Grupi C
Axurrët kërkojnë fitoren ndaj dhelprës Trapatoni për të shpresuar çerekfinalen
Revolucion axurr për të luajtur në çerekfinale, atje ku është zhvilluar revolucioni portokalli. Rikthim në Ukrainë, me ish-kryeministren Timoshenko në burg mes polemikave dhe me bojkotin e shumë politikanëve të Euro 2012. Dhe rikthim tek Italia, e cila pret të luajë ndeshjen decizive ndaj Irlandës. Baloteli, i cili kishte pasur probleme me gjurin, dje është stërvitur sërish me grupin, ndërsa Barzalji është i disponueshëm dhe pritet të zërë vendin e titullarit. Çezare Prandeli i cili më parë kishte deklaruar se nuk do të hiqte dorë më nga moduli 3-5-2, tani mendon se për 4-4-2 me mesfushën në formë rombi. Moduli i tij, ai eliminatoreve të shkëlqyera, jo ai i përdorur në Poloni për t’u dhënë më shumë siguri lojtarëve. Ky është shansi i fundit i kombëtares së tij. Të ndryshosh gjithçka (modul) për të mos ndryshuar asgjë (idenë e futbollit të shfaqur deri tani, për të mos ndryshuar filozofi, sepse tashmë nevojitet vetëm fitorja dhe shpresohet te rezultati i ndeshjes tjetër Spanjë-Kroaci). Pak leopard dhe pak kameleon, skuadra që duhet të tij të ndryshojë gjatë ndeshjes kundër dhelprës Trapatoni. Shkëputje e lehtë nga një vendosje taktike e skuadrës te tjetra, falë De Rosit, mbrojtësit-mesfushor që tashmë duket se do të marrë vendin e tij në qendrën e mesfushës. Për 4 ndryshimet trajneri duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë. Nevojiten energji të freskëta për të mposhtur ishullin e smeraldit, prandaj nevojitet variacione për të fituar më shumë metra në fushë, të paktën në krahë: Abate në vend të Maxhios dhe Balzareti për Xhakerinin. Pastaj, nëse është e thënë, rikthimi i Barzaljit, që jep më shumë garanci sesa Bonuçi në linjën me katër mbrojtës të rreshtuar mbrapa. “Jam gati, do të vendosë Prandeli”. Dhe shton më pas: “Në të djathtë apo në të majtë të De Rosit, për mua nuk ndryshon shumë”. Mbrojtësi i Juventusit flet për 3-5-2, modul në të cilin do të kishte vend edhe për Diamantin në vend të Tiago Motas, si lojtar i krahut të majtë, për të dhënë më shumë fantazi, sepse italianëve u nevojiten dëshpërimisht golat. Madje dhe Borini, i cili mund të përdoret në krahun e djathtë. Por këto hipoteza bien të gjitha kur bëhet fjalë për modulin 4-4-2: mesfusha do të përbëhet nga Markizio, Pirlo, De Rosi e Tiago Mota. Po të ishte Xhuzepe Rosi, do të ishte thuajse Italia, që fitoi të drejtën për të luajtur në këtë Europian. Në sulm do të jetë Di Natale tashmë me Kasanon, ndoshta edhe për faktin se Baloteli nuk është plotësisht në formë. Markizio kishte paralajmëruar kështu shokët e skuadrës: “Shihet që ndihet keq kur e zëvendësojnë, e mban të gjithën përbrenda dhe besoj që ka shumë zemërim për të demonstruar në ndeshjen e fundit. Talent për t’u mbrojtur, por ai duhet të kuptojë që mundësitë mund të mbarojnë, prandaj duhet të shfrytëzohet ky ndaj Irlandës”. Dje në mëngjes, Italia është nisur me çarter në drejtim të Posznanit, ku është ulur në mesditë. Me stërvitjen e mbrëmjes së djeshme, thuajse gjithçka është gati. Italia duhet të zgjidhë edhe problemin e golit. Me dy sulmuesit dhe me depërtimin e mesfushorëve. Më kryesorët, Tiago Mota e Markizio, të cilët deri tani thjesht i kanë shkuar shumë pranë deri tani. “Goli? Më mungon paksa, i kam pasur rastet. Por nuk ka rëndësi kush shënon, e rëndësishme është të fitosh. Depërtimet e mesfushorëve dhe presingu sa më lart? Po, por nevojitet presingu i të gjithëve, ndryshe vrapohet kot dhe kjo është në dëmin tonë”. Kështu e përgatit Italia ndeshjen e sotme ndaj Irlandës së Trapatonit, por megjithatë mendja do të jetë te ndeshja Spanjë-Kroaci, ku në rast të një barazimi 2-2, edhe fitorja e axurrëve nuk do të vlente. Italia do të duhej të bënte gati bagazhet për t’u kthyer në shtëpi. Madje, duket se tashmë të gjitha masat janë marrë për eliminimin e mundshëm. Tashmë është bërë zakon: kur një skuadër nuk është e sigurt për të kaluar grupin në një kompeticion të rëndësishëm, atëherë prenonton në heshtje fluturimin e parakohshëm për t’u rikthyer në bazë. Supersticiozitet, vetëvlerësim i ulët, apo thjesht frikë se nuk do të mundet t’ia dalë: mund ta shpjegoni si të doni. Por Italia e ka prenotuar tashmë çarterin që duhet ta kthejë në shtëpi për ditën e martë në orën 17.30 nga aeroporti i Krakovës, i cili tashmë mban emrin e Papa Xhovani Paolo II. Ky është fluturimi që të gjithë do të donin ta humbnin, por do të jenë spanjollët dhe kroatët që do e vulosin ose jo këtë gjë.
Biskota – Edhe në rast të një fitoreje ndaj Irlandës, Italia mund të mos kualifikohet në rast se ndeshja tjetër Spanjë-Kroaci përfundon në 2-2, ose çdo barazim me më shumë gola
Ndryshimet – Deri tani në Europian trajneri Prandeli kishte përdorur modulin 3-5-2, por sot ndaj irlandezëve tekniku ka vendosur të ndryshojë në 4-4-2 me mesfushën në formë rombi
Mallkimi Trap – Italia sot do të duhet të ketë kujdes edhe nga mallkimi Trapatoni, pasi në tri përballjet e deritanishme axurrët kurrë nuk kanë fituar ndaj bashkëkombësit të tyre
Çarteri gati
Italia e ka prenontuar avionin që do ta rikthejë të martën në shtëpi në rast eliminimi. Për supersticiozitet, për mungesë besimi në vetvete, apo për frikë se nuk e kalon turin: drejtuesit e federatës italiane po përgatisin çarterin për fluturimin e kthimit në bazë
Statistikat
Ka një lehtësim për Italinë, shifrat janë në favorin e saj
Vërtet Spanja dhe Kroacia do të barazojnë me rezultatin 2-2 (ose me rezultatet 3-3, 4-4, 5-5, 6-6…) në ndeshjen e tretë të Grupit C, duke ndëshkuar Italinë me një eliminim të parakohshëm nga Europiani i Polonisë dhe Ukrainës? Vërtet Spanja kampione në fuqi e botës dhe e Europës do ta ulë veten deri në atë pikë sa të luajë një ndeshje për një barazim të paravendosur ndaj Kroacisë (respekt për ata, por jo përulje), duke e shndërruar kështu të kotë çfarëdolloj tentative të italianëve për të zgjatur qëndrimin e tyre në Poznan apo në qytetet përreth? Ekspertë të ndryshëm të futbollit të intervistuar në lidhje me ndeshjet e fundit në grupe nga televizione, radio dhe gazeta, duket janë të gjithë të një mendimi se “në futboll gjithçka është e mundur”, “duket josportive, por në fund të fundit nëse ndodh, nuk do të duhet të befasohemi”; pas të gjitha këtyre, mjaft më me pyetjen: “Po nëse ne do të ishim në ato kushte, çfarë do të bënim?”. Italianët janë disi të zënë ngushtë. Pra, “biskota” e patretshme nuk duhet domosdoshmërisht të jetë kështu. Statistikat që paraqesin gazetarët spanjollë mund të kontribuojnë si frymëmarrje e parakohshme për tifozët italianë, për Çezare Prandelin dhe të gjithë skuadrën e tij axurre. Në fakt, kombëtarja spanjolle në historinë e fazave finale të Europianëve kanë barazuar në total 10 ndeshje, por kurrë asnjë ndeshje me rezultatin 2-2 apo me më shumë gola: tre në barazim 0-0 dhe të gjitha të tjerat me rezultatin 1-1. Për më tepër: në 13 vitet e fundit për sa u përket ndeshjeve të luajtura në nivel ndërkombëtar, Spanja ka barazuar vetëm dy herë me rezultatin 2-2. Kundër Ukrainës në vitin 2003, me golat e Raul dhe Eksteberria të ekuilibruar më pas nga ato të Voronin dhe Horshkov, dhe më 15 nëntorin e kaluar kundër Kosta Rikës. Nëse edhe këto dy statistika nuk do të mjaftonin për t’i bërë italianët që të jenë të qetë, ja dhe një të tretë: në ndeshjen përfundimtare të fazës në grupe, Spanja nuk ka barazuar kurrë në shtatë ndeshje. Katër fitore dhe tri humbje. Shpresa e italianëve është, që historia në këtë rast, më shumë se kurrë, duhet të përsëritet!
