Anil Kurti
Ditë e enjte vere. Dielli ka mbledhur qerpikët dhe ende s’e ka lëshuar atë nxehtësinë e zakonshme të stinës. Nisemi për në kanionet e Bënjës, 14 km në të dalë të qytetit të Përmetit. Kam kaluar me mijëra herë në këtë rrugë, në këto vise. I kam shkelur, por mbetet kaq e bukur kjo zonë si të vish për herë të parë, sepse natyra ka stisur aq bukuri sa i fsheh e i nxjerr çdo herë që vjen. Vijës së xhadesë ka plepa e disa pemëza që disa prej tyre i ka tharë stina. Vështrimet m’i shoqëron rrjedhshmëria e qetë e lumit Vjosa, që shtrihet nëpër vijën tokësore me një zhaurimë të ëmbël e që të shoqëron derisa futesh në rrugën e shtruar drejt ujërave termale. Pylli është i dendur dhe syri të prek gjelbërim. Nga xhamat e makinës depërton dielli dhe të mbulon me dritë. Diku më tej një burim tokësor shtrin rrëmujshëm krahët, duke marrë me vete gjethe të thara dhe rrotat e makinës lagen duke lënë vijat, sipër tokës së tharë. Përgjatë rrugës, në një kthesë ku ka pjerrtësi e më poshtë ku pjerrtësia ulet në një tjetër rrugë, ndodhet mulliri i vjetër, tashmë i braktisur.
Duket si tempull legjendash mitike. Eci nëpër rrugicën që të çon në një kthinë të vogël e mbushur me pemë që zgjatin krahët përqafuar teksa i përshkojnë tufa-tufa rrezet e diellit. Përdhe janë shpërndarë degëza pemësh e gjethesh e që shtroja e tyre me ca lule pylli jep një pamje mahnitëse. Diku më tej të shoqërojnë me këngën e tyre gjinkallat, që duket se lajmërojnë orë të nxehta, në atë rrugë të mbushur me bukuri që të zgjon idenë se po kalon nëpër parajsën më të bukur tokësore. Më tej duket “liqeni me lulësi”, kështu e kanë pagëzuar shpirtrat e dashuruar. Një vend i vogël i mbushur me ujë nga rrjedha e lumit të Langaricës. Degëzat që i rrinë sipër këtij “liqeni” rrëzojnë gjethe mbi gurët e mëdhenj e mbi ujë. Një panoramë që të mbush shpirtin… Sa fjalë janë thënë aty! Sa shpirtra janë bashkuar nën këtë dritën e diellit, apo nën dritën e hënës …netëve të vona të verës. Larg syve të botës. Parajsë për shpirtin njerëzor. S’i rezistova dot asaj panorame dhe e shtiva brenda shpirtit, për të më zgjuar ëndrra jete… Pasi kaluam mullirin e vjetër, donim edhe pak kohë që të mbërrinim, por na ndali një kalimtar i rastit, që mesa duket kishte ecur më këmbë e ndihej i lodhur. E ndalojmë dhe e marrim në makinë. Na përshëndeti dhe dukej i mbajtur, ndonëse ishte pensionist. Unë vështroja përtej në hapësirë, në atë peizazh që e kisha parë qysh e vogël, por tani e shihja ndryshe, gjithë atë bukuri, sepse tani më përkiste… më zgjonte atë muzën e magjishme brenda shpirtit. -Kam qenë traktorist, – tha pasagjeri. I kam parë këto toka me bar të buisin në pranverë, gjethet që mbushin pyllin dhe bëhet prill e lulëzim çdo gjë. I tha ashtu plot krenari, sikur ne t’i shihnim për herë të parë. – Është mrekulli e Zotit, në të gjitha stinët, – plotësoi mendimin e tij. Për të treguar se e njihte pëllëmbë për pëllëmbë, atë vend. “Vjen, fle Mëma natyrë”, – tha dhe heshti. Mes heshtjes që pllakosi, befas u duk fushëpamja e madhe që zbulon gjithë atë bukuri magjike. Zbritëm dhe tek ecnim, nga e djathta shkon qetë lumi i Langaricës. Aty-këtu dëgjohen të qeshurat e njerëzve, llokoçitjet e fëmijëve që hidhen dhe bëjnë stërkala uji, duke lagur gjithë vendin përreth. Disa njerëz marrin rreze, të tjerë janë futur në ujërat shërues, por nuk mund të më shpëtonin nga syri edhe dy vajza që kalojnë sipër urës së Katiut, duke hapur nëpër ajër shamitë që drithëronte era e që dukeshin sikur kalonin të bukurat shqiptare, ato që ishin ngritur nga legjendat e jetësonin vendin. Të gjashtë gropëzat me ujëra biokarbonatike, që përbëjnë gjithë kanionin, një nga resurset më të bukura të vendit tonë dhe më të çmueshmet për vetë specifikën kurative të sëmundjeve të lëkurës, reumatizmës, stomakut. Më në skaj-fund të të gjithë asaj panorame, duket sikur natyra ka ulur fytyrën e saj, për t’u prehur… Duket sikur sytë e lëngëzuar i rrjedhin prej shpirtit asaj natyre, ilaç që shëron… Pak e thepisur, pak e egër shtrirja deri në tokë e shpellave të zhveshura vende-vende e të mbuluara me një kësulë gjelbëroshe. Duket sikur mbështjellin mister thellësia e guvave dhe shpellave që zgjaten dhe mbulojnë e ruajnë atë çka natyra ia ka dhënë njeriut… ujin shërues të rrethuar me zallin e bardhë, duke vizatuar një mozaik panoramik të mrekullueshëm. Ato shpella të larta duket sikur fshehin, nuk hapen në tej-qiell. Duket sikur atë bukuri e shikon vetëm syri i njeriut. Është vetëm për të… Kishim mbërritur te Shpella e Pëllumbave dhe po e shihja me vëmendje teksa kalimtari që tashmë ishte bërë shoqëruesi ynë foli: – Ka një legjendë kjo shpellë. Ma ka treguar ime gjyshe. Të paktën kështu ma ka treguar ajo, -përforcoi mendimin e tij ai mesoburri për të qenë më i besueshëm. Vite më parë këtu në këtë vend gjetën strehë dashurie dy pëllumba. Takoheshin pikërisht në këtë shpellë. Por ndodhi që një ditë pëllumbi nuk erdhi. E kishin kapur në çark, ndoshta gjahtarët… Ajo, pëllumbesha e priti …nuk rreshti së prituri çdo herë. Nuk u lodh kurrë… Priste të dashurin e shpirtit, ajo e bukura pëllumbeshë. Por, ai s’erdhi …gjersa ajo dha shpirt në pritje… E sheh këtë si krah pëllumbi këtu, anës shpellës, – tha, – është krahu i saj. Ka pushtuar vendin në mungesë të tij. Dhe e tregonte me pasion aq të madh, sa e bënte të vërtetë atë rrëfenjë. Unë buzëqesha… Ndoshta e sajoi, – mendova, – se nuk e kisha dëgjuar më parë këtë legjendë dhe vërejta thinjat që i tregonin mençuri. Në ato çaste, më shkundën nga mendimet disa pëllumba të egër që dolën nga shpella dhe më morën me flatrimat e tyre, për të parë nga qiellnaja tërë atë bukuri parajse, por edhe sikur kërkonin zërin e legjendës. U përshëndetëm me të dhe e falënderova, sepse ajo çka tregoi më pëlqeu, duke i dhënë sens gjithë udhëtimit tim. Pastaj hapa krahët dhe doja ta pushtoja këtë bukuri të gjithën dhe të bërtisja: “Këtu është oaz perëndie! Ia vlen të shikosh këtë bukuri magjike, ku prehet Mëma natyrë…!”