Kërkohet ndihma e institucioneve të specializuara për të sqaruar lëkundjet e përnatshme


Prokuroria e Fierit ka nisur një hetim gjithëpërfshirës lidhur me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së dielës në Zharrëz, ku fshatarët dyshohet se derdhën qindra tonë naftë bruto nga depozitat e kompanisë kanadeze “Bankers”. Nga burime të organit të akuzës mësohet se hetimi do të përqendrohet edhe në verifikimin e pretendimeve të banorëve të Zharrëzës, dy prej të cilëve vazhdojnë të jenë të ndaluar dhe dhjetëra të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Këta të fundit kanë pohuar gjatë deklarimeve të tyre se kanë protestuar kundrejt kompanisë kanadeze, duke e akuzuar këtë të fundit si shkaktare të lëkundjeve të shpeshta sizmike që ndodhin në këtë zonë. Banorët pretendojnë se lëkundjet shkaktohen nga shpërthimet në thellësi të puseve të naftës që kryhen prej kompanisë në fjalë, me qëllim nxjerrjen në sipërfaqe të sasive sa më të mëdha të arit të zi. Burimet e akuzës shprehen se veç hetimit që ka nisur lidhur me derdhjen e naftës dhe tentativën e zjarrvënies, do të hetohet edhe për dyshimet e ngritura nga banorët e Zharrëzës. Por, burimet shtojnë se për të konkluduar në vërtetësinë e këtyre dyshimeve do të kërkohet ndihma e specialistëve të Institutit të Gjeofizikës, për të kryer ekspertimet e nevojshme. Kështu, mësohet se për të konkluduar nëse banorët kanë ose jo të drejtë lidhur me shkakun e lëkundjeve të tokës, duhet që ekspertët të përcaktojnë origjinën e tyre. Ndërkaq, nëse ndonjë rast i lëkundjeve do të rezultojë se kryhet prej shpërthimeve që stimulojnë nxjerrjen e naftës, duhet të konstatohen dëmet e shkaktuara prej tyre, që të mundësohet nisja e procedimit penal, sqarojnë burimet. Sot pritet që Gjykata e Shkallës së Parë Fier të vendosë masën e sigurisë ndaj dy të ndaluarve nga policia për veprat penale të shkatërrimit të pronës dhe organizimin e pjesëmarrjes në tubime të paligjshme, Kastriot Belulit 45 vjeç dhe Gentjan Asllanit 38 vjeç, që të dy banorë të fshatit Zharrëz.


Tri ditë pas lëkundjeve të tokës në zonën e Zharrëzës, banorët e këtij fshati vazhdojnë të pretendojnë se shtëpitë janë çarë nga shpërthimet e kryera nën tokë nga kompania “Bankers”. Ata tregojnë edhe dëmtimet e shumta të shkaktuara gati në të gjithë banesat e fshatit. Ndërkaq, kreu i Komunës Zharrëz, Taulant Grëmbi, ka deklaruar për mediat se ka nisur inspektimi në zonë për të kryer verifikimet lidhur me rastet e denoncuara nga banorët. “Që nga dita e hënë, ka pohuar ai, kanë mbërritur krerët më të lartë të Drejtorisë së Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, specialistë të sizmologjisë, gjeologë dhe specialistë të mjedisit.” Sipas Grëmbit, ata kanë nisur verifikimin në terren të situatës, me qëllim njohjen e problematikës, shpjegimet mbi këto dukuri natyrore dhe dhënien fund të kësaj situate. Ndërkaq, prej kompanisë “Bankers” nuk jepet asnjë shpjegim zyrtar lidhur me këtë dukuri që po përsëritet shpesh në Komunën Zharrëz. – Edmond Hoxhaj


 


Protesta


Aleanca Kuq e Zi, tubim në Zharrëz


Një tjetër protestë është zhvilluar gjatë ditës së djeshme në fshatin Zharrëz. Këtë herë ka qenë Aleanca Kuq e Zi që ka zhvilluar një protestë në qendër të këtij fshati. Qindra banorë të kësaj zone, por edhe simpatizantë të AK-së me pankarta dhe flamuj në duar kanë hedhur parulla kundër politikës së qeverisë në fushën e shfrytëzimit të naftës. Ata u kanë kërkuar përfaqësuesve të shtetit dhe kompanisë që të mos e shkatërrojnë jetën e banorëve. Drejtuesi i AKZ-së, Kreshnik Spahiu, ka hedhur akuza të rënda mbi qeverinë “Berisha”. “Ne jemi këtu përkrah banorëve për të kërkuar një zgjidhje demokratike, për të qenë kundër koncesioneve fantazmë që e kanë shkatërruar pasurinë kombëtare. Jemi këtu për të parë nga afër situatën dhe për të rrëzuar deklaratat tragjikomike të dy ditëve më parë të servirura për tërmete. Po, tërmete ka dhe ato janë pesë dhe më shumë se shtatë ballë, por jo të shkallës Rihter, por të shkallës Sali Berisha”, tha Spahiu.