Nis beteja për tokat e gazsjellësit

Kompensimet 

Aksionerët e TAP identifikojnë 7 mijë pronarë. Gjurmët e projektit dhe përfitimet

ARD KOLA

Do të punësohen rreth 200 punëtorë e specialistë, do të ndërtohen rreth 40 km rrugë të reja dhe rehabilitohen rreth 90 km të tjera

Harta e gazsjellsit TAP

Gazsjellësi “Trans Adriatik Pipeline” (TAP) nuk do të sjellë përfitime vetëm për qeverinë shqiptare, por edhe për pronarët e tokave nga ku do të kalojë tubacioni, me gjatësi prej afro 200 km. Drejtuesit e kompanisë thonë se kanë identifikuar 7 mijë pronarë që preken nga shtrimi i tubacionit në tri qarqe të vendit, Korçë, Berat e Fier dhe se do të nisin kontaktet për kompensimin e tyre. Menaxherët e projektit nuk fshehin merakun që kanë me problemet e pronësisë në vend, sikurse kërkojnë mbështetjen e qeverisë.

Duke iu referuar studimit, Fieri do të jetë epiqendra e gazsjellësit në Shqipëri, nga ku do planifikohet krijimi i degës për nevojat e vendeve të rajonit. TAP ka një gjatësi prej 500 km, ku 200 janë në Shqipëri dhe 60 km në det, për të arritur në Itali, ndërsa sasia e gazit që do të transportohet arrin në 10 miliardë metër kub. Në fillim ishte menduar një dalje e tubacionit në veri të Vlorës, por pas studimeve të fundit u gjykua më e drejtë të jetë rajoni i Hoxharës, në perëndim të Fierit.

Gazeta “Shqip” mëson, përmes raportit final të TAP-it, se drejtuesit e projektit janë treguar të kujdesshëm në përcaktimin e gjurmëve, duke minimizuar qendrat e banuara, parqet dhe tokat bujqësore. Tubacioni do të shtrihet 1 m nën tokë dhe më shumë se aq për zonat e banuara. Drejtuesit e projektit, me vlerë mbi 25 miliardë dollarë, pranojnë se i janë dashur dy vjet për të përcaktuar gjurmën nga ku do të kalonte projekti, në mënyrë që të respektonin edhe mjedisin (bazuar mbi standardet e BERZH-it).

Tubacionet e gazsjellësit do të prekin disa qendra banimi, me jo më shumë se 400 banorë, duke minimizuar rreziqet, dhe nga ana tjetër kanë identifikuar dosjet e 7000 pronarëve që do të kompensohen.

Në Qarkun e Fierit, linja e gazsjellësit përfshin komunat Strum, Zharrëz, Mbrostar, Dërmenas dhe Topojë. Në territorin shqiptar, nga Greqia do të përshkojë në Miras, Rajoni i Korçës, e Vithkuqit, më pas do të vijojë në Berat, duke u shtrirë në fshatin Velmish dhe pasi përshkon komunat e Fierit përfundon në bregdetin e Semanit. Paraprakisht është vendosur se stacioni i gazit, aty ku do të kalojë degëzimi, do të pozicionohet në rajonet Mbrostar-Topojë, në lumin Seman dhe në kanalin kullues Levan-Darëzezë.

Si rezultat i këtyre studimeve, është përcaktuar një rrugë optimale, e cila mënjanon zonat me popullatë të dendur dhe të ndjeshme ndaj mjedisit, të tilla si Parku Kombëtar i Hotovës në Shqipëri. Seksioni lindor i gjurmës ndërpritet nga mali i Moravës, i cili shtrihet në drejtim veri-jug dhe arrin një lartësi mbi 1800 m në pikën e tij më të lartë.

TAP-i do të zhvillojë infrastrukturën energjetike të Shqipërisë dhe do të tërheqë investime të mëdha nga jashtë. Aksionerët e TAP-it po shqyrtojnë gjithashtu edhe mundësinë për të lënë disa volume gazi në Shqipëri.

Me depozitimin e gazit, përmbushet një veçori e rëndësishme e strategjisë së BE-së për sigurinë e furnizimit. TAP-i aktualisht po studion mundësinë për të zhvilluar depozitime nëntokësore të gazit në Rajonin e Dumresë në Shqipëri. Ky depozitim do të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe do të ofrojë një fleksibilitet në rritje për të trajtuar ndërprerjet e furnizimit ose ndryshimet stinore në konsum.

Gjatë fazës së punimeve do të punësohen rreth 200 punëtorë e specialistë, do të ndërtohen rreth 40 km rrugë të reja dhe rehabilitohen rreth 90 km të tjera drejt fshatit Seman, sikurse janë parashikuar krijimi i 5 magazinave të mëdha për depozitimin e 15 mijë tubave, që do të vijnë përmes Portit të Durrësit.

 

 

Zhvillimet

Projekti parashikon degëzim dhe sasi prej 1 miliard m/kub gaz

Shqipëria, pikë furnizimi për vendet e Ballkanit

Gazsjellësi nuk do të kërkojë ndërtime të mëtejshme dhe faktikisht do të ketë nevojë vetëm për instalimin e kompresorëve shtesë, në mënyrë që të rrisë kapacitetin e tij në 20 miliardë metër kub gaz në vit, nga 10 miliardë që është sasia fillestare. “Stacioni i planifikuar matës në Shqipëri është projektuar tashmë në mënyrë të tillë që të mund t’i përshtatet lehtësisht instalimit të njësive të tilla”, shprehen drejtues të kompanisë. Sikurse duket në hartë, me krijimin e degës, stacionit në Fier, parashikohet që sasi të konsiderueshme të transportohen drejt vendeve të Ballkanit, duke e kthyer kështu vendin si pikë strategjike të rëndësisë së lartë. Përveç krijimit të të ardhurave vjetore të qëndrueshme dhe të parashikueshme, kur gazsjellësi të jetë në përdorim, TAP-i gjithashtu mund të plotësojë nevojat energjetike vendore të Shqipërisë, sepse aksionerët e tij mund të ofrojnë deri në 1 miliard metër kub gaz nga gazsjellësi në vit.

TAP-i ka siguruar disa marrëveshje për etapa të rëndësishme të shtrirjes së gazsjellësit për të zyrtarizuar marrëdhënien e saj me operatorë sistemesh kryesore në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Kjo do të inkurajojë zhvillimin e tregjeve të gazit natyror në Europën Juglindore dhe do të ofrojë siguri

dhe larmi në furnizim, për rajonet që varen nga një furnizues kryesor. Bazuar në konsensusin e gjerë të industrisë, në periudhën afatshkurtër nuk do të ketë rrjedhje të gazit nga Turkmenistani, Iraku dhe vende të tjera. Kjo do të thotë se i vetmi gaz i mundshëm sot për sot është gazi i nxjerrë për shitje nga Shah Deniz II në Azerbajxhan. Fillimisht TAP-i planifikon që të transportojë 10 miliardë metër kub gaz në vit nga faza e dytë e fushës së gazit të Shah Deniz, e cila programohet që të vijë në qarkullim në vitin 2017. TAP-i është projekti i vetëm në Korridorin Jugor të Gazit që nuk kërkon subvencione dhe grante nga BE-ja.

TAP-i ka siguruar disa marrëveshje duke zyrtarizuar marrëdhëniet me operatorë sistemesh kryesore në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi

Autor te 17 Qershor 2012. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Baci

    NJe verejtje (e vogel).Harta nuk dallon teritorin e Kosoves.