Provimi i matematikës, ja çfarë përmban teza

Ekspertët, kandidatëve: Respektoni rregulloren për të mos u ndëshkuar

Shpresa Mezini

Rreth 49 mijë maturantë do të testohen sot për njohuritë që zotërojnë në fushat e shkencave ekzakte, veçanërisht në matematikë. Testimi do të zhvillohet në orën 10.00 në të gjitha shkollat e mesme dhe në auditorë, ndërsa do të përfundojë në orën 12.30. Zyrtarisht sqarohet se për këtë provim hartuesit kanë përgatitur një tezë që përmban 25 pyetje, ku një pjesë është me zhvillim, ndërsa tjetra me alternativa. Mësohet se hartuesit e testeve janë ngujuar në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Nxënësve disa ditë më parë, ndërsa do të dalin prej tyre sot, pasi të jenë shpërndarë të gjitha materialet në shkolla dhe auditorë. Vlerësimi për provimin e dytë të detyruar të Maturës Shtetërore është 50 pikë, ndërkohë që sqarohet se asnjë pyetje nuk do të jetë jashtë programeve orientuese. Edhe në këtë testim, maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që t’u përmbahen rregullores së hartuar mbi kushtet e dhënies së provimit, në mënyrë që të mos penalizohen me mosnjohje të rezultatit. Për t’u futur në ambientet ku do të zhvillohet provimi, maturantët duhet të kenë detyrimisht me vete dokumentin e identifikimit, në të kundërt nuk do të lejohen të marrin pjesë në të. Rregullorja e maturës saktëson se maturanti që përjashtohet nga provimi për shkelje kur merr ose jep kopje, humbet këtë provim dhe të drejtën për të marrë pjesë në testimet pasardhëse për sesionin e këtij viti. Procesi i hartimit të tezave është realizuar në fshehtësi, në mënyrë që të mos zbulohej kombinimi i pyetjeve që kanë përgatitur hartuesit e testit të matematikës, procedura të njëjta edhe me provimin e parë të detyruar, atë të letërsisë. Sivjet, njësoj si vitin e kaluar, skema e vlerësimit do të jetë e ngjashme, e ndarë në disa faza. Ministria e Arsimit ka vendosur që korrigjimi i tyre të bëhet nga specialistët e përzgjedhur prej Drejtorisë Arsimore. Sipas përfaqësuesve të këtij institucioni, ky vendim është marrë në mënyrë që të mos ketë keqinterpretime për mënyrën se si do të vlerësohen maturantët. Fakti që këtë vit vlerësuesit do të jenë të jashtëm shmang mundësitë për abuzimet që mund të bëheshin nga mësuesit e brendshëm. Çdo provim do t’i nënshtrohet dy vlerësimeve. Kjo do të thotë që secila tezë do të korrigjohet nga 2 specialistë, të cilët janë të kualifikuar në këtë fushë. I pari do të vlerësojë me kujdes testin, duke mos pasur të drejtën për të vendosur notë. Ai do të bëjë shënime te të gjitha ato përgjigje që konstaton gabime apo parregullsi. Specialisti i dytë do të bëjë rivlerësimin e tezës, duke bërë shënime me një ngjyrë tjetër të dallueshme nga e para. Kjo do të thotë që procesi i korrigjimit do të kalojë në dy “faza”, pra do të kemi një vlerësim të dyfishtë. E megjithatë, sipas ekspertëve të arsimit nuk do të përjashtohen edhe rastet e një vlerësimi të tretë, që do të bëhet nga një specialist edhe më i kualifikuar. Kur midis dy vlerësuesve do të konstatohen ndryshime në pikë për të njëjtat kërkesa, e drejta për vlerësimin përfundimtar do të kalojë në një tjetër “fazë”. Kjo do t’i takojë kryetarit të korrigjuesve të lëndës, i cili do të përcaktojë një vlerësues të tretë. Ky i fundit, pasi ta ketë shqyrtuar edhe njëherë tezën për të verifikuar korrigjimet e mëparshme, do të bëjë vlerësimin përfundimtar. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion 7 ditë për të gjithë maturantët që do të kenë ankesa për notën me të cilën janë vlerësuar.

 

Orari - Testimi do të zhvillohet në orën 10.00 në të gjitha shkollat e mesme dhe në auditorë, ndërsa do të përfundojë në orën 12.30.

Ankesat - Ministria ka vënë në dispozicion 7 ditë për të gjithë maturantët që do të kenë ankesa për notën me të cilën janë vlerësuar

Teza - Sipas hartuesve të testit, ai përmban 25 pyetje, ku një pjesë është me zhvillim, ndërsa tjetra me alternativa

Autor te 16 Qershor 2012. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry