Fatjona Mejdini
Edhe pse zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, Bujar Nishani, është cilësuar si kushtetuese nga komuniteti ndërkombëtar, kreu i sapozgjedhur i shtetit nuk ka pasur atë fluks urimesh nga homologë dhe krerë të rëndësishëm të shteteve perëndimore. Përveç një mesazhi të kreut të Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, nuk ka pasur të tilla nga kryetarë shtetesh të vendeve europiane apo edhe SHBA. Në fakt, Presidenti i zgjedhur, Nishani, është uruar nga kryetarët e shteteve të Kinës dhe Turqisë. Por që të mund të quhet një mungesë perëndimore, për ish-ministrin e Jashtëm shqiptar, Tritan Shehu, aktualisht deputet i PD-së, nuk është gjë tjetër veçse një logjikë normale protokollare. “Ka disa mënyra apo forma të urimit të homologëve, por normale është që Presidenti do të urohet pas marrjes zyrtare të detyrës së kreut të shtetit, që zhvillohet me ceremoninë e betimit në Parlament dhe marrjen e postit nga paraardhësi i tij”, theksoi Shehu, në një prononcim për “Shqip”. Deputeti i PD-së mendon që nuk ka një qëndrim politik në lidhje me këtë çështje. Ndërkaq, nga opozita po tregohen të kujdesshëm për të komentuar këtë fakt diplomatik, duke marrë kohën e duhur pas betimit për të folur për atmosferën ndërkombëtare.
Holtekemper
Ambasadorja e Gjermanisë, Carola Müller-Holtkemper, duke folur për “Deutsche Welle”, ka deklaruar se beson që Bujar Nishani do të përpiqet të përfaqësojë “unitetin e popullit”. Ajo apelon për përmbylljen e punës me prioritetet e mbetura për përafrimin me BE-në. Sipas ambasadores së Gjermanisë në Tiranë: “Parlamenti shqiptar zgjodhi Presidentin e ri në një proces kushtetues dhe kjo është më e rëndësishmja. Sigurisht që ne dhe të tjerë kishim shpresuar të arrihej konsensusi. Bujar Nishani më duket një zgjedhje e mirë, unë i kam shprehur atij urimet e mia. Përvoja e bashkëpunimit me të kanë qenë pozitive, qoftë si ministër Drejtësie ashtu edhe si ministër i Brendshëm. Ishte një bashkëpunim besimplotë, transparent dhe rezultativ. Unë jam optimiste që, si President, ai do të përpiqet të përfaqësojë vërtet “unitetin e popullit“. Zonja Holtkemper thekson në komentin e saj që e rëndësishme ishte shmangia e një krize parlamentare. “Procesi ishte korrekt në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhjet e parakohshme mundën të parandaloheshin. Tani duhet të jenë në dispozicion sërish të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përmbyllur punën me prioritetet e mbetura të përafrimit me BE. Ambiciet për vjeshtën e ardhshme janë tashmë të njohura, po kështu edhe kushtet. Komisioneri Füle i ka sjellë edhe njëherë në vëmendje pikat e mbetura gjatë fjalës së mbajtur përpara Parlamentit shqiptar. Për më tepër këtu nuk është fjala për kërkesa “të huaja”, por për një katalog detyrash, të cilat shqiptarët ia kanë vënë vetes në kuadër të të ashtuquajturit ‘action plan’”, theksoi ambasadorja gjermane.
“Presidenti i zgjedhur, Nishani, është uruar nga kryetarët e shteteve të Kinës dhe Turqisë. Por që të mund të quhet një mungesë perëndimore, për ish-ministrin e Jashtëm shqiptar, Tritan Shehu, aktualisht deputet i PD-së, nuk është gjë tjetër veçse një logjikë normale protokollare”
Presidenti i sapozgjedhur
Presidenti i ri, Bujar Nishani, ka deklaruar se priste një telefonatë urimi nga Presidenti në detyrë, Bamir topi. Duke folur në një intervistë për emisionin “Arena” të gazetarit Roland Qafoku, zoti Nishani i është përgjigjur pyetjes nëse është uruar pas zgjedhjes: “Kam marrë një mesazh urimi me sms. Normalisht prisja të kisha një telefonatë urimi nga Presidenti, por gjithsesi kam marrë një sms urimi”. Zoti Nishani, pasi ka bërë të ditur se do të krijojë një proces komunikimi me opozitën ka dhënë dhe një vlerësim për paraardhësit e tij. Për ish-presidentin, Rexhep Meidani, Nishani theksoi se “ka krijuar një nga figurat më të respektuara në kohën e presidencës në Shqipëri. Ka qenë një personalitet i botës akademike, por që diti ta artikulojë atë mençuri të akademizmit në politikë”. Ndërkaq, Presidenti i sapozgjedhur ka dhënë një konsideratë të ndryshme nga shumë politikanë të dalë nga PD-ja për ish-presidentin Alfred Moisiu. Ish-ministri i Brendshëm i zgjedhur në postin më të lartë të shtetit deklaroi se “Z. Moisiu ka manifestuar të gjitha përpjekjet e tij për të qenë i ekuilibruar në ushtrimin e detyrës”. Ndërkaq, për Presidentin aktual, Nishani ka premtuar që do ta bëjë: “pasi të marr detyrën nga z. Topi, pasi ai është ende Presidenti ynë i Republikës”.