Përplasja
Pas patates, radha i vjen çimentos. Reagon biznesi
Jemi një komb, një flamur, një gjuhë dhe një gjak, por kur vjen puna te paratë, puna ndryshon, dhe shumë madje. Prej dy vitesh, bizneset kosovare dhe shqiptare janë në konflikt me njëra-tjetrën për shkak të taksave që aplikojnë qeveritë përkatëse. Të parët ishin autoritetet kosovare që ankoheshin për taksat e vendosura nga dogana shqiptare për një sërë produktesh bujqësore, kryesisht patatja. Çmimet referencë të aplikuara nga autoritetet tona pengonin biznesin kosovar të eksportonin mall drejt Shqipërisë. Ministritë e Financave të të dyja vendeve kanë ndërhyrë disa herë për zgjidhjen e konfliktit, por pas një qetësie të momentit, sërish taksat kanë shërbyer për ndezje debatesh të forta, madje duke mos munguar as akuzat drejt shtetit tonë, si diskriminues ndaj Kosovës. Kjo e fundit tashmë po hakmerret, pikërisht me produktin shqiptar, çimenton, duke i vendosur një taksë që shkon 35 për qind mbi vlerën. Kaq ka mjaftuar që dje, krerët e Dhomave të Tregtisë, Tiranë-Prishtinë të dalin me deklarata të përbashkëta, duke shprehur indinjatën për situatën e krijuar. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka dalë së fundmi me një vendim, ku importi i çimentos do të taksohet në doganë në masën 35 për qind. “Ne mbetemi të hapur që secili shtet të favorizojë prodhuesin e tij, por shqetësimi i ngritur pranë Dhomës sonë nga sipërmarrësit shqiptarë dhe ata të Kosovës është problematik, pasi një taksë e tillë doganore do të çorientonte tregun duke e zhbalancuar atë. Importi kryesor i çimentos në Kosovën bëhet nga vendi ynë dhe konkretisht nga fabrika e çimentos në Fushë-Krujë. Një tarifë e tillë do të bënte që ky raport të prishej dhe të rrezikonte seriozisht këtë treg, në një kohë kur po flasim për një treg të unifikuar”, deklaroi dje Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tiranës. Nga statistikat zyrtare, më shumë se 40% e tregut të Kosovës mbulohet nga importi që bëhet me Shqipërinë. Për vitin 2011 nga Fushë-Kruja janë importuar 175 mijë tonë çimento, ku e përkthyer në vlerë financiare kap një xhiro prej 12 milionë eurosh. Ndërsa në 6-mujorin e këtij viti është importuar drejt Kosovës rreth 135 mijë tonë çimento me një vlerë financiare rreth 10 milionë euro. “E gjithë kjo infrastrukturë e ngritur prej vitesh, por që ka marrë zhvillim të madh me ndërtimin e autostradës është një proces zinxhir që mban në këmbë rreth 200 kompani të Kosovës me më shumë se 1000 të punësuar, e po ashtu në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, me më shumë se 500 të punësuar”, shprehen drejtues të Odës së Kosovës. Ata shtojnë se, “një vendim me një taksë të tillë penalizuese dhe të çuditshme do të sillte një problem të madh dhe në dimensionin social”. Jaka thotë gjithashtu se, pavarësisht se sipas vendimit të Ministrisë së Tregtisë tarifat në importin e çimentos vendosen për të gjitha vendet, kjo e dëmton Shqipërinë, e cila është dominuese në tregun e Kosovës.
A.K.
Vendimi
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka dalë së fundmi me një vendim, ku importi i çimentos do të taksohet në masën 35%