“BIBLA” E PSIKOLOGUT SHKOLLOR, TË JAPËSH DHE MARRËSH BESIM ME NXËNËSIT

NDUE DEDAJ

Shërbimi psikologjik në shkollë, një risi e arsimit shqiptar

“Duke qenë një vend në tranzicion, nuk jemi mjedisuar ende me futjen e psikologut nëpër shkolla. Kjo ndodh ngaqë ne, nxënësit, kur nuk besojmë tek prindi apo shoku, si mund t’i besojmë një personi tjetër? Besimi është diçka fondamentale dhe nuk mund t’i dorëzohet çdo njeriu, prandaj shpeshherë preferojmë të mbyllemi në botën tonë adoleshente. Pyetja ime është: tek cili duhet të besojë një i ri, tek një i afërm, apo tek një i panjohur?”.

Ky shënim domethënës, shkëputur nga blloku i shënimeve si punonjës i shërbimit psikologjik të gjimnazit të Rrëshenit, i përket majit të 2008-s, që përkon me futjen zyrtarisht të këtij shërbimi në arsimin tonë, pas tre vjetësh pilotimi. Duket se në pak fjalë është përmbledhur gjithçka që ndodh me një nxënës, kur gjendet përballë një studioje në shkollën e tij, ku lexohet “Kabineti i shërbimit psikologjik”. Edhe pse kanë kaluar kaq vjet, problemi i (mos)besueshmërisë së nxënësit mbetet sërish, ndonëse jo si në fillimet. “Psikologu shkollor është një njeri që merret me nxënësit me probleme mendore”, mendohej nga shumë prej tyre, duke e parë veten jashtë rrezes së tij. Natyrisht që psikologët shkollorë e kanë kapur këtë ngërç që iu lidhte duart dhe janë përpjekur të shtrijnë urat e besimit dhe komunikimit me gjithë nxënësit, duke argumentuar se ky shërbim nuk është vetëm për disa fëmijë në nevojë, por një mundësi për këshillim për çdo nxënës. Ndaj secili psikolog ka një normë prej 1500-2000 nxënësish për të mbuluar në dy-tre shkolla. Atëherë, na u desh të flisnim jo vetëm me nxënësin që pyeste se kujt i duhej besuar më parë, një të afërmi, apo një të “panjohuri” si psikologu shkollor, duke i mëshuar idesë se besimi duhej dhënë e marrë në mënyrë të dyanshme, pasi njeriu që ndërhyn në problemin që ti ke është personi i duhur, si njeri konfidencial (që ruan fshehtësinë e asaj që kumtohet), i paanshëm, i specializuar dhe trajnuar për një barrë të tillë.

Shërbimi psikologjik ka filluar të japë frytet e veta në shumë shkolla të vendit, si të Tiranës, Beratit, Lezhës etj., kjo dhe falë disa psikologeve të reja dinamike, që duket se janë më të shumtat e më të zellshmet në radhët e psikologëve shkollorë. Ato përherë e më mirë po dinë të depërtojnë në problematikat e nxehta social-psikologjike të adoleshencës etj. Mund të thuhet se është ky “grupim” psikologesh të diplomuara vitet e fundit, që me përvojën e vet, përmes vëzhgimeve, sondazheve, anketave, ndërhyrjeve, gjer manualeve të para të fushës, po e konfiguron këtë shërbim në Shqipëri brenda më pak se një dhjetëvjeçari. Por varet dhe sa e si mbështetet ky shërbim mjaft i vlefshëm për shkollën. Drejtori i DAR Lezhë, zoti Kastriot Kodheli, gjatë një veprimtarie në Ditën Botërore Kundër Duhanit (31 maj), duke përshëndetur nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit “Hydajet Lezha”, atij të Ishull-Lezhës, si dhe të shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka”, ftoi në podium tri psikologet e reja, Majlinda Toma, Alma Shyti dhe Elona Deda, duke vlerësuar punën e tyre. “Takimin e parë si drejtor rajonal i arsimit e kam bërë pikërisht me psikologët shkollorë të rrethit”, u shpreh ai, duke shtuar se “cilësia e shërbimit psikologjik është dhe synimi ynë”.

E ardhmja është përherë një sfidë dhe psikologu shkollor sheh pikërisht atje, si do të sillen nesër në jetë “aktorët” e tij, që sot janë të vegjël. Ai këshillon, ndërhyn pa kushte, pa shpërblim, pa protokoll, ndonjëherë dhe pa faleminderit – dhe kjo është e mjaftueshme për kredencialet e tij në shkollë. Preokupimet e tij më së shumti janë: shëndeti mendor, zhvillimi psikosocial i fëmijës, shkalla e motivimit të të nxënit, integrimi i fëmijëve me probleme sociale etj.

 

Psikologjia shkollore në botë nisi njëqind e njëzet vjet më parë

Për ecurinë e shërbimit psikologjik, si risi në arsimin shqiptar, nevojitej dhe një bazë teorike. Në jo pak botime me interes, renditet dhe një manual i UNICEF-it, botuar më 2006-n, ku trajtohen për herë të parë kërkesat e punës së një psikologu shkollor, baza ligjore e shërbimit psikologjik, konceptet dhe përcaktimet themelore, struktura, këshillimi, dokumentimi, referimi e nxënësve pranë shërbimeve psikologjike të specializuara etj. Kurse nga “Qendra e Zhvillimeve Humane” u botuan materiale në ndihmë të psikologëve shkollorë, krahas trajnimit të frytshëm që u krye gjatë vitit 2009 në të gjithë vendin nga pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale të UT, si Theodhori Karaj, Adem Tamo etj. Në fokus ishin çështje të tilla si: vlerësimi i nevojave psikologjike, instrumentet për vlerësime psikologjike, këshillimi nga psikologu shkollor, ndërhyrja psikologjike në raste krizash, zhvillimi psikologjik i moshave shkollore, organizmi dhe menaxhimi i klasës, përfshirja e prindërve në edukim, menaxhimi i sjelljeve agresive, trajnimi i trajnerëve, shkolla si një institucion multidimensional etj. Dr. Edmond Rapti, i këtij Fakulteti, ka përgatitur dhe një cikël leksionesh të kursit “Psikologjia shkollore”, ku përvijohen hapat që ka hedhur kjo fushë e psikologjisë, relativisht e re dhe në botë. Autori shkruan se ndër përpjekjet e para ishte hapja nga Witmer e klinikës së parë psikologjike për fëmijët që kishin probleme në shkollë, në vitin 1892, qëllimi i së cilës ishte kurimi i problematikave shkollore në shkollat publike. Më 1900-n hapet nga Smedley laboratori psikofizik, ku psikologët nisen të bënin matje psikofizike të cilësive të ndryshme të sjelljes së nxënësit. Dy vjet më pas u hap nga Maximilan një institucion me emrin Byroja e Studimit të Fëmijëve, ku për herë të parë u mundësua përdorimi i testeve psikologjike, për matjen e shumë karakteristikave fizike e psikologjike të fëmijëve. Ky u quajt dhe psikologu i parë shkollor në botë. Në fillimet e shekullit të 20 u përzgjodhën njëzet shkolla në Çikago, si shkolla eksperimentale, për aplikimin e pyetësorëve të natyrës psikologjike etj. Në këto shkolla u fut shërbimi psikologjik, objekti fillestar i të cilit ishin fëmijët e braktisur. Ekipi i shërbimeve psikosociale përbëhej nga psikologu, mjeku, sociologu dhe punonjësi social. Në vitet ‘30, Walter në platformën e tij të shërbimit psikologjik përcaktoi gjashtë funksione të psikologut shkollor. Pas viteve ‘30 nisi një lëvizje për përfshirjen e psikologut shkollor në çdo shkollë amerikane, ku i pari që e bëri këtë ishte shteti i Nju Jorkut. Fillimisht në këtë pozicion u vendosën mësues, që kishin zotësitë praktike, por jo dhe aq aftësimin teorik. Pati hapa të tjerë në modernizimin e këtij procesi, por objekti do të mbetej po ai: “zgjidhja e problemeve psikologjike që kanë nxënësit në shkollë”. (Shih: E. Rapti, “Psikologjia shkollore”, Tiranë 2011.) Botime të mirëpritura në këtë fushë janë: “Psikologjia e zhvillimit të fëmijës” nga Theodhori Karaj, “Etika e këshillimit” nga Milika Dhamo, “Stresi dhe menaxhimi i tij” nga Qazim Dushku, “Psikologjia shkollore e zbatuar” nga Jeta Toçila Shkurti etj., si dhe një varg librash me rëndësi të autorëve të huaj.

 

Shkolla në fokusin social-psikologjik

Psikologu shkollor është “autonom” në punën e tij. Ai e ndërton planin e veprimtarive në përputhje me nevojat që ka shkolla për shërbimet psikologjike bazë, nisur nga mjedisi social ku ajo gjendet, me nxënës nga qyteti, nga qyteti dhe nga fshati, apo vetëm nga fshati, prania ose jo e konviktorëve etj. Në shkollat e Mirditës, Elbasanit, Korçës e të tjerë ka pikërisht një përbërje të tillë të larmishme, çka nënkupton dhe forma pune që t’i përshtaten asaj. Thënë ndryshe, karakteristikat e psikologjisë së zonës nuk mund të mos reflektohen në shkollë. Ashtu si ato të komuniteteve të caktuara sociale, si romë dhe egjiptianë. Ka vërtet një optikë të përgjithshme në veprimtarinë e psikologut shkollor, por ka dhe një kundrim të posaçëm ndaj kategorive fëminore në nevojë, me shqetësime familjare, shëndetësore etj: fëmijë të sëmurë, jetimë, të braktisur, nga familje të varfra, që kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike, stres, depresion etj. Psikologu shkollor “kuron” te fëmijët vetminë, frikën, dilemat, menaxhimin e keq të kohës, eksperimentimin me drogën e alkoolin, ndonjë mendim rreh vetëvrasjes, shqetësimet rreth seksualitetit etj.

Nuk është aq e lehtë të përfytyrohet se nga e siguron lëndën e parë të punës së tij një psikolog shkollor, ngaqë nuk merr pjesë drejtpërdrejt në procesin mësimor, nuk hyn e del në klasa pesë herë në ditë si të tjerët, se nuk jep mësim etj. Po ashtu, ai nuk bën punë edukative, nuk prin nisma mësimore etj. Për më tepër që mësuesit tradicionalë, të pamësuar me këtë zanat të ri të shkollës, shpesh kanë prirjen ta anashkalojnë, në kuptimin që këto punë i dimë vetë etj. Por ata të dy, mësuesi dhe psikologu shkollor, sido që të jetë marrëdhënia e sotme, kanë mjaft udhë për të bërë bashkë në përditshmërinë e përbashkësinë shkollore, ku prapë secili ka atë udhëzën e tij: mësuesit i lipset rezultati i matshëm në programin mësimor: të letërsisë, matematikës, fizikës, kimisë, gjeografisë, teknologjisë së informacionit, edukimit fizik etj., kurse psikologut shkollor nuk i lipset asgjë e matshme, por diçka tejet specifike, siç është mirëqenia e nxënësit në këtë proces, mirëqenia shpirtërore dhe mendore, të qenët e tij i motivuar dhe i pastresuar në shkollë dhe jashtë saj. Syri i tij është mprehur për të parë ato fijet delikate si të padukshme që të tjerëve mund t’iu rrëshqasin. Anketat dhe pyetësorët për të zbuluar veçori e dukuri psikosociale janë mjete në duart e tij, po ashtu konsultat me aktorë të shkollës për qasje të ndryshme, si dhe bisedat, temat, debatet dhe diskutimet nëpër klasa ku psikologu shkollor merr pjesë. Raportet e punës së drejtorisë dhe analizat në këshillat e mësuesve etj. Takimet me prindërit. Sugjerimet e nxënësve që kërkojnë këshillim. Strategjitë kombëtare e rajonale për fëmijët etj.

Thuhet me të drejtë, se psikologu shkollor, jo për ndonjë status favorizues, por për shkak të natyrës së profesionit specifik, duhet të bëjë që të tjerët t’i shkojnë “mbrapa”, mësuesit, nxënësit, prindërit, në kuptimin që ai të jetë vazhdimisht i kërkuar. Vetëm kështu ai mund të sigurojë ndihmës dhe bashkëpunëtorë për shërbimin psikologjik dhe të bëhet realisht i vlefshëm për komunitetin shkollor ku shërben.

 

Mësuesi, psikolog? Pse jo…

Tani që ky shërbim i specializuar po e mbulon shkollën përherë e më ndjeshëm, sa do të jetë i nevojshëm mësuesi në rolin e psikologut, për klasën e tij në kujdestari, apo lëndën e tij? A mos ai tani nuk e ka më këtë ngarkesë? Mendimi ynë është se mësuesi nuk është liruar aspak nga barra e të qenit psikolog i nxënësve dhe kjo për disa arsye:

E para, procesi mësimor është unik, i pandarë në aspektin pedagogjik dhe psikologjik. Askush nga mësimdhënësit nuk mund të thotë se po “bën” pedagogji në klasë dhe njëherësh jo dhe psikologji. Kjo dhe për vetë natyrën e të nxënit, ku dijet e reja do të merren përmes një metodike që mban parasysh dhe anët vetjake të nxënësit, temperamentin, karakterin, motivimin, vullnetin, ndrojtjen, stresin etj. Nuk mund të kesh sukses në procedimin mësimor, nëse nuk gjen mënyrat për ta tërhequr nxënësin në mësim, edhe kur ai ndihet i vetmuar, i mërzitur, i pavullnetshëm etj.

E dyta, siç u cek dhe më sipër, ende nxënësit tanë nuk e pranojnë lirisht psikologun shkollor, duke e menduar atë si një person që merret me nxënësit që kanë probleme të shëndetit mendor etj. Është në natyrën e nxënësit të jetë më i hapur me mësuesin kujdestar, që është më pranë tij, e njeh më mirë dhe si i tillë është më i besueshëm. Po ashtu janë të rrallë ata prindër që mund t’i kërkojnë fëmijës së tyre të rrëfehet te psikologu shkollor, kur ata gjithçka ia besojnë mësuesit për sa i përket fëmijës, madje në zonat rurale shpesh duke i sugjeruar dhe “thuprën” për të. Aq më tepër në ciklin e ulët zor se mund të mendohet ndonjë rol i psikologut shkollor pa ndihmesën e mësueses, që ende në këtë moshë konsiderohet si një prind i dytë për nxënësin vogëlush.

E treta, vetë mësuesit thonë se gjatë procesit mësimor ne e vëzhgojmë nxënësin në disa detaje që kurrë nuk mund të kapen nga dikush që nuk është i përfshirë në këtë proces, orë pas ore e ditë pas dite, ndaj dhe puna e psikologut mbështetet pikërisht në ato rekomandime që merr nga mësuesi, veçanërisht ai kujdestar. Një mësues lënde sillte rastin e një djali maturant që ndihej i kompleksuar të përgjigjej në mësim, pasi përqeshej nga djemtë e tjerë të klasës, që nuk mësonin, duke zhvilluar me të disa kontakte këshilluese, që atij t’i zgjidhej gjuha e “lidhur” nga keqkomunikimi i bashkëmoshatarëve të tij. Një mësues kujdestar, pas këshillimit me psikologun shkollor, trajton me kujdes, për disa javë, rastin e një vajze të zhgënjyer nga një lidhje sentimentale e nxituar. E cili mësues nuk u mor me çështje të tilla delikate të nxënësve të tij?…

E katërta, vetë elementet strukturore të shërbimit psikologjik e kanë përfshirë mësuesin si anëtar i grupit mbështetës etj. Por ky grup ndihmës i shërbimit psikologjik, për të qenë i motivuar e realisht veprues, mund të lehtësohet nga ngarkesa mësimore, me dy apo tri orë mësimi, në shkolla me mbi pesëqind nxënës.

E pesta, ka disa mësues që janë më pranë profilit të psikologut, si i psikologjisë, i sociologjisë, i biologjisë, i edukimit fizik, apo dhe i informatikës etj. Nuk ka se si këta të trajtojnë aspekte të mësimdhënies që lidhen me fëmijët, vetëm në përgjithësi e teorikisht, pa pasur parasysh dhe terrenin ku veprojnë nxënësit e tyre. Mund të shkoqitet se cila mund të jetë qasja e çdonjërit nga këta mësues në raport me objektin për të cilin po flitet, ama dhe mësuesi në dukje më pa lidhje me psikologjinë, ai i informatikës, ka se ç’të bëjë në rolin e këshilluesit psikologjik, përderisa në nxënësit e tij ka një varësi përherë e më të madhe ndaj rrjeteve sociale.

Psikologët e njohur ngulmojnë se roli i mësuesit është i pazëvendësueshëm në të dyja rastet kur psikologu shkollor ofron shërbim psikologjik për nxënësit, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi.

 

 “Më fal, mësues Marku!”

Se sa thelbësor është bashkërendimi i psikologut shkollor me mësuesit dhe drejtorinë e shkollës, e tregojnë dhe disa episode në pamje të parë të thjeshta, po që lidhen me shqetësime të papërballueshme të nxënësit dhe që nuk janë aq sporadike sa mund të duket. Një nxënës nuk e ka duruar opinionin mbytës të shokëve të tij, që e përqeshnin duke i përmendur të atin të sëmurë mendor, ndaj ka shkuar në Zyrën Arsimore për të kërkuar transferimin në një shkollë tjetër. Ky është një rast domethënës, se si një shoqëri e pakultivuar nuk di të sillet me njerëzit në nevojë, shpesh duke shkaktuar shqetësime tek të afërmit e tyre, veçmas te fëmijët. Kjo është nganjëherë shoqëria jonë lara(hu)mane. Një nxënës i tillë nuk e braktis shkollën, paçka se befas ëndrra i është prishur. Mësuesit nuk kanë ditur a nuk kanë mundur t’i gjenden në krah që në vogëli, duke e lënë në brengën e vet. Të vjen ndërmend një episod jetësor rrëfyer nga poeti i njohur Viktor Gjikolaj (Lezhë), nga Kurbneshi i fundviteve ‘60. Mësuesi i tij, Mark Arapi (kishte kryer studimet ushtarake në Modena të Italisë, po për shkak të rrethanave politike të pasluftës, e kishin larguar nga ushtria) kishte shfaqur bindjen për zotësitë jo të zakonshme të një nxënësi, nëse ai do të vazhdonte të shkollohej. Por fati i atij “gjeniut” kishte qenë tronditës, ai kthehet nga studimet e larta i sëmurë mendor, duke i ndërprerë ato. Një ditë në restorantin e minierës po bënte rrëmujë, si dhe herë të tjera, kur befas i kapi syri mësuesin e 7-vjeçares, dhe me hapa të ngadaltë shkoi drejt tavolinës së tij. U ndal, drejtoi trupin e rënduar nga sëmundja, vuri dorën në zemër dhe u përkul, si para një hyjnie, duke shqiptuar me ton përgjërues: “Më fal, mësues Marku!” Kjo ishte skena, që do ta kishte lakmi dhe Frojdi apo Jungu. Atë çast mësuesin “pedant” të atij viti të largët 1969 e kishte tradhtuar një lot. V. Gjikolaj,  dikur i privuar nga shkollimi e tash i diplomuar për letërsi, kujton: “Mësues Marku i vëzhgonte tipat e ndryshëm për një kohë të gjatë dhe në pavarësi të plotë nxirrte përfundimet e duhura, që sipas rastit ua thoshte nxënësve apo prindërve. Kishte krijuar besim të madh te njerëzit. Para nesh nuk ishte thjesht mësuesi, por njeriu i ditur, mendimtari, psikologu i pagabueshëm në gjykimet e tij. Ai i ndërtonte marrëdhëniet me nxënësit e prindërit duke njohur nivelin dhe mendësitë e tyre, problemet familjare etj. Psikologjia popullore e vështron personalitetin njerëzor me thjeshtësi e thellësi të çuditshme. Nuk thonë kot për një fëmijë të mangët: “Asht prej familje soj, por ka rreshqit…”

Paçka ndryshimeve të sotme social-kulturore e arsimore, mësuesi prapë nuk ka dalë nga roli prej psikologu këshillimi. Ashtu si mësues Marku dikur dhe klasa e tij e arsimtarëve. Vërtet sot ka specialistë (klinistë, terapistë) që merren me kurimin e çrregullimeve të personalitetit, depresionit, devijancave etj., ama mësuesi është “terapisti” i së përditshmes, poseduesi i laboratorit më të larmishëm të sjelljeve njerëzore, që është shkolla dhe oborri i saj. Gjatë semestrit të parë të vitit shkollor, IKAP-i ka ushtruar kontrolle dhe bërë vlerësime në disa shkolla të vendit, mbi cilësinë e shërbimeve të ofruara, pra dhe atij psikologjik, duke e parë atë të lidhur ngushtë dhe më pozitën e mësuesit. Ky shërbim tashmë funksionon, por “kushtet dhe mjedisi i punës së psikologut shkollor kanë nevojë për përmirësim, si në sigurimin e mjedisit vetjak të punës, ashtu dhe në cilësinë e këshillimit që psikologët shkollorë ofrojnë.” (“Mësuesi”, 2 shkurt 2012). E në gjithë këtë “maratonë” përkujdesi dhe trajtimi social-psikologjik të nxënësve, mësuesi gjithsesi është i përfshirë, ashtu si dhe drejtuesit e shkollave dhe ZA-ve. Ndërkohë që do të duhet shumë punë që dhe prindi t’i qaset shkollës me tjetër receptim, atë të bashkëpunuesit dhe jo të llogarikërkuesit tradicional.

 

Prindi, bashkëpunues i psikologut shkollor? E vështirë…

Në një nga ditët e fundit të vitit shkollor, një prind, që mezi e fshihte zemërimin, kishte shkuar në shkollë të “njihej” me mësuesin kujdestar të djalit të tij… mbetës! Po të mos ishte katra në njërën nga lëndët, ai nuk do kishte begenisur të njihej ndonjëherë me mësuesin bashkëqytetas. Por vente për të bërë zakonin më të keq prindëror, atë të grindjes me mësuesin, për notën e fëmijës. Nuk është ndonjë gjë e re të thuhet se shkolla nuk mund të bëjë përpara pa prindin. Madje duket e kaq lashtë kjo. Por praktika tek ne është dëshpëruese. Edhe pse kanë ndodhur ndryshime sociale, kulturore dhe arsimore, duket se nuk e kemi gjetur fillin se si prindin ta bëjmë pjesë reale të shkollës. Ai është vite dritë larg rolit të tij bashkëpunues me shkollën, le pastaj me shërbimin psikologjik si diçka krejt speciale. Nuk është fjala për një dorë prindërish bashkëpunues, por në tërësi rastet e komunikimit me prindërit e zonave rurale kanë qenë “kokëforta” nga ana e tyre; pak a shumë sipas logjikës “e dimë ne si bëjmë me fëmijën tonë”, si për ta mbajtur, si për ta larguar nga shkolla.

Psikologët vazhdimisht rreken ta përkufizojnë adoleshencën, por duket se askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë se vetë adoleshentët, që janë vetvetja dhe duhen ndihmuar për të qenë të tillë. E për këtë, më së pari duhen kuptuar. Veçanërisht mësimdhënësit besojnë se i njohin, i kuptojnë, por në thelb vetëm ata (rinorët) e njohin thellësisht veten, ashtu siç janë, kurse të tjerët, mësuesit, prindërit, psikologët shkollorë, sociologët mund t’i njohin pak a shumë përmes vetë atyre, si të thuash me “lejen” e tyre. Kur i shohim 15-vjeçarët në oborrin e shkollës, në rresht, në klasë, shpesh i mendojmë thjesht, përciptazi, nuk e dimë sa janë të ndjeshëm, të zotë, pasi i masim me kutin tradicional të të madhit për të voglin, ndërkohë që ata janë shumë më shumë se i dimë ne. I ka bërë informacioni i jashtëzakonshëm që marrin, veçanërisht ai virtual, dhe jo vetëm. Sidomos prindi e ka të vështirë këtë receptim të brezit të ri të sotëm, ndaj shpesh i qaset me stilin e vjetër. Çfarë domethënie ka prania e prindërve (turmë) te porta e shkollës, ditën ku zhvillohet provimi i maturës shtetërore? Solidaritet me të birin, të bijën, në një ditë e “vështirë”? Zor të ketë ndonjë ndikim ndenjja e mamit apo babait pas gardhit të shkollës, kur ai është në sallën e provimit dhe as që e sheh prindin e djersitur? Nuk është kjo, empirikja, formalja, rruga për t’iu gjendur fëmijës. Si prind, po të rrish më pranë mësuesve, psikologut shkollor, sociologut, të këshillohesh me ta, do të kuptosh disa gjëra jo dhe aq të dukshme por mjaft serioze, si abuzimet seksuale në adoleshencë, që më pas shoqërohen me trauma etj.

Sjella është mjaft e rëndësishme, pasi fundja ajo është gjithçka që bën njeriu. Në pamje të parë, sjellja e adoleshentëve ngjan alarmante, por nuk është kështu. Më saktë mund të thuhet se ajo është komplekse. Duhet lexuar dhe kuptuar mosha delikate me të gjitha dritëhijet e veta. Terry F. Pettijohn vëren se janë proceset biologjike ato që shpesh shoqërojnë sjelljen dhe njohjen. Po si mund ta kuptojë këtë prindi, kur ai në vend që të depërtojë në thelbin e gjërave, ende ka në majë të gjuhës atë frazën shabllone “kur ishin ne të rinj, ishim tjetër”. Adoleshenti bën një kapërcim të madh nga fëmijëria në botën e të rriturit, ku Erikson formimin e identitetit e sheh si gjënë më themelore tek ai. Do të donim ta lidhnim këtë proces dhe me kultivimin e humanizmit te fëmijët. A po rrisim ne sot njerëz altruistë, bamirës, që sakrifikojnë për tjetrin? Apo shembujt për këto i marrim nga filmat e realizmit socialist, apo tek ndonjë mësuese kineze heroinë që “shkurton” këmbët e saj për të shpëtuar një fëmijë nga rrotat e makinës. David G. Myers analizon altruizmin në parametrat e sotëm socialpsikologjikë; njerëzit jo rastësisht dhurojnë gjak, bëjnë punë vullnetare, ndihmojnë të sëmurët kronikë etj. E ku më shumë se në shoqërinë tonë me aq shumë trauma morale dhe sociale ka vend për altruizëm? Ndaj për shkollën, kjo është një temë e hapur.

 

Përmbyllje

Shtypi periodik, gazeta “Shqip” dhe posaçërisht suplementi “Ndryshe”, publikon herë pas here shkrime për arritje të psikologjisë botërore, por duket se ka mungesë të trajtesave, studimeve, raporteve nga vendi mbi dukuritë psikologjike. Në studio televizive shihen përherë e më shumë psikologë dhe sociologë që diskutojnë me kompetencë për mjaft dukuri të Shqipërisë së tranzicionit, por për psikologjinë shkollore ka vend të flitet më shumë.

Dhe ashtu siç e nisëm këtë shkrim me një adoleshent, po e mbyllim po me një adoleshent.

E pyetëm një djalë të shkollës 9-vjeçare, që mbahej si “lider” mes shokësh jo të rregullt, si dhe ku e shihte ai veten nesër kur të rritej. Dhe përgjigjja ishte e sinqertë: “nuk e di”. Ai ishte më i vërtetë se disa tipa që nxitonin të përgjigjeshin rutinë, që nga klasa e parë, unë do të bëhem mjek… inxhinier… jurist… piktor… stilist etj. Sepse ai nuk e dinte se ç’do të bëhej. Dhe jo vetëm ai. A duhej bërë diçka nga elita mësimore që ai të dinte, pak nga pak, sot e nesër, se çfarë do të “bëhej” kur të rritej? Natyrisht. Ashtu si “kori” i klasës ku të gjithë do të bëheshin me profesione të “arta”, të kuptonte dhe ai se si mund të bëheshe jo vetëm inxhinier – po dhe mekanik, jo vetëm mjek – po dhe infermier, jo vetëm menaxher – po dhe hotelier etj.

Elita arsimore: mësues, drejtues, inspektorë, psikologë shkollorë, forume nxënësish, borde shkolle, komitete prindërish, është e gjitha aty, duke dhënë e marrë përditë me edukimin, mësimdhënien, cilësinë. Por mundet jo përherë si një zë i përbashkuar bashkëkohor.

Autor te 20 Qershor 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • era

    eshte e vertete