Fatura e pensioneve rritet frikshëm

Më shumë përfitues se kontribuues. Berisha: Rritje tjetër më 15 korrik, pavarësisht krizës

ARD KOLA

Fatura për mbulimin e skemës së pensioneve vjen në rritje çdo vit, aq sa Ministria e Financave është e detyruar që një pjesë të buxhetit ta përdorë për mbulimin e humbjeve, që arrijnë të paktën 300 milionë dollarë. Ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore konstatojnë faktin se rritja e pensioneve, sidomos atyre të fshatit është kryer në mënyrë të shpejtë, me qëllim për t’i barazuar me ato të qytetit, por nga ana tjetër, kontribuuesit nuk janë rritur.

Sakaq, Kryeministri paralajmëroi dje se, pavarësisht krizës dhe mungesës së parave në buxhet, do të marrë vendimin për t’i rritur sërish pensionet, si dhe pagat, për një total përfituesish në rreth 850 mijë, ndërsa faturën nuk e ka bërë ende të ditur, por nga Financat jepen sinjale alarmi, pasi nevojiten të paktën 30 milionë dollarë.

Aktualisht, për buxhetin e pensioneve, nevojiten në vit rreth 750 milionë dollarë, por një pjesë e konsiderueshme sigurohet nga buxheti i shtetit, pasi kontribuuesit, të punësuarit në shtet dhe privat nuk i derdhin rregullisht taksat, ndërsa të tjerë i shmangen. Me ritmin aktual të humbjeve, fatura e pensioneve në vitin 2014 do të arrijë në rreth 1 miliard dollarë, ndërsa deficiti, në afro 400 milionë dollarë.

“Ishte parashikuar që politikat e rritjes së shpejtë të përfitimeve në fshat të koordinoheshin dhe harmonizoheshin me rritjen dhe barazimin gradual edhe të kontributit të fermerëve

me atë të të vetëpunësuarve në sektorin jobujqësor. Fakti që aktualisht pensioni i fshatit është barazuar me atë të qytetit, ndërkohë që kontributi është sa 1/3 e atij të qytetit, e bën këtë skemë me mjaft kërkesa për mbulim me financime buxhetore të formës kontributive apo subvencionuese”, shprehet Ali Emini, zv/drejtor i ISSH-së.

Statistikat e institutit tregojnë se, numri mesatar vjetor i kontribuuesve në vitet e para të zbatimit të skemës ka ardhur në rënie, ndërsa pas vitit 1997 dhe sidomos në 5 vitet e fundit, vërehet prirja e rritjes të numrit të kontribuuesve, duke arritur numrin më të madh të kontribuuesve në vitin 2011 me 735 mijë kontribuues. Vërehet se rritja e kontribuuesve në skemë në vitin e fundit kryesisht evidentohet në subjektet e biznesit të vogël. Gjithashtu, të ardhurat nga kontributet në skemë paraqiten me rritje të theksuara nga viti në vit, duke përjashtuar vitin 1997. Në vitin 2011, ato arritën nivelin më të lartë ose 48.4 miliardë lekë. “Megjithëse në 6 vitet e fundit, norma e kontributit është reduktuar me 36 për qind, të ardhurat nga kontributet janë rritur me 44 për qind”, konstaton eksperti i ISSH-së.

“Përfitimet mujore nga pensionet paraqesin një ritëm të ngadaltë të rritjes së tyre në vite. Edhe pse ka qenë e detyruar në një periudhë të tranzicionit të vështirë ekonomik, indirekt ka dëmtuar lidhjen midis kontributit dhe përfitimit, duke reflektuar fenomenin e evazionit të kontributeve nëpërmjet deklarimit jo real të pagave. Masat e marra, sidomos në 5 vitet e fundit dhe vendosja e një skeme të kompensimit me të ardhura të përfituesve me pensione minimale kanë sjellë përmirësim të të ardhurave të pensionistëve”, thotë Emini. Krahasuar me vitin 2001, në 2011-n evidentohet një rritje e të ardhurave të pensionistëve me 59 për qind ndaj 22 për qind që është rritja e nivelit të indeksit të çmimeve.

Pavarësisht deficitit të lartë, Kryeministri njoftoi dje se do të miratonte paketën e radhës së rritjes së pensioneve dhe pagave, vendim i cili do të hynte në fuqi më 15 korrik. “Rritja e rrogave dhe pensioneve, 5 për qind mesatare për rroga, rritja e pensioneve të fshatit po kaq, rritja e pensioneve në qytet, që të gjitha dy ose tri herë më shumë se inflacioni, do të thotë një rritje e fuqisë blerëse”, u shpreh Kryeministri, duke paralajmëruar nga ana tjetër që të mos pritet shumë nga rritja, pasi inflacioni ka rënë ndjeshëm, pra çmimet janë më të ulëta se një vit më parë.

Autor te 19 Qershor 2012. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry