Një autobus me rreth 30 aktivistë të Aleancës Kuq e Zi, ka dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi 7-8 metra, në Qafën e Kërrabës, në aksin kombëtar Tiranë- Elbasan.
Ngjarja rrugore ka ndodhur rreth orës 16:40, në vendin e njohur si “Qershitë”, rreth 3 km larg qytetit të Elbasanit.
Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ka bllokuar aksin rrugor dhe ka nisur operacionin për transportimin e të lënduarve.
Konfirmohet zyrtarisht se janë lënduar 22 pasagjerë, ndërkohë që vetëm 7 prej tyre janë në gjendje disi më të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Të plagosurit janë dërguar në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, ku po marrin edhe ndihmën e duhur mjekësore.
Mësohet se gjendja shëndetësore e pjesës më të madhe të të lënduarve është e mirë, dhe pas disa orësh do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre. Pas marrjes së njoftimit, janë angazhuar të gjitha autoambulancat e spitalit rajonal të Elbasanit, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë ka dërguar një helikopter, për të qenë në dispozicion të spitalit të Elbasanit, në rast se do të nevojitej transportimi i të plagosurve drejt spitalit ushtarak në Tiranë.
Shkaqet e aksidentit
Paraprakisht mësohet se autobusi me targa LB 31 56 A, i drejtuar nga shtetasi Mitat Biçaku, kthehej nga Tirana për në Librazhd. Autobusi transportonte delegatë të Kongresit të parë të Aleancës Kuq e Zi.
Dëshmitarë të aksidentit, kanë treguar se një mjet tip Land Rover, me targa të Tiranës, i ka prerë rrugën autobusit, i cili në tentativë për të shmangur përplasjen ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë. Megjithatë do të jenë hetimet e mëtejshme që do të bëjnë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes rrugore, që fatmirësisht është mbyllur pa viktima.
16 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)