Dy fëmijët e Kryeministrit, Argita dhe Shkëlzen Berisha, kërkuan nëpërmjet avokatit të tyre që deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, t’i dëmshpërblejë në masën 8 milionë lekë të reja për dëmin moral që u ka bërë me deklaratat për korrupsion. Deputeti Tahiri theksoi se ka prova për thëniet e tij. “Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them të njëjtën gjë pa u tërhequr aspak nga deklaratat e mia. Kam këtu një fakt, bazuar vetëm në deklaratat e pasurisë së fëmijëve të Kryeministrit. Shkëlzen Berisha në vitin 2006 ka pasur pasuri vetëm 9 milionë lekë të vjetra, në vitin 2011, 630 milionë lekë të vjetra. Argita Berisha ka deklaruar pasuri në vitin 2006, 886 milionë lekë të vjetra, në vitin 2011, 1 miliard e 820 lekë të vjetra. Pra ky kapërcim fantastik pasurie i pajustifikuar vetëm se Argita punon në zyrë avokatie dhe Shkëlzeni si sekser tokash, mua nuk më bind”, deklaroi Tahiri për mediat. Ai kërkoi kohë për konkluzionet përfundimtare.