Nuk ka shitje dhe qarkullim. Të gjithë sektorët deklarojnë rënie
I vetmi sektor që ka pësuar rritje në këtë periudhë është ai i tregtisë me 8.5% më shumë se 2011-a
ARD KOLA
Nuk ka kohë për stimuj të ri fiskalë, deklaroi këtë javë ministri i Financave, por ndoshta për disa rregullime te reformat, për periudha afatmesme. E ndërsa ministri mendon se si duhet t’i hartojë planet dhe ku të fokusohet, lajmet nga biznesi privat në vend sa vijnë dhe paraqiten edhe më negative.
Është privati ai që tund kambanat e alarmit të një ekonomie që nuk prodhon aq sa duhet, madje më keq se viti që lamë pas, ndërsa sektorë të tjerë mezi mbahen, duke qarkulluar borxhe te njëri-tjetri. Shifrat e fundit, të raportuara nga sistemi i thesarit për taksën e tatimit mbi fitimin të paguar nga biznesi paraqiten më rënie të fortë, duke paralajmëruar një vit akoma e më të zymtë, fakt i pranuar nga vetë ministri “më keq se tranzicioni”.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për 4-mujorin 2012 arritën në rreth 6.3 miliardë lekë nga 7.7 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rënie të ndjeshme prej 17.6 për qind, dhe 25.4 për qind më pak se plani i periudhës janar-prill 2012. Ishte ky shkak pse biznesi në vend kërkonte një rishikim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, në mënyrë që të lehtësohen pagesat dhe jo ashtu siç vendosi qeveria, e cila me propozim të ministrit Bode i bëri parapagesat e taksës një herë në tre muaj. Për kreun e biznesit të Tiranës, ky vendim e çon privatin në rrënim. Financat vendosën një rishikim afati, ku taksa nuk paguhet më datë 15 të çdo tremujori, por në fund të periudhës. Edhe kjo masë shikohet me dyshim, pasi shumë sipërmarrje po ndëshkohen nga tatimet vetëm se deklarojnë tatime në rënie.
Duke u ndalur te taksa e paguar te sektori privat, sikurse shikohet nga tabela, të ardhurat nga tatim-fitimi janë ulur me 13.1 për qind. Për këtë pjesë, ministria sqaron se, “ekziston një korrelacion i zhdrejtë, pasi sektori privat ka rritur peshën e tij specifike në të ardhurat e tatim-fitimit për periudhën 4-mujore nga 92 për qind në vitin 2011 në 97 për qind për 4-mujorin e vitit 2012”. I vetmi sektor që ka pësuar rritje në këtë periudhë ka qenë sektori i tregtisë me 8.5 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, kurse të tjerët dalin me rënie të theksuar. Kështu, rënien më të madhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë e ka shënuar sektori i prodhimit me 27.3 për qind i pasuar nga sektori i shërbimeve me përkatësisht 22.8 për qind, sektori i ndërtimit me 20.4 për qind dhe sektori i transportit me 19.3 për qind. Sa u takon fitimeve nga biznesi i vogël, të ardhurat tregojnë një nivel prej 1 miliard lekë, me rritje vjetore prej 8.1 për qind dhe plani i periudhës është realizuar në masën 73.5 për qind.
Ministria e Financave ia faturon rënien e të ardhurave nga tatim-fitimi, në tërësi, sektorëve shtetërorë. Për periudhën janar-prill 2012 rënia e derdhjes së tatim-fitimit nga ndërmarrjet shtetërore me rreth 68 për qind krahasuar me një vit më parë ose 432 milionë lekë më pak. Pesha e tatim-fitimit nga ndërmarrjet shtetërore në total për 4-mujorin është vetëm 3 për qind krahasuar me 8 për qind që ka qenë në 4-mujorin e parë të vitit 2011.
Sakaq, konsumatorët shqiptarë po tregohen shumë të kursyer këtë vit edhe në blerjen e produkteve të përditshme. Vetë tregtarët e fruta-perimeve në tregun pranë ish-Uzinës Dinamo, tregojnë se edhe pse çmimet janë të ulëta, pasi një pjesë e madhe e produkteve janë vendi, fuqia blerëse ka rënë.
“Te tregu i fruta-perimeve ka shumë rënie, por kriza ndihet edhe te tregu industrial ku mbeten mallra stoqe. Shumë artikuj ushqimorë kanë afat skadence, nëse ato skadojnë dhe nuk shiten brenda kohës, ato do të hidhen. Të gjitha këto rëndojnë mbi tregtarët”, thotë Niko Zherdi, kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve. Por nuk janë vetëm produktet ushqimore që vuajnë reduktimin e shitjeve. Edhe tregu industrial po vuan prej disa kohësh nga një krizë e zgjatur, e cila po i çon në kolaps. Shumë produkte skadojnë ose dalin jashtë mode, çka i kthen ato në stoqe. Tregtarët kanë kërkuar ndihmën e shtetit në këtë periudhë krize për ta.
Tregtarët
Vetë tregtarët e fruta-perimeve në tregun pranë ish-Uzinës Dinamo, tregojnë se edhe pse çmimet janë të ulëta, pasi një pjesë e madhe e produkteve janë vendi, fuqia blerëse ka rënë