Largimi
Skuadra e drejtuar nga Bert van Marvijk ishte zhgënjimi më i madh i turneut
Holanda është kthyer në shtëpi pas eliminimit të turpshëm në Euro 2012. Lojtarët dhe stafi teknik i “tulipanëve” zbarkuan në aeroportin e Amsterdamit, ku pavarësisht paraqitjes zhgënjyese u pritën nga disa tifozë dhe nga media të shumta. Skuadra e drejtuar nga Bert van Marvijk e nisi aktivitetin kontinental si një prej favoriteve për të fituar trofeun, megjithatë ata humbën 2-1 në sfidën e fundit të Grupit B përballë Portugalisë, duke e mbyllur aventurën në vendin e fundit dhe pa asnjë pikë të grumbulluar. Më parë “tulipanët” ishin mposhtur 1-0 nga Danimarka dhe 2-1 nga Gjermania. Tashmë paraqitja e Holandës do të analizohet me hollësi, ndërsa të gjithë tifozët po mundohen të kuptojnë rënien e papritur të skuadrës që fitoi nëntë sfida gjatë kualifikueseve. Holanda ka një skuadër të mbushur me yje, me sulmuesit Robin van Persi dhe Klas-Jan Huntelar që kanë përjetuar një sezon të shkëlqyer. Van Persi ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit anglez me 37 gola për Arsenalin, ndërsa Huntelar ishte lojtari që shënoi më shumë në kualifikueset e Euro 2012 me 12 rrjeta, si edhe golashënuesi më i mirë i Bundesligës me 29 gola për Shalken. Tatëpjeta e holandezëve nisi në ndeshjen e parë kundër Danimarkës, ku edhe pse e dominuan sfidën dhe krijuan shumë raste për shënim, ata u mposhtën 1-0. Në sfidat e tjera, me dy rivalët më të vështirë, Gjermaninë dhe Portugalinë, skuadra zhgënjeu në lojë dhe rrjedhimisht doli e humbur nga fusha. Trajneri Van Marvijk pranoi përgjegjësinë për dështimin e skuadrës, por bëri të ditur se kontrata e tij në krye të përfaqësueses holandeze skadon në vitin 2016 dhe për momentin nuk ka ndërmend të diskutojë për të ardhmen. E turpshme; tronditëse; e pajustifikueshme. Këto janë vetëm disa prej epiteteve që mund të përkufizojnë zhgënjimin e Holandës në Euro 2012. Nënkampionët e botës u eliminuan që prej fazës së grupeve, pas tre humbjeve në rend kronologjik me Danimarkën, Gjermaninë dhe së fundmi me Portugalinë. Pavarësisht se ishin një prej skuadrave më të kuotuara dhe yjeve që kishin në kontingjent, “tulipanët” i dhanë lamtumirën e parakohshme aktivitetit. Kjo ka ardhur mbi të gjitha prej problemeve të brendshme të skuadrës dhe gjithçka pohohet nga Arjen Roben. “Kishim disa probleme brenda skuadrës, megjithatë do të mbajmë gjithçka për vete. Mendoj se provuam gjithçka, por thjesht nuk funksionoi, tha lojtari i Bajernit, që shtoi: “Skuadra kishte uri për të triumfuar, por ne dështuam të gjithë së bashku: stafi teknik, lojtarët, e gjithë skuadra. Ky është realiteti i hidhur dhe tashmë duhet ta shikojmë veten në pasqyrë”.
Arjen Roben
“Kishim probleme brenda skuadrës, megjithatë do të mbajmë gjithçka për vete. Provuam gjithçka, por thjesht nuk funksionoi, Dështuam të gjithë së bashku: stafi teknik, lojtarët, e gjithë skuadra”
