Kryesoret Festa për Nishanin, Islami së bashku me mazhorancën

Festa për Nishanin, Islami së bashku me mazhorancën

260
SHPËRNDAJE

Në darkën e shtruar merr pjesë Basha. Mungon Dule

Mazhoranca është mbledhur dje për të festuar zgjedhjen e Bujar Nishanit si kreu i ri i shtetit. Një restorant në periferi të Tiranës ka bujtur dje një duzinë deputetësh, që u përkisnin grupeve parlamentare të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Por në këtë aktivitet nuk kanë munguar as ministrat e kabinetit “Berisha”. Interesante në mbrëmjen e djeshëm ka qenë prania në festë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe po kështu e kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Po kështu, në festë nuk mungoi as deputeti i pavarur, Kastriot Islami, i cili mori pjesë në votimin që u bë për Presidentin e ri të Republikës. Nga ana tjetër ftesës për pjesëmarrje në këtë festë nukiju përgjigj, kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili gjithashtu mori pjesë në votimin për President dhe u përgëzua për këtë nga Kryeministri Berisha. Por në festën e djeshme nuk është ftuar dhe për pasojë nuk ka marrë pjesë ish-deputeti demokrat, Gazmend Oketa, i cili ndonëse mori pjesë në votimin për President nuk gëzoi mirënjohjen e mazhorancës në lidhje me këtë aktivitet. Darka e djeshme e cila ishte e shoqëruar edhe me muzikë ishte një formë feste e krijuar nga demokratët për të celebruar faktin se në krye të shtetit u mandatua një figurë e dashur dhe e respektuar prej tyre. Pikërisht afërsia e PD-së me figurën e Bujar Nishanit bëri që në festë të mos ishte pjesa e majtë e politikës së vendit. Rreth pesë vjet më parë, PD bëri një festë për të kremtuar zgjedhjen e Presidentit të asaj kohe, ish-kreut të grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, por me ndryshimin e vetëm se në atë periudhë media u lejua të xhironte në ambientet e brendshme.

F.Mejdini