Ka zgjatur mandati i Presidentit Ramiz Alia, i cili u zgjodh si President më 30 prill të vitit 1991. Një vit më pas, pikërisht më 3 prill të vitit 1992, ai dha dorëheqjen pas fitores së PD-së
Presidenti Sali Berisha është zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës dy herë. Por mandatin e dytë, zoti Berisha nuk e përfundoi, pasi dha dorëheqje 4 muaj pas zgjedhjes së dytë
Ka qenë numri i krerëve të shteteve që kanë përfunduar të plotë mandatet e presidentit. Përkatësisht: Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi përfunduan detyrën në datën e përcaktuar
Ylli Pata
Vetëm Ramiz Alia dhe Sali Berisha nuk kanë marrë dhe dorëzuar detyrën e Presidentit të Republikës me ceremoni zyrtare. Kjo jo vetëm se nuk ka qenë i miratuar VKM-ja për ceremonialin e shtetit, por rrethanat e kohëve kur janë zhvilluar ngjarjet, s’kanë qenë të përshtatshme për një dorëzim të butë të detyrës më të lartë të Republikës. Ndërkohë, tre presidentët e tjerë: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, kanë kryer ceremonitë zyrtare. Meidani, në fakt, vetëm dorëzimin e ka bërë me ceremoni të posaçme.
Ramiz Alia
Është zgjedhur President i Republikës më 20 prill të vitit 1991 pasi Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit miratoi ligjin për “Dispozitat kryesore kushtetuese”, ku përcaktohej se presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Në ligjin themeltar theksohej se presidenti duhet të zgjidhet me dy të tretat e Parlamentit. Alia nuk e mori postin me ceremoni, pasi faktikisht ia merrte vetes së tij, i cili deri në atë moment ishte kryetar i Këshillit Presidencial, një organ që funksiononte me dekret të ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku kryetar ishte po Ramiz Alia. Pas një viti, Alia dha dorëheqjen pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit. Nuk pati ceremoni.
Sali Berisha
Parlamenti i dominuar nga Partia Demokratike që fitoi 60% të zgjedhjeve zgjodhi më 9 prill të vitit 1992, kreun e PD-së, Sali Berisha si President të ri të Republikës. Mandati i parë i Berishës përfundoi në pranverën e vitit 1997, kur Shqipëria ishte përfshirë në revoltat popullore, për shkak të humbjes së parave në firmat piramidale. Revoltat u shoqëruan dhe me rënien e shtetit dhe kaosin në të gjithë Shqipërinë. Më 3 shkurt të vitit 1997, Sali Berisha u zgjodh nga Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 26 majit 1996 për një mandat të dytë si kreu i shtetit. Më 28 qershor të vitit 1997 u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Partia Socialiste fitoi shumicën absolute të vendeve në Kuvend. Një ditë para konstituimit të Parlamentit të ri, Sali Berisha dha dorëheqjen nga posti i presidentit. Nuk u zhvillua ceremonia e dorëzimit të detyrës, ndërsa iu rikthye detyrës së shefit të opozitës.
Rexhep Meidani
Më 24 korrik të vitit 1997, Parlamenti zgjodhi në postin e Presidentit të Republikës, sekretarin e përgjithshëm të Partisë Socialiste, Rexhep Meidani. Pas betimit në Parlament, kreu i ri i shtetit ka nxituar në zyrën e tij, për të mandatar Kryeministrin e ri, në mënyrë që të mbushej sa më shpejt vakumi i pushtetit, në vendin e zhytur në kaos. Nuk u zhvillua ceremonia e marrjes së pushtetit, por tradita ka nisur me mbylljen e mandatit të tij presidencial.
Alfred Moisiu
Gjenerali Alfred Moisiu, i propozuar pas konsensusit të arritur ndërmjet PD-së dhe PS-së, u zgjodh në postin e kreut të shtetit, më 24 qershor 2002. Më 24 korrik të vitit 2002, Alfred Moisiu ka bërë betimin në Parlament. Zoti Moisiu hapi dhe traditën e ceremonisë së dorëzimit të posteve me një event madhështor në Pallatin e Brigadave, ku u betua sërish me dorën mbi Kushtetutë.
Bamir Topi
Pesë vjet më pas, më 20 korrik të vitit 2007, Parlamenti zgjodhi nënkryetarin e PD-së, Bamir Topi, si President të Republikës. Tri ditë më pas, kryetari i ri i shtetit bëri betimin në Parlament dhe zhvilloi ceremoninë e marrjes dhe dorëzimit të postit në Pallatin e Brigadave.
Berisha
U zgjodh President në mandatin e parë më 9 prill 1992. Mandatin e dytë e ka marrë më 3 shkurt të vitit 1997
Meidani
Është zgjedhur nga Parlamenti më 24 korrik 1997 dhe e ka dorëzuar detyrën fiks 5 vite më pas, në vitin 2002
Moisiu
Është zgjedhur nga Parlamenti më 24 qershor 2002, por betimin e ka bërë një muaj më pas, kur inauguroi ceremonialin
Topi
Është zgjedhur si President më datën 20 korrik të vitit 2007, ndërsa betimin e ka bërë katër ditë më pas