Reagimet


Meçaj: Kriteret përmbajnë hapësira penalizuese


Bledar Hoti


Drafti paraprak i Ministrisë së Drejtësisë “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” merr vërejtjet e para nga radhët e konstitucionalistëve. Drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, në një prononcim për gazetën “Shqip”, shprehet se çështja e integritetit të gjyqtarëve mund të përdoret nga politika për eliminimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Në fakt, lidhur me integritetin e njerëzve që emërohen si gjyqtarë, unë do të isha pozitivisht nëse do të futeshin kritere të tilla, por jo gjëra të tilla se kush ka qenë këtu apo aty, që vendosen vetëm për qëllime të caktuara, penalizimin. Puna është se qëkur i pranojmë ne në shkollën e Magjistraturës duhet të dimë se çfarë vlerash dhe integriteti kanë, sepse pasi hyjnë në shkollë, emërimi i tyre bëhet i detyrueshëm dhe se koha tregoi se është shumë e vështirë të verifikojmë qëndrimin e gjyqtarëve apo dhe siç thotë populli ‘ti kapin me presh në dorë’. Realisht ne nuk kemi asnjë proces që i vlerëson kandidatët nga kjo pikëpamje”, theksoi Meçaj. Një tjetër çështje që kryetarja e KSHH-së ngre, është edhe hapësira që lihet në ligj në lidhje me pranimin e kandidatëve për anëtarë dhe nga fushat e tjera, duke i ikur kriterit të qenies për jo më pak se 15 vite gjyqtarë. “Ajo që kam vërejtje unë, është se kur vendosim si rregull karrierën, lihet shtegu hapur për të futur njerëz të tjerë. Ky shteg që lihet i hapur, bëhet për të futur ndonjë akademik me tituj. Ky është rreziku më i madh, sepse i jep mundësi politikës të emërojë njerëz që kanë punuar, p.sh. thotë ai në Ministrinë e Drejtësisë. Po kush është ky e sa duhet të ketë punuar dhe sa kapacitete ka ai? Kjo ngelet në vlerësimin e politikës pastaj. Unë jam e mendimit se 90 për qind e anëtarëve që duhet të jenë në Gjykatën e Lartë, duhet të jenë gjyqtarë karriere. Pra, nëse nesër Gjykata e Lartë bëhet me 19 anëtarë, atëherë vetëm 2 vetë mund të jenë me këto kritere përjashtimore. Të tjerët, 17 anëtarët, duhet të vijnë nga karriera e gjyqtarëve, pra minimalisht me 15 vjet punë. Ne kemi eksperienca të tilla si në emërimin e ambasadorëve, ku një përqindje e caktuar merret nga fusha të tjera, jo nga diplomacia, por në një kuotë të caktuar”, thekson Meçaj. Juristja e njohur bën të ditur se ka qenë e pranishme në tryezën e organizuar disa ditë më parë nga Euralius në konferencën ndërkombëtare “Reformimi i Gjykatës së Lartë”. Në këtë takim është diskutuar dhe mbi një draft të ri për këtë gjykatë, ku mësohet se ekspertët e huaj të pranishëm kanë kërkuar një draft të plotë për Gjykatën e Lartë, duke rrëzuar projektin paraprak të Ministrisë së Drejtësisë, i cili përmban vetëm 10 nene. “Kryetarja e Gjykatës së Lartë u shpreh në këtë tryezë se anëtarët e Gjykatës së Lartë po punojnë në hartimin e një drafti tjetër, që është krejt tjetër nga kjo,që na lë të kuptojmë se Ministria e Drejtësisë nuk ka një bashkëpunim me Gjykatën e Lartë, pra ka një tendencë ekzekutivi që të punojë në mënyrë të njëanshme, duke mos e përfshirë gjyqësorin në hartimin e drafteve”, thekson Meçaj. Në draftin e Ministrisë së Drejtësisë parashikohet se kandidatët shpallen mbi bazën e vlerësimeve të posaçme si: “i. Të gëzojë integritet të lartë moral, ku përfshihet ndër të tjera transparenca e plotë dhe e dokumentuar e të gjitha të ardhurave e aseteve dhe pagimi i të gjitha detyrimeve tatimore; ii. konflikt interesi apo lidhje nepotike me gjyqtarë të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm; iii. përbërja e trupës gjyqësore, në momentin e emërimit të kandidatit, duke synuar balancën ndërmjet përvojave personale të anëtarëve; iv. informacionet konfidenciale në lidhje me kandidatët, të disponuara nga organet e sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike”.


 


Meçaj – Kryetarja e KSHH-së shprehet se varianti është paraprak, por është kundër kritereve dhe hapësirës së gjerë të pranimit


Drafti – Në draftin e hartuar nga ministria, presidenti duhet të realizojë konsulta paraprake me PD-në dhe PS-në para firmosjes së dekreteve të anëtarëve


 


Tabela


Kriteri shtesë për anëtarë gjykate


I.   Të gëzojë integritet të lartë moral, ku përfshihet ndër të tjera transparenca e plotë dhe e dokumentuar e të gjitha të ardhurave dhe aseteve dhe pagimi i të gjitha detyrimeve tatimore;


II.  Konflikt interesi apo lidhje nepotike me gjyqtarë të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm;


III. Përbërja e trupës gjyqësore, në momentin e emërimit të kandidatit, duke synuar balancën ndërmjet përvojave personale të anëtarëve;


IV.  Informacionet konfidenciale në lidhje me kandidatët, të disponuara nga organet e sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike