Trajneri
Është një Çezare Prandeli i qetë ai i 24 orëve pas fitores me rezultatin 2-0 ndaj Irlandës, e cila u dhuroi italianëve kualifikimin për në çerekfinale. Trajneri i axurrëve u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e shtypit që ka mbajtur në Krakovë. Kanë qenë thuajse 20 milionë spektatorët që kanë ndjekur sfidën decizive të kombëtares së Italisë dhe trajneri është i kënaqur për këtë. “Është një gjë e mirë, ka thënë dje Prandeli. Do të thotë se kjo Itali po i bën njerëzit të dashurohet me të. Jam i bindur që kanë qenë shumë të rinj, një trend që po shkon drejt ngjitjes, kjo do të thotë se po funksionon”. Atyre që e krahasojnë me kualifikimin në këtë grup me atë të munguar në botërorin e fundit afrikanojugor u përgjigjet, se “ajo skuadër ishte e përbërë në 80% të saj nga kampionë të botës, prandaj është një skuadër, kujtimi i së cilës do të vazhdojë të mbetet i pashlyer. Problemet e Bufonit dhe Pirlos në atë rast kanë kushtëzuar botërorin, por aftësia e tyre ishte e madhe, edhe pse paraqitjet u vunë në diskutim”, thekson ai në lidhje me “anijen e mbytur” në stadiumin “Ellis Park”.
Shpirti i skuadrës
Duke u futur në analizën e vërtetë të ndeshjes ndaj Irlandës, pyetja e parë i referohet Kasanos dhe Balotelit. “Edhe në këtë ndeshje, kësaj pyetje do të duhet t’i përgjigjem se në këto momente ajo që për mua vlen është shpirti i skuadrës. Sigurisht që kemi futbollistë kualitativë, të gjithë lojtarët e thirrur në kauzë po japin 100%, sepse ekziston një respekt i madh për skuadrën, vrapojnë për ekipin dhe janë të gjithë gjenerozë”. Duke hyrë në meritat e paraqitjes së Mario Balotelit, trajnerit i bëhet pyetja nëse ka ndërmend të kërkojë llogari për mungesën e entuziazmit pas shënimit të golit dhe reagimit jo sportiv. “Hyri në fushë dhe bëri atë që i kërkuam, ose më saktë të luante në mesin e dy mbrojtësve qendrorë në vertikale, t’i jepte më shumë peshë sulmit. Dhe e ka bërë mirë, i vetëdijshëm si për rolin ashtu edhe për detyrën. Buzëqeshja e gëzimit mund të vijë vetëm në mënyrë spontane, nuk mundet ta përgatisësh kurrë”.
Baloteli, bast i fituar
Prandeli e përkufizon Italinë e tij një skuadër zemërgjerë, por sipas disa shifrave, numri nëntë i axurrëve ndonjëherë mund të duket si një trup i huaj, i cili nuk është në vendin e duhur. “Edhe ai ka qenë gjeneroz dhe i kujdesshëm. Për sa i përket sjelljes, ai kështu është, ka qenë gjithnjë kështu, por kjo nuk do të thotë se për këtë arsye ai është larg shpirtit të skuadrës ose larg skemave. Mario kështu është. Është një djalë vërtet i artë. Ekzistojnë situata të pakëndshme, të cilat duhet të mësohet t’i pranojë. Nëse dëshiron të bëhesh një kampion i madh, në këtë moment duhet t’i pranosh. Pranon kritikat, polemikat, kërkesat e tjera të atyre që e dinë se mund të japësh më shumë. Ditën që do ta kuptojë që askush nuk ia do të keqen, do të kemi në shtëpi një kampion”.
Reagimi josportiv
Ka bërë shumë të diskutohet reagimi i sulmuesit të Mançester Sitit pas shënimit të golit të dytë. Bonuçi vrapoi të korrigjonte situatën, duke i mbyllur me dorë gojën shokut të skuadrës, por të shumtë janë ata që pyesin: me kë e kishte? “Mund ta kishte thënë menjëherë se me kë e kishte, kështu që do ta kishim zgjidhur menjëherë problemin, shpjegon Prandeli. Në gjestin e Bonuçit shikohet shpirti i skuadrës. Është një mënyrë mbrojtëse. Në momentin e golit të shënuar isha i lumtur për të. E pata kurajën ta aktivizoja. Ka qenë një bast, sepse ka një rendiment të lartë dhe të ulët, por këtë herë jam shpërblyer për atë që bëra”. Më pas e kanë pyetur nëse atë reagim e kishte ndaj Prandelit, por trajneri ka reaguar, duke theksuar: “Nuk e di, do ta pyes”. Dhe pikërisht këtë ka bërë trajneri gjatë stërvitjes së djeshme, një bisedë kokë më kokë me Balotelin.