Në një libër, ish-presidenti francez zbulon të gjitha konfidencat e tij me kancelaren gjermane: Angela është simpatike dhe i pëlqen të hajë shumë
“Ajo vesh ca rroba të çuditshme, por nuk është aspak e shëmtuar ama”. Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, duke folur në konfidencë me ish-minstren Roselyne Bachelot, e ka përshkruar në këtë mënyrë kancelaren gjermane, Angela Merkel. Rrëfimet e bërë nga ish-presidenti francez janë përmbledhur në një libër nga ish-ministrja Bachelot me titull “A feu et … sang”.
“E di, Angela është shumë simpatike, – thotë Sarkozi, sipas asaj që raporton ish-ministrja e tij, – kur i pëlqen ndonjë film ma dërgon menjëherë. Por pastaj kur vishet, zgjedh ca rroba…” këto janë fjalët e Sarkos, sipas rrëfimit të Bachelot, të cilat shprehin në këtë mënyrë rezervat e tij në stilin e të veshurit të kancelares gjermane, marrëdhëniet me të cilën duhet thënë se i ka pasur të shkëlqyera, të paktën publikisht kjo ishte përshtypja që të krijohej.
Gjithmonë duke iu referuar librit, Sarkozy rrëfen edhe për zakone të tjera të ‘lezetshme’ të kancelares. Sipas tij, kur kishin ndonjë takim të rëndësishëm, Merkel kërkonte që fillimisht të hanin mëngjes në dhomën e ngrënies, pasi aty kishte më shumë gjëra për të konsumuar dhe kur mbaronte mbledhja, gjithmonë e ftonte ish-presidentin e Francës për të pirë një gotë në bar, edhe pse Sarko ia kishte thënë se nuk pinte alkool.
Ish-ministrja Bachelot rrëfen gjithashtu si Merkel i kishte dhuruar Sarkozy një hapamatës, duke e njohur dashurinë e tij për vrapin dhe sportin në tërësi, si dhe një pajisje për të mbajtur purot, i dizajnuar posaçërisht për të.
20 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)