SKANDALI
“Open Data” publikon hulumtimin, skandalet e kontratave u publikuan kohë më parë nga “Shqip”
Bledar Hoti
Hulumtimi i kryer nga “Open Data Albania” mbi lobimet e qeverisë dhe partive politike me firmat përtej Atlantikut, në SHBA, rikonfirmon faktet e hedhura më parë nga gazeta “Shqip”. Studimi i “Open Data Albania” bazohet në të dhënat e ofruara nga investigimi i dy organizmave të rëndësishëm të shoqërisë civile që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “ProPublica” dhe “Sunlight Foundation”. Sipas këtij investigimi rezulton se në vitet 2009 – 2010, edhe partitë kryesore shqiptare kanë kontraktuar dhe paguar për lobim amerikan. Emrat e disa kongresmenëve dhe senatorëve rezultojnë në investigimin mbi lobuesit e kontraktuar dhe paguar nga Shqipëria. Nga tri partitë politike më të mëdha në vend që kanë shpenzuar për lobim rezulton se LSI ka paguar 154,298 dollarë, PD 120,000 dollarë, PS 82.250 dollarë, ndërsa qeveria 825,000 dollarë. Ndërsa në këto lobime përfshihen dhe Partia për Drejtësi dhe Unitet. “BKSH & Associates” është firma amerikane që ka lobuar për Partinë Demokratike, për përfaqësuesit e qeverisë dhe të mazhorancës. Këtu kanë ndikuar lobimet në lidhje me vizitat zyrtare të Kryeministrit Sali Berisha dhe të Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Takimet lidhen me kongresmenin Eliot Engel, si dhe me përfaqësues të tjerë të Senatit amerikan apo të Departamentit të Shtetit. Ndërsa për PS-në, lobimi ka ardhur nëpërmjet firmës “Rasky Baerlein Strategic Communications”. Ndërsa PDI, tashmë e kthyer në PDIU, ka nënshkruar një kontratë me “Polaris Government Affairs, LLC”. Partia që ka shpenzuar më shumë para për të lobuar është LSI, me vlerën 154,298 $. Kjo shumë është paguar gjatë periudhës kohore 13 prill 2009 – 3 prill 2010. Gjatë kohës kur LSI ishte në opozitë ka përdorur kompaninë lobuese “Dutko WorldWide” LLC, kryesisht për këshillim për çështje të fushatës zgjedhore. Gjatë periudhës 14 janar 2009 – 12 qershor 2009, PD ka shpenzuar për të lobuar në 20 raste, nga të cilat në 10 raste paratë janë shpenzuar për vizitat e nënkryetares së PD-së dhe Kryetares së Parlamentit, zonjës Jozefina Topalli. Ndërsa në 5 raste, kompania lobuese e PD-së, “BKSH Associates” ka ndërmjetësuar për takimet e Kryeministrit Berisha.
Kontratat e papublikuara
Në investigimet e kryera nga gazeta “Shqip” rezulton se janë një sërë kontratash të tjera që qeveria “Berisha” ka kryer ndër vite, fillimisht me synimin për lobimin për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë. Porse më pas, lobimi me firma të tilla si “Podesta Group” dhe “Patton Boggs” realizohej më tepër për të rregulluar reputacionin dhe imazhin e Kryeministrit Berisha. Kontratat marramendëse flasin për mungesë të theksuar transparence nga qeveria. Edhe “Open Data” ka bërë të qartë se “të dhënat tregojnë se qeveria shqiptare, nëpërmjet firmës lobuese ‘Patton Boggs’ gjatë periudhës 16 gusht 2010 – 20 dhjetor 2010 ka shpenzuar 825,000 USD”. “Patton Boggs” ka marrë premtimin nga qeveria shqiptare të përfitojë 2% të fondit që do të dalë nga privatizimi i “Albpetrolit”. Ndërsa ndihma kryesore e “Patton Boggs” për qeverinë shqiptare është dhe ajo për Fondin e Sfidës së Mijëvjeçarit, e cila ka mbetur pezull prej kohësh.
1.1 milionë USD – Shuma që qeveria shqiptare ka paguar për imazhin e saj për tre vite për firmat lobuese është 1.1 milionë dollarë amerikanë
Tom Ridge – Kontrata më e bujshme me firmën “Ridge Global”, LLC, është në vitin 2007. Tom Ridge përfitoi nga “Berisha” shumën 479.973 USD
“Patton Boggs” – Me këtë firmë amerikane, qeveria shqiptare ka rritur ndjeshëm kontratat, të cilat janë tepër sekrete dhe që nuk bëhen publike
“Podesta” – “Podesta Group” është firma tjetër amerikane që qeveria ka nënshkruar një sërë kontratash, për qëllime lobimi dhe imazhi
356.548 USD – Gjatë vitit 2009-2010, tri parti politike PS, PD dhe LSI kanë shpenzuar gjithsej 356.548 USD. Më shumë ka shpenzuar LSI
“Podesta”
360 mijë USD për gongun e NASDAQ
Më 12 janar të vitit 2012, gazeta “Shqip” publikoi një kontratë në të cilën qeveria shqiptare kishte firmosur me “Podesta Group”, në një vlerë 360 mijë dollarë amerikanë. Por kryesorja, siç duket, ka qenë sigurimi i një vizite për Berishën në SHBA, si dhe pjesëmarrja e tij në mbylljen e sesionit ditor të NASDAQ. Që nga 15 gushti i vitit 2011, përfaqësuesit e firmës lobuese të “Podesta Group” rezultojnë se kanë kryer 20 herë kontakte me përfaqësues të NASDAQ. Kontakti i fundit telefonik i përket 26 shtatorit të vitit të kaluar. Afro pesë ditë pas mbylljes së vizitës së Kryeministrit Sali Berisha në SHBA, të cilën qeveria e cilësoi si shumë të suksesshme, pasi zyrtari i lartë i ekzekutivit “shtypi më pas butonin e ziles që sinjalizon mbylljen e sesionit ditor të NASDAQ dhe iu dorëzua trofeu që simbolikisht u jepet personaliteteve botërore që bëjnë mbylljen ditore të bursës”. Pikërisht në datën 26 shtator, zyrtarë të ‘Podesta’-s kanë kryer kontaktet, sipas dokumenteve zyrtare, me David Wicks, Jameel Johnson, Diana Tas, Jennifer Knapp dhe Glenn Hutcbins.
Kontrata e Bashës, dokumenti sekret kërkohet mospublikimi
Në kontratën e zbuluar nga gazeta “Shqip” rezulton se marrëveshja mes “Podesta Group” dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë ka si zyrtar nga pala shqiptare, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Në këtë dokument, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, është përfaqësuesi i marrëveshjes (Name and title of oficial with whom registrant deals). Më pas, pakti mes qeverisë shqiptare dhe “Podesta Group”, është nënshkruar nga pala shqiptare, prej Gjergj Lezhjes, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe nga pala amerikane, Tony Podesta. “Qeveria do t’i paguajë furnizuesit (‘Podesta’) një shumë prej 60 mijë USD çdo muaj, plus shpenzimet. Pagesa do të kryhet në çdo fillim tremujori”, thuhet në kontratë. Gjithashtu, kërkohet që firma lobuese duhet të ruajë sekretin profesional në mosbërjen publike të këtij pakti. “Ofruesit nuk duhet, gjatë afatit të kësaj marrëveshjeje dhe në dy vjet pas skadimit të saj, të zbulojnë çdo informacion të pronarit, ose konfidencial në lidhje me fushëveprimin e punës, kontratën e pranishme apo aktivitetin e Këshillit të Ministrave, ose operacione pa pëlqimin paraprak me shkrim nga ana e KM-së”, thuhet në kontratë.
Tabela
Shpenzimet 2009-2010
PD 120 mijë USD
PS 82.250 USD
LSI 154.298 USD