Prof. Dr. Hulusi Hako


Ndërsa jemi të përqendruar me meditime e manifestime rreth jubileut historik të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë kombëtare, ngjarje për të cilën kemi përse të jemi krenarë, po ca më shumë për të bërë edhe reflektime të thella; kur në ndërgjegjen popullore mbahet, si një “bukuroshe e përgjumur”, aspirata shekullore e bashkimit tonë kombëtar, në qiejt shqiptarë e më tej janë lëshuar edhe tullumbace me mbishkrimin: Kujdes, Ciklopi “Shqipëria e Madhe” po “na kanoset”! Si kundër ndonjë fantazme të tmerrshme i janë turrë sot idesë së “Shqipërisë së Madhe” nga Moska në Athinë, nga Beogradi nëpër Maqedoni e Cetinë! Kjo ide, që ka një histori të tërë nëpër këta dy shekujt e fundit, na vjen sot me një rezonancë më të amplifikuar, por tingëllon si një sajesë e shëmtuar, që stonon rëndë me frymën demokratike e humane të kohës, me rrjedhën dhe logjikën e hekurt të historisë dhe i kundërvihet asaj. Të ishim paksa viganë, katallanë, të kishim të bënim me një metaforë hiperbolike, ani, por ajo formulë tingëllon thjesht si një ironi therëse e tallëse. Me keqardhje konstatojmë se kemi të bëjmë ende me një gjeopolitikë bizantine e arkaike të fqinjëve tanë dhe disa qarqeve ndërkombëtare që u mbajnë ison e u krehin bishtin atyre, ku duket qartë se disa politikanë vazhdojnë të mbeten ende skllevër dhe vegla të interesave të ngushta, mbeten me pretendime e rivendikime ekspansioniste, apo, të paktën, me synimin të mbajnë në gadishull një status quo dhe stabilitet të rremë, të ngritur në dëm të njërit prej popujve më të vjetër të tij. Nuk mungojnë në këtë fushatë edhe elemente të një donkishotizmi modern. Të ketë, vallë, ndonjë grim të vërtetë në këtë thirrje alarmante të diplomacisë së huaj në adresë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve? “Shqipëria e Madhe” është sajesë e të huajve dhe mbetet krejt e huaj ndaj të vërtetave historike dhe të drejtave të shqiptarëve, e vënë në përdorim për të na mbyllur gojën. Po që në një frazë të vogël të përmbysësh një realitet të madh e me tre fjalë të thuash katër të pavërteta, këtë mund ta bëjë sot një diplomaci e paprinciptë, e paskrupull, iracionale e groteske. Dhe konkretisht:


Së pari, “Shqipëria e Madhe”, një shprehje hiperbolike, është shpikje e sajuar djallëzisht për të mbytur një proces të natyrshëm të shtetit-komb të shqiptarëve, si dhe për të justifikuar e kamufluar një tendencë të tërë të pandërprerë ekspansioniste të lakmive shoviniste dhe kthimit të trojeve shqiptare në pjesëza koloniale të copëtuara prej fqinjëve tanë. Historia i ka bukur të dokumentuara këto lakmi e synime në vepra të shkruara e diversione agjenturore, në pakte, traktate, marrëveshje, ultimatume diplomatike e agresione të hapura, deri në pretendimet që s’pushojnë edhe sot e kësaj dite. Dokumenteve të njohura famëkeqe të Naçertanies serbo-sllave e Megali-idhesë greke, Memorandumit të Akademisë së Shkencave e Arteve të Beogradit (1986) etj., po rendisim këtu, për freskim, edhe trajtesën “Konflikti ballkanik dhe Shqipëria” të nobelistit serb Ivo Andriç, hartuar në rolin e politikanit e diplomatit të vendit të vet, ku dalin me bri orekset, lakmitë dhe gjenocidi ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, ku viset shqiptare emërtohen si “territore turke”, çdo bërthamë shtetërore i duket “shtet mysliman” dhe tërë synimet e njohura agresive i quan si “të drejta serbe”, i ngre e bazon mbi “ndarjen e interesave të interesit me Greqinë”, në “Paktin e Londrës” (26 prill 1915) etj., dhe përfundon te “Çështja lidhur me transferimin e shqiptarëve myslimanë në Turqi, si një përmbushje dëshire më të kollajtë, sepse do të mungonin forcat që do të shërbenin për ta ndaluar këtë gjë“. Shkurt, historia e frazës “Shqipëri e Madhe” është përrallë e pretekstit ironik për synimet e mbytjes së Shqipërisë si të tillë me vepra!


Së dyti, e ashtuquajtura “Shqipëri e Madhe”, edhe në shtrirjen e saj maksimale, me kthimin e tërë hakut tek i zoti, në bashkimin territorial të trojeve etnike të shqiptarëve, pa pretenduar as një pëllëmbë të fqinjëve, nuk do t’i kalonte përmasat njerëzore e sipërfaqësore të shtet-kombeve të zakonshëm ballkanikë; vetëm do të na afirmonte si të barabartë midis të barabartëve.


Të thuash se “edhe Kosova është Shqipëri”, si një ish-vilajet i administratës pushtuese turke me kryeqendër Shkupin; se Manastiri është vatra e alfabetit të gjuhës shqipe dhe qendër e një vilajeti shqiptarësh; se Çamëria dhe vise të tjera shqiptare, zona etnike të ish-vilajetit të Janinës nën Greqi, janë pjesë e pashallëkut shqiptar të Ali Pashës; se Ulqini, Tivari, Kraja, Plava, Gucia etj., i përkasin etnikisht Shqipërisë, është të afirmosh vetëm Shqipërinë reale, etnike, natyrale, as të vogël, as të madhe. Por ky nocion i sajuar për Shqipërinë, për asociim të ideve, na shtyn vetëm të kujtojmë Bashkimin e Madh Sovjetik, të cilin, sipas fjalëve të ish-himnit të vet “e kaliti për shekuj Rusia e Madhe”, po nuk e gëzoi dot; na kujton dhe sloganin e “Bashkim-vëllazërimit” virtual të Federatës Jugosllave, si një eufemizëm e asaj “Shpartallim-gjakosjeje” që përjetuam realisht! Ato dy tabela fiktive, më tej, na sjellin në mendje edhe besëtytninë shqiptare, sipas së cilës “kolla e keqe” është përkëdhelur, duke u quajtur “kollë e mirë”!


Së treti, askush nuk ka pse të bëjë zhurmë për ndonjë “kujdes” nga shqiptarët si komb, sepse ky popull ka qenë sistematikisht viktimë e i viktimizuar, i kërcënuar e i rrezikuar, ndaj koha sot ka nxjerrë në rend të ditës “kujdesin real” që duhet të ushtrojnë gjeopolitikat ndaj një kombi të gjakosur rëndë nëpër shekuj, të masakruar mizorisht, të coptuar e të nëpërkëmbur në të drejtat më themelore njerëzore e kombëtare, përkujdesje ndaj një populli të rrudhur skajshmërisht nëpër territoret e veta. Imagjinoni se me ç’mend Moska ngre zërin sikur “Shqipëria e Madhe përbën një rrezik për Europën juglindore”, kurse edhe një Abetare Shqipëri-Kosovë, që u promovua në Prizren (maj 2012), Beogradi e stigmatizoi si “Një hap drejt ‘Shqipërisë së Madhe’, … një ide që pretendon territorin serb” etj. Pra nga “kujdesi që bëhet e duhet bërë sot për prosperitetin e një kombi”, dalin e na thonë “kujdes prej tij”! Kemi të bëjmë me një shtrembërim flagrant të fateve dhe sjelljes kolektive të një populli, shprehje të ironisë therëse ndaj një historie tragjike. Gogoli për të bërë kujdes prej kanosjeve virtuale të kombit shqiptar, thënë shkurt, është preteksti për të paralizuar kujdesin demokratik e human ndaj tij, për të zbehur edhe borxhin e madh që na ka, sidomos Europa plakë.


Së katërti, t’i vërë kjo fjalë në vesh njerëzve të xhunglës, ata do të ngrenë sytë nga qielli, se do ta kujtojnë “Shqipërinë e Madhe” si një meteor gjigant që po i kanoset Tokës! Një ironi dhe parodi e fateve historike të një populli, një komedi tragjike, ja ç’është kjo frazë. Kthetrat shoviniste që e kanë coptuar e grabitur, me synimin deri në asgjësim të plotë si etni e identitet kombëtar, kanë gojë e sy e faqe të thonë sot se “mbasi s’arritëm ta mbysim dot një popull, të paktën, të ndalojmë krijimin e ndonjë ‘Shqipërie të Madhe’”! Kanosësi i vërtetë hiqet si “i kanosur”; tamam si ajo manovra që përdor hajduti real duke thirrur “kapeni hajdutin”, një dredhi njerëzore kjo që, fatkeqësisht, mbetet virulente dhe efikase edhe sot, madje, në këtë sferë madhore të jetës si politiko-diplomacia, nga e cila njerëzimi pret afirmimin e sanksionimin e lirive dhe të drejtave të popujve.


Janë bukur të dokumentuara dëshirat, aspiratat dhe mesazhet konstante e në vijimësi të shqiptarëve për fqinjësi të mirë, mirëkuptim dhe miqësi me popuj e njerëz të çdo etnie, race e besimi fetar, siç janë të tilla edhe sjelljet e imazhi ynë i sotëm, me ato tipare të rrënjosura në konstitucionin etno-psikik e të kthyera në pasuri e virtyt kombëtar. Ja pse kush nuk e vlerëson drejt dhe e injoron këtë realitet, i bën atentat imazhit të një kombi! Shkurt, disa politikanë e diplomatë si shumë po na habisin me të tilla absurditete që nxjerrin zyrtarisht në tregun e ideve, sa të krijojnë përshtypjen se e ushqejnë trurin me lëndë toksike e jo me bukë gruri e ujë mali, po prodhojnë të tilla ide false e helmuese, sa, për më keq, nuk u besojnë as vetë atyre!


Së fundi, nga e keqja e madhe e fushatës diplomatike mashtruese rreth të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, vetvetiu derivon e nënkuptohet dhe e mira se ekzistojnë premisat dhe mundësitë që ne shqiptarët t’i përcaktojmë dhe t’i synojmë modalitetet politike, juridike administrative që të jetojmë kudo në trojet amtare si qytetarë të lirë e me dinjitet. I vërtisin si i vërtisin fqinjët e disa të huaj historinë dhe fatet tona, çështja themelore mbetet se si dhe sa po i dalim vetë zot vetes, pikërisht sot kur edhe erërat e kohës fryjnë fuqishëm në favor të velave shqiptare, që të mos sakrifikohemi edhe më tej në emër të një stabiliteti fals, as të mos e tresim fare aspiratën kombëtare në procesin e integrimeve. Nëse në hapësirën ballkanike është grumbulluar kaq shumë histori, një pjesë të konsiderueshme të saj e përbën “çështja shqiptare”, e cila vazhdon të mbetet një imperativ historik.


Por, për të mos hyrë në aspekte të tjera të kësaj teme të madhe, po e mbyllim me dëshminë shkencore të studiueses aktuale Giovanna Martelloni, shprehur në trajtesën “Një histori sociale e marrëdhënieve italo-shqiptare në Amerikë“, ku autorja qëmton mitin e Shqipërisë së Madhe si një konstante historike për zonën që po dilte nga gërmadhat e Perandorisë Otomane dhe pohon se: “Edhe sot Ballkani, …ruan të njëjtat tensione të atëhershme; projekti historikisht i rrënjosur i një Shqipërie të Madhe që të përfshijë në gjirin e saj, duke i bashkuar shqiptarët që u përkasin kufijve aktualë të Shqipërisë, si dhe ata të Maqedonisë, të Kosovës e të Epirit, nuk do të dukej krejtësisht i braktisur. …Sigurisht çështja e Shqipërisë së Madhe rishfaqet sot në krizën e Ballkanit, por nuk do të duhej ta nënvleftësonim, sidomos nëse diplomacia ndërkombëtare dhe politikat serbe e maqedonase të mos gjenin kundrejt pakicave shqiptare zgjidhje të përshtatshme për të drejtat etnike të rivendikuara…”. (“Rruga shqiptare e modernizimit”, Instituti i Sociologjisë Ndërkombëtare Gorizia, f. 215).


Vetë djajtë nuk janë aq të tmerrshëm sa i bëjnë; kurse një zgjidhje e drejtë e “Çështjes shqiptare” do të përzinte fare shumicën e tyre nga Ballkani Perëndimor. Po në këtë kontekst dhe në vijim të fillit arsyetues të autores së më sipërme, njeriut natyrshëm i lind edhe pyetja tjetër madhore: “Kur tellalli po lëshon, i zoti pse se kërkon”?