Kryeministri Berisha ka ftuar sot, biznesin gjerman të shtojë investimet në Shqipëri, duke premtuar lehtësim të barrës fiskale dhe procedurave burokratike. Deklaratat e shefit të ekzekutivit shqiptar janë bërë gjatë punimeve të Forumin Ekonomik Gjermano – Shqiptar. “Nuk them se nuk ka pengesa e vështirësi, por ka një luftë të vendosur kundër tyre, për të krijuar mjedisin më miqësor. Shqipëria ka një model fiskal ndër më të favorshmit për biznesin: taksën e sheshtë prej 10 për qind, e cila mendoj se është një nga arsyet madhore të suksesit tonë; kontributet shoqërore 15 për qind për sipërmarrësit dhe vetëm 1.5 për qind të xhiros taksën për biznesin e vogël.
Ne nuk kemi ndërmend të rrisim taksat, përkundrazi do t’i ulim më tej ato. Ne besojmë se paratë në kontot tuaja bankare janë më të vlefshme për qytetarët shqiptarë, sesa në kontot publike. Të udhëhequr nga ky parim, ne do të vazhdojmë të përdorim çdo stimul, për të nxitur biznesin, në mënyrë që të përballojmë këtë krizë që ka pllakosur Europën e që mesa duket nuk do të jetë afatshkurtër”, deklaroi Berisha.
E pranishme në forum ka qenë edhe ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, e cila pasi ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria në këto 20 vite, ka kërkuar rishikim të TVSH-së.
“Biznesi gjerman që ka investuar në Shqipëri është i kënaqur me rezultatet e arritura dhe optimist për të ardhmen. Rreth 80 % e investitorëve gjermanë janë të kënaqur dhe të sigurt për kompanitë e tyre dhe tregun në tërësi. 40 % janë optimistë për rezultatet pozitive në të ardhmen, 50 % mendojnë se do ketë rritje punësimi. Ajo çfarë nevojitet është kuadri ligjor, lufta kundër korrupsionit, një tjetër shqetësim është dhe taksa e TVSH, e cila mund të diskutohet dhe t’i jepet zgjidhje”, u shpreh ambasadorja Holtkemper.
Në forum kanë marrë pjesë përfaqësues të biznesit e sipërmarrjes gjermane dhe shqiptare, anëtarë të Shoqatës Ekonomike Gjermano-Shqiptare, të Shoqatës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, të Dhomës shqiptare të Tregtisë. Forumi u organizua në bashkëpunim me ambasadën gjermane në Shqipëri.
20 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)