s’u dëgjua./Tani buza m’u hiros si vatër pa shpuzë,/Në shpellat e gjoksit Murg fjala m’u ngujua./Kjo botë e lodhur për në ç’botë na shtegton,/Tek lodhim ç’na lodh çdo gjë që na rrethon…”

Antologjiku Pano ra e fjeti pa zhurmë. Nuk ia kërkoi askujt shpenzimin mortal, ndërkohë që shpërblimin për burgun që e lodhi e pranoi me këste, por këstet nuk i ndoqi kurrë pas.

Pano Taçi iku, duke e lënë komunitetin dhe mbretërinë anarkike të kulturës në sfidën e indiferencës së tij. Dekadat e disidencës së vet nuk i përdori. I la tek ai vend që për të “u bë harrim”. Aq i bëri nëse dikush ia di dhe nëse dikush ia përdor. Ai nën vetullat e veta të trasha dhe në mirësinë e pashoqe të miqve të vet romë, frymë mori, sidomos vitet e fundit, si specie e rrallë e artistit bohem. Rebelimi i tij konvertohej në bukuri fjale dhe poetizmi. I parënë në sy, por me sy zotërues në gjithë arealin e së gjallës shqiptare. Mbishquante popullin dhe kombin e vet, të cilin e donte përmes dhembshurisë dhe kritikës.” Mos ma shani popullin që i bje gjoksit,/Kujdes, se me kallash t’ju qëllojë s’përton,/Paçka se nga qulli u dogj e i fryn kosit,/Ai prapëseprapë për rrenacakët voton.”

Pano Taçi ishte një Pan që e lodhi edhe ecjen, edhe qëndrimin në këmbë. Vetëm poezinë nuk e lodhi dhe ajo nuk u lodh prej saj. Ishin të dy për njeri-tjetrin, përkim ideal. Por Pano, vetëm me vdekjen nuk e deshi lodhjen. Iku befas dhe duke mos i thënë njeriu, madje asnjërit prej miqve te kafja e zakonshme e tij, atje ku poetët gjejnë strehë të përhershme “Europa”. Nga “fjala për këtë marrëveshje” e nxori vetëm djali i poetit, doktor. Vendimin e kishte paramarrë me poezi: “Do iki nuk kam më se ç’pres,/Për ç’heq e vuaj them të vdes”. Bohemi i plotë iku, duke pasuar disidentin e plotë dikur, në kohën dhe vendin që për të tashmë janë harrim.

 

Autor te 14 Qershor 2012. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry