Shëndetësia, lëvizje në rang drejtorish

Zëvendësime në institucione në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë

Lorina Mixha

Pas pushimeve të verës dhe nisjes normale të punës në administratë, në sektorin e shëndetësisë do të shënohen ndryshime. Konkretisht në disa prej institucioneve në varësi të ministrisë do të ketë lëvizje drejtuesish. Bëhet fjalë për krerë të cilët drejtojnë institucione në varësi të dikasterit të shëndetësisë.

Institucionet më të njohura, për të cilët po diskutohen lëvizjet, janë institutet apo qendrat të cilat kanë struktura të konsoliduara, organigrama me disa drejtori dhe sektorë me shefa dhe specialistë.

Ndërsa diskutimi për lëvizjet aktualisht po bëhet në rangje të larta, pritet që zyrtarizimi i emrave që do të largohen dhe më pas do të zëvendësohen, të bëhet publik brenda dy muajve.

Drejtoritë më të përfolura për ndryshime janë: qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, si dhe Instituti i Shëndetit Publik.

Emrat e drejtuesve që do të zëvendësohen ende nuk bëhen publikë, pasi diskutimet për largimet dhe emërimet e reja janë në fazë diskutimi. Lëvizjet e reja bëhen në kuadër të zbatimit të marrëveshjes mes Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe mazhorancës.

Në fund të muajit janar, në kuadër të marrëveshjes mes PDIU-së dhe qeverisë u bë një tjetër emërim në një nga institutet më të rëndësishme në vend. Në krye të Institutit të Sigurimeve Shoqërore u emërua një drejtore e re. Kështu, në vend të ish-drejtoreshës Evelina Koldashi do të jetë Vjollca Braho. Kreu aktual i ISSH-së ka ushtruar profesionin e ekonomistes për një periudhë të gjatë kohore pranë
Albtelekom”. Braho ka qenë anëtare e kryesisë në Forumin e Gruas pranë Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU.

Ndërkaq, sipas Departamentit të Administratës Publike nuk rezulton asnjë vend vakant në Ministrinë e Shëndetësisë. Struktura e këtij dikasteri është e plotë dhe të gjithë specialistët, drejtuesit që kërkoheshin më parë në disa sektorë, tanimë janë sistemuar dhe numri i personelit është plotësuar tërësisht.

Sakaq, dorëheqjet, largimet dhe emërimet në masë në Ministrinë e Shëndetësisë u shënuan menjëherë pas ndryshimit të ministrave. Kabineti i ish-ministres Anila Godo, postet politike u zëvendësuan menjëherë pas lënies së detyrës së saj. Veç ministrisë, emërime të reja u shënuan edhe në institucionet kryesore, të cilat janë nën varësinë e dikasterit të shëndetësisë. Zëvendësime u bënë edhe në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.

 

Lëvizjet - Në shëndetësi, pritet të zyrtarizohen brenda dy muajve. Emërimet që do të bëhen janë në fazë diskutimi dhe pritet të mbyllen shumë shpejt

Diskutimi - Për largime dhe emërime të reja në shëndetësi kanë nisur një muaj më parë, por sektorët ku do të bëhen lëvizjet nuk janë bërë publikë

Autor te 15 Qershor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry