Prezantohet sekretariati i përkohshëm. AK e gatshme të përballet në zgjedhjet e ardhshme


E lindur si një lëvizje qytetare rreth një vit më parë, sot Aleanca Kuq e Zi është e gatshme për t’u përballur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Në një atmosferë krejtësisht kuqezi, pas një marshimi nga sheshi “Skënderbej” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nisi punimet kongresi i parë i Aleancës Kuq e Zi, i cili u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kongreseve.


“Aleanca Kuq e Zi vjen sot për herë të parë, si një alternativë qeverisëse, më e mira, më profesionalja, me forcën e duhur për të thyer themelet e partive tradicionale, të cilat nuk duan t’u përmendim as emrin dhe që koha tashmë u ka perënduar”, tha Spahiu, në fjalën përshëndetëse.


Duke bërë një rezyme të situatës aktuale në Shqipëri, kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu tha se AK-ja vjen për të ribërë atdheun. “Ne vijmë si një agim kuq e zi, për të ribërë Atdheun, atje ku filloi shpërbërja, te himni, i cili largoi nga lufta njeriun tradhëtor, që çdokush e njeh tashmë, e më pas krejt ndryshe për ju që jeni krenarë me qenë shqiptarë, në ato vargje të himnit fatkeqësisht të munguara: ‘Se Zoti vetë e tha me gojë, se kombe shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të për të jetojmë ne'”, tha Spahiu. Më tej në fjalën e tij, ai theksoi se në 100 vjetorin e Pavarësisë këtij kombi ju cënua integriteti territorial, identiteti kombëtarë dhe rendi kushtetues, për këtë nuk duhet të fajësojmë fqinjët, por qeverinë e cila është jo shqiptare por tradhtare.


Gjatë kongresit u prezantua sekretariati i përkohshëm, ku spikatën emrat e: Myslym Pashaj, Lisien Bashkurti, Ago Nesho, Aldo Shala, Rezear Balla, etj. Këshilli Kombëtar i Përhershëm, kryesia dhe nënkryetari do të zgjidhen në një kohë të mëvonshme, ndërkohë që për postin e kryetarit është vetëm kandidatura e Kreshnik Spahiut.


16 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)