“Shpërthen” Barrozo: Nuk kemi ardhur për leksione demokracie këtu!
Situata e Eurozonës është tema dominuese në takimin e G20-s në Meksikë këtë javë. Por Presidenti i Komisionit Europian, Barrozo, duket se është lodhur shumë nga gjithë diskutimet. Në ditën e parë të takimit duket se tashmë, i frustruar nga e gjithë situata, ai deklaroi se Europa është duke bërë gjithçka që ka mundësi. Por sigurisht, jo të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë në një mendje me të.
Merkel, në arenën ndërkombëtare, shihet si një figurë kyçe për sa i takon kalimit dhe menaxhimit të krizës së Eurozonës. Si e tillë ishte normale që ajo ta merrte në takim fjalën e para. Ajo që tha Merkel nuk ishte një e papritur për audiencën. Ajo numëroi gjithë masat që ka marrë BE për zgjidhjen e krizës, duke filluar nga pakti fiskal, ngritja e fondit për shpëtimin e Euros, kapitalizimi i bankave, pakti i rritjes ekonomike dhe hapat e ndërmarrë drejt një unioni financiar. Ndërkohë, fitorja e brishtë e forcave pro paketës së shpëtimit financiar në Greqi tregon se sa e brishtë është vetë situata e monedhës dhe se sa shpejt mund të ndryshojë situata në këtë kontekst. Për më tepër që tashmë, edhe Italia dhe Spanja ndodhen në një moment shumë kritik.
Tashmë problemi i euros dhe i krizës në vendet e Eurozonës nuk është më një problem vetëm i vendeve të përfshira në këtë situatë, por global, që ka një ndikim gjithnjë e më të madh në vendet e tjera të botës në ekonomitë e planetit. Në këtë këndvështrim e shohin edhe institucionet ndërkombëtare monetare si Fondi Monetar Ndërkombëtar. Shefja e fondit, Lagarde, deklaroi se për shkak të krisës, vendet e goditura nuk kanë mundësi që të ndihmojnë si më parë FMN-në dhe kjo bie në kurriz të vendeve që përfitojnë nga kjo organizatë. Ndaj kriza e Euros mund të quhet me plotë gojë në krizë që prek pa dyshim edhe ekonomitë e tjera. Ndaj pakënaqësive ndaj BE-së, shefi i saj, Barrozo në një ton jo shumë të qetë, ku lexohej qartësisht lodhja dhe frustrimi nga situata, deklaroi se nuk kishte ardhur në këtë takim për të marrë leksione në lidhje me demokracinë apo me mënyrën e menaxhimit të ekonomisë. Sipas tij, kriza nuk e ka origjinën në Europë. Ajo ka nisur së pari në Amerikën e Veriut dhe për shkak të krizës amerikane një pjesë e madhe e sektorit financiar dhe bankar europian u “infektua” dhe tani është duke vuajtur pasojat e këtij kontaminimi. Takimi i kësaj radhe supozohej që të ishte më harmonik dhe më i paqtë dhe jo si ai i një viti më parë në Kanada, kur të gjithë iu sulën vendeve europiane. Por kjo nuk ishte e mundur, sepse ishte e vështirë që të sheshoheshin kontradiktat mes vendeve të ndryshme. Takimi është edhe shumë i gjerë krahasuar me atë të vendeve të G7-s. Merkel dhe Obama kanë pasur edhe më parë përplasje për menaxhimin e krizës dhe rrezikun që ajo po sjell për ekonominë amerikane. Edhe këtë herë dolën qartazi në pah dasi të tilla, edhe pse Obama u përpoq që të ishte më i qetë dhe më në kontroll të situatës. Sipas tij, kjo vinte ngaqë gjermanët janë treguar më të hapur ndaj propozimeve të tjera për kalimin e krizës, si ai i francezëve për ndërmarrjen e masave të rritjes ekonomike, veç atyre për shkurtimin e shpenzimeve. Ajo çka ka dalë deri më tani nga ky takim është shqetësimi për përshkallëzimin e krizës dhe mungesa e një strategjie fitoreje.