Fier
Nën akuzë, edhe kreu i DRSHTR, Luan Baçi, pezullohet nga detyra
Zbardhet korrupsioni i dhënies së patentave në mënyrë të paligjshme nga zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Fier, ku një nga të dyshuarit është edhe vetë titullari i këtij institucioni, Luan Baçi, i cili nga hetimet rezulton se ndikonte te varësit e tij, duke i shtyrë drejt kryerjes së veprave penale. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Fierit, të cilat kanë nisur hetimet që prej 7 tetorit të vitit 2011, për dhënien e patentave në mënyrë abuzive. Ndërkaq, efektivë të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar arrestimet e shtatë të dyshuarve si pjesëmarrës në këtë aferë korruptive, të cilët kanë pajisur me leje drejtimi persona që nuk kanë marrë pjesë në testime. Gjatë orëve të pasdites së djeshme janë ndaluar edhe tre persona të dyshuar si bashkëpunëtorë.
Hetimet
Nga hetimi ka rezultuar se persona të ndryshëm, duke mos qenë të pranishëm në programet e përgatitjes teorike dhe praktike, shpallen fitues në mënyrë abuzive e në kundërshtim me detyrën, nga anëtarët e komisioneve të kontrollit të këtyre njohurive si dhe nën ndikimin e shtetasve Bujar Tahiri, drejtues autoshkolle, titullarit të institucionit Luan Baçi, apo personave të tjerë. Prokuroria nënvizon se në shumë raste, personat kandidatë, për t’u pajisur me leje drejtimi automjeti paraqiten vetëm ditën kur jepet testimi teorik apo ai praktik. Gjithashtu në disa raste plotësimi i dokumentacionit për regjistrimin dhe pajisjen me leje drejtimi të shtetasve, siç janë vërtetimi i banimit lëshuar nga organet e pushtetit vendor, certifikata mjekësore që lëshohet nga poliklinika shëndetësore, dokumenti për përcaktimin e grupit të gjakut dhe rezusin, apo dhe dëshmitë për kryerjen e kursit të ndihmës se shpejtë mjekësore pranë Kryqit të Kuq Shqiptar, bëhen nga vetë punonjës të autoshkollave apo nga persona të tjerë, që luajnë rolin e sekserit kundrejt premtimeve apo përfitimeve të paligjshme, pa prezencën e kandidatit.
Të arrestuarit
Prokuroria publikoi dje identitetin e të prangosurve dhe veprat penale për të cilat ata akuzohen. Emiljano Mone, kryetar i komisionit për pajisjen me leje drejtimi për mjete pranë DRSHTRF, është prangosur me akuzën “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, në bashkëpunim”. Bujar Tahiri, pronar i autoshkollës “Gërveni-Tahiri”, akuzohet për “Korrupsion aktiv, të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Dilaver Shyti, pronar i një lokali privat, dyshohet gjithashtu për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Emiljano Bushi, anëtar i komisionit për pajisjen me leje drejtimi, akuzohet për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, sikundër kolegu i tij Paskal Bello dhe Xhevair Caushi, punonjësi i pranimit të dokumenteve në DRSHTRF. Ndërsa i arrestuari i shtatë, Vladimir Nebiaj, instruktor pranë autoshkollës “Gërveni-Tahiri”, akuzohet për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, vepër penale për të cilën është dënuar edhe më parë.
Ndërkohë, prokuroria njoftoi se ndaj drejtorit të DRSHTRF, Luan Baçi, gjykata ka vendosur masën e pezullimit nga detyra. Të dyshuar për implikim në këtë aferë janë edhe Redian Çuko, ish-punonjës i këtij institucioni, Aldona Daka, punonjëse e Degës së Kryqit të Kuq në Fier dhe Agron Saliko, furnitor pranë DRSHTRF.
DREJTORI
Luan Baçi dyshohet të ketë ushtruar ndikim tek anëtarë të komisionit të patentave, si edhe tek inxhinieri i kolaudimit Sabaudin Lilaj
SHKELJET
Nga hetimet e deritanishme rezulton se në shumë praktika të pajisjes së shtetasve me leje drejtimi ka pasur mungesa në dokumentacion