Denoncimi
Familja e ish-diktatorit kallëzon ngjarjen në prokurori si “dhunim varresh”
Kemi regjistruar kallëzimin penal të familjes Hoxha për prishjen e varrit të Enver Hoxhës
Familja Hoxha denoncon në Prokurorinë e Tiranës prishjen e varrit të ish-diktatorit. Persona të paidentifikuar kanë prishur pjesën e sipërme të qivurit, duke e thyer me mjete të forta. Për pasojë, mermeri është dëmtuar, ndërsa është thyer edhe fotografia. Burime nga akuza e kryeqytetit pohojnë për gazetën se dje në mesditë ka mbërritur materiali kallëzues nga familja Hoxha dhe policia, të cilat kanë konstatuar se varri i Enver Hoxhës ka pësuar dëmtime që nuk janë shkaktuar si pasojë e shkaqeve natyrore. Kallëzimi është bërë me akuzën e “dhunimit të varreve”, dhe sipas procedurave, prokuroria do të verifikojë më parë kallëzimin dhe më pas do të fillojë të kryejë veprimet hetimore.
“Kemi regjistruar kallëzimin penal të familjes Hoxha për prishjen e varrit të Enver Hoxhës. Hetimet do të fokusohen me akuzën e ‘dhunimit të varreve’. Fillimisht do të verifikojmë kallëzimin dhe më pas do marrim në pyetje kallëzuesit”, pohojnë burimet zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, të cilat pohojnë se në fokusin e hetimeve do të jenë edhe rojet e varrezës së Sharrës, në periferi të kryeqytetit. Këta persona do të thirren në cilësinë e personave që kanë dijeni për faktin.
Akuza pohon se ngjarja mund të jetë përsëritëse, pasi edhe më parë familja Hoxha ka denoncuar ngjarje të tilla në polici dhe prokurori. Megjithatë, në asnjë rast nuk janë gjetur autorët e prishjes së varrit, duke menduar se të gjitha ngjarjet mund të jenë nga të njëjtët autorë.
Eshtrat e Enver Hoxhës prehen aktualisht në varrezat publike të Sharrës, pasi u zhvarrosën nga “Dëshmorët e Kombit”. Megjithëse kanë kaluar mbi dy dekada nga rënia e komunizmit, ditën e lindjes (16 tetor) dhe ditën e vdekjes së Enver Hoxhës (11 prill) në varrin e tij në Sharrë zhvillohen homazhe, në të cilat marrin pjesë disa qytetarë si dhe pjesëtarë të familjes Hoxha. s.ç
Dosja
Biografia e Hoxhës, hetime për ditarin
Prokuroria e Tiranës konfirmon se ka nën hetim dosjen për publikimin e biografisë së Enver Hoxhës. Materialet “private” të ish-diktatorit Enver Hoxha dyshohet se nuk janë dorëzuar asnjëherë në Arkivin e Shtetit shqiptar. Prokuroria, e cila është në fazën e verifikimeve për padinë e ngritur nga Iliri, djali i Enver Hoxhës, ka kryer verifikime të imtësishme në Arkivin e Shtetit dhe nuk ka gjetur ndonjë provë që dokumentet apo regjistrimet filmike të Enver Hoxhës të jenë dorëzuar ndonjëherë aty.