Kush është lideri i radikalëve grekë që pretendon të fitojë zgjedhjet e 17 qershorit
Robert Goro
“Një javë para zgjedhjeve, një fantazmë vërtitet mbi jetën politike greke, fantazma e një qeverie të së majtës”. Kjo deklaratë e Aleksis Tsipras, liderit të Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA) më 29 prill, kishte kaluar pa shumë vëmendje nga analistët vendas, që më shumë e kishin përmendur për shkak të perifrazimit të Marksit.
Mirëpo, mbrëmjen e 6 majit, në të vetmin kamp që pati festë, ishte te SYRIZA. Pavarësisht se nuk kishin arritur të realizonin synimin për qeveri të së majtës, kuotat e SYRIZA-s ishin katërfishuar në raport me zgjedhjet e tetorit 2009.
Pavarësisht se vetë SYRIZA e interpretoi rezultatin si një refuzim mbarëpopullor ndaj memorandumit që Greqia kishte nënshkruar me kreditorët e vet – duke shkaktuar varfërimin e një pjese të madhe të popullit grek – nuk ishte kjo arsyeja kryesore e rezultateve të ulëta që arritën Demokracia e Re (që në fakt doli fituese e zgjedhjeve me 18,8%) dhe PASOK-u (që pësoi një katastrofë të vërtetë, duke arritur rezultatin më të ulët që pas vitit 1974). Elektorati grek kishte vendosur më në fund të përjashtonte sistemin dypartiak që kishte qeverisur vendin për gati 40 vjet dhe që mbante përgjegjësinë kryesore për krizën në të cilën është futur vendi që prej tre vjetësh. Në kuotat tepër të larta të SYRIZA-s ndikoi në mënyrë decizive fakti se, siç u provua edhe nga anketimet e zgjedhësve, shumica e atyre që kishin votuar për PASOK-un në zgjedhjet e fundit, në tetor 2009, më 6 maj e hodhën votën pa hezitim për koalicionin e së majtës radikale dhe një pjesë e vogël, për të Majtën Demokratike të Fotis Kuvelis.
Shumë analistë u pajtuan në mendimin se zgjedhjet e 6 majit shënuan fundin e “Metapolitefsis”, periudha e demokratizimit të vendit pas përmbysjes së juntës së kolonelëve në vitin 1974.
Sigurisht, në kushtet e dekompozimit të plotë të sistemit politik dypartiak, dhe në kohën që aktorët e tjerë të skenës politike janë ose në kërkim të vetvetes, ose përsëritin në mënyrë monotone vetveten, SYRIZA ngjan, tani për tani, e vetmja parti që ka fituar shortin për të dominuar skenën e trazuar greke. Se sa do t’ia arrijë, kjo është një çështje që mbetet të shihet jo vetëm në zgjedhjet e 17 qershorit, por edhe më pas.
Po çfarë është SYRIZA dhe kush është lideri i saj, që brenda një nate u shndërrua në lojtarin kryesor të politikës greke dhe që mediat e huaja i kanë kushtuar ndoshta më shumë vëmendje se sa kujtdo lideri tjetër grek, në gjithë historinë e re të vendit?…
Koalicioni shumëngjyrësh që tashmë u bë parti
Që prej tri javësh, SYRIZA nuk është më koalicion forcash politike, por një parti e rregullt. Pas zgjedhjeve të 6 majit, SYRIZA paraqiti kërkesën për t’u regjistruar si parti, e jo më si koalicion, për shkak të bonusit prej 50 vendesh që merr partia fituese e zgjedhjeve. Në bazë të ligjit zgjedhor grek, bonusin e përfiton vetëm një parti, e jo një koalicion. Kjo ishte një nga lëvizjet kryesore në shërbim të shndërrimit të “fantazmës” në realitet.
Deri në ato momente, SYRIZA përbëhej nga 13 grupime të majta dhe të ekstremit të majtë: trockistë, marksistë, maoistë, ekologë, socialdemokratë.
Koalicioni u ka ofruar vazhdimisht mbështetje politike grupeve të anarkistëve të majtë që shpeshherë ishin iniciatorët dhe realizuesit e trazirave të mëdha në Athinë dhe qytete të tjera. Për këtë arsye u akuzua nga partitë e tjera si mbrojtës i anarkistëve, ndërsa nuk munguan edhe akuzat se mbrapa trazirave qëndronte vetë SYRIZA.
Në fakt, përbërja e SYRIZA-s, por edhe vetë e kaluara e liderit të vet, Aleksis Tsipras, ofrojnë terren për mbështetjen e hipotezave të tilla.
Tsipras, nga Gjenova, rrugës për në Maksimou…
Aleksis Tsipras, që ka gjasë të jetë rezidenti i ri i pallatit Maksimou (selia e Kryeministrit grek), ishte i pari kryetar partie greke që është lindur pas rrëzimit të juntës së kolonelëve. U lind në Athinë, më 28 korrik 1974 dhe që në moshë të njomë u aktivizua në radhët e rinisë së Partisë Komuniste (KNE). Ishte ndër liderët e lëvizjeve të fuqishme të nxënësve grekë të shkollave të mesme në fillim të viteve 1990, ndërsa e rriti aktivitetin e tij sindikalist gjatë vazhdimit të studimeve të larta për inxhinieri ndërtimi dhe më pas urbanistikë dhe rregullim territori në Athinë, kur ishte njëkohësisht edhe sekretar i seksionit të studentëve të rinisë së Koalicionit të së majtës dhe progresit (Unioni i të rinjve të majtë). Në 1999 u zgjodh sekretar i Këshillit Qendror të Rinisë, pozicion që e mbajti deri në 2003. Ishte ndër organizatorët e krijimit të Forumit Social Grek dhe pjesëmarrës në thuajse gjithë protestat ndërkombëtare (përfshirë edhe atë në Xhenova në 2001), kundër globalizmit.
Tsipras filloi të tërhiqte vëmendjen e opinionit pas zgjedhjeve lokale të 2006-s, kur kandidoi për kryetar bashkie i Athinës dhe arriti të merrte 10,5% të votave, duke u renditur i treti pas dy politikanëve shumë të njohur, Nikitas Kaklamanis (Demokracia e Re) dhe (Kostas Skandalidis (PASOK), ndërsa formacioni i tij siguroi katër vende në këshillin bashkiak.
Në 2008-n u zgjodh kryetar i SYRIZA-s, me 840 vota, duke pasur përballë Fotis Kuvelis, i cili mori vetëm 342 vota.
Në 2010 u nda përfundimisht nga “mentori” i tij politik Alekos Alavanos, që gjithashtu e kishte ndihmuar jashtëzakonisht djaloshin Tsipras që të ngjiste shkallët e hierarkisë partiake. Tsipras nuk e pranoi kërkesën e Alavanos që të ishte kandidat i SYRIZA-s në zgjedhjen për shefin e periferisë së Atikës.
Persona që e kanë njohur nga afër, që atëherë kur “ylli” i tij nuk kishte shkëlqimin e sotëm, thonë se Tsipras “është revolucionar i lindur”, i cili nisi të studionte Marksin, Leninin dhe Hegelin që në moshën 14 vjeç. Më tej, e karakterizojnë si një njeri që i jep hapësirë mendimit ndryshe, është i hapur ndaj kritikës dhe beson shumë në “lojën kolektive”.
Babai pa kurorë
Si shprehje e një karakteri të fortë që disponon Aleksis Tsipras, theksohet edhe fakti se me shoqen e vet të jetës është lidhur që në vitet e shkollës së mesme, një marrëdhënie që duket se mbetet vitale edhe pas më shumë se dy dekadash, tashmë që Tsipras do të bëhet baba për herë të dytë, disa ditë pas zgjedhjeve të 17 qershorit. Me shoqen e tij të jetës, inxhinieren elektrike Beti Baziana, nuk kanë vënë kurorë dhe as kanë kryer aktin e martesës, por vetëm kanë nënshkruar një kontratë bashkëjetese, duke vërtetuar edhe me vepra, përkushtimin e tij ndaj prishjes së tabuve të shoqërisë tradicionaliste greke.
Dy opsionet e mundshme dhe aspirata për të ardhmen
Shumë analistë grekë mendojnë se, me qëndrimin e shpallur për anulimin e memorandumit, Aleksis Tsipras ka rënë në një kurth që e krijoi vetë.
Në rast se i fiton zgjedhjet, duhet që:
1. Ose të avancojë në anulimin e memorandumit dhe të marrë gjithë përgjegjësinë për situatën që do të krijohet pas këtij veprimi (përderisa konsiderohet e sigurt se europianët nuk do ta lënë pa përgjigje sfidën e liderit të ri grek), ose:
2. Do ta lërë memorandumin në fuqi dhe do të kërkojë të negociojë (pa ndonjë siguri) mbi kushtet e tij (memorandumit), gjë që do të shkaktojë indinjatën e qytetarëve, të cilët në kushtet e varfërimit të mëtejshëm nuk do të ngurrojnë që t’ia faturojnë SYRIZA-s gjithë vështirësitë që do të pasojnë.
Megjithëse analistët insistojnë se nuk ka opsion të tretë, duket se ky opsion i tretë ka filluar tashmë të konturohet në kancelarinë e SYRIZA-s. Ditët e fundit, Tsipras po mban një qëndrim të dyfishtë, në varësi të auditorit të cilit i drejtohet. Një herë thotë se do të anulojë memorandumin, dhe pastaj deklaron se do të anulojë ligjet antipopullore që burojnë prej tij, duke theksuar se është e drejtë e pakontestueshme që një qeveri të shfuqizojë ligjet e brendshme. Por Tsipras e ka përmirësuar dukshëm retorikën dhe argumentimin e vet, teksa sqaron tashmë se do të anulojë vetëm ato masa që e shtyjnë popullin vazhdimisht në varfërim. Dhe gjithashtu pranon nevojën e respektimit të angazhimeve që lidhen me reduktimin e shpenzimeve buxhetore dhe përmirësimin e situatës fiskale, duke theksuar se është fjala për “detyrime institucionale” dhe “kryesisht, një nevojë kombëtare”.
Ndërkaq, sipas një vlerësimi që duhet marrë në konsideratë, SYRIZA nuk ka prioritet fitoren e zgjedhjeve (gjë që gjithsesi e synon). Por më shumë Aleksis Tsipras dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë u intereson konsolidimi i SYRIZA-si partia kryesore e opozitës, me vështrimin te zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato.
Në rast se SYRIZA i fiton zgjedhjet e 17 qershorit, nuk ka asnjë shans – të paktën kjo ka rezultuar deri më tani – që të qeverisë si një qeveri mazhoratiare njëpartiake, por do t’i duhet me çdo kusht të krijojë qeveri me pjesëmarrjen edhe të partive të tjera, më e mundshmja me Demokracinë e Re, PASOK-un dhe të Majtën Demokratike (DIMAR). (Kjo do të imponohet nga ajo që kanë pranuar gjithë partitë, se nuk mund të përsëritet impassi që pasoi zgjedhjet e 6 majit, kur mandati për formimin e qeverisë kaloi në disa palë duar, pa sukses). Performanca e një qeverie të tillë nuk parashihet tepër impresionuese, aq më tepër që kriza dhe recesioni, sipas të gjitha vlerësimeve, do të thellohen më tej. Në rastin e një bashkëqeverisjeje të tillë, SYRIZA do të mundohet të konsumohet sa më pak, madje nuk përjashtohet që të luajë edhe rolin e një opozite brenda qeverisë (siç bëri disa herë Demokracia e Re, kur ishte pjesë e qeverisë Papadimos).
