Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi një vizitë njëditore në Bruksel ku u takua me përfaqësues të lartë të Mbretërisë së Belgjikës, Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian.

Takimi i parë i kryesocialistit Rama ishte me Kryeministrin belg, Elio di Rupo. Temat kryesore ku u përqendrua biseda ishin sfidat e të majtës në Europë, si edhe e ardhmja europiane e Shqipërisë.


Rama e garantoi Kryeministrin belg mbi vullnetin e Partisë Socialiste për të kontribuar maksimalisht në marrjen sa më të shpejt të Shqipërisë të statusit të vendit kandidat. Nga ana e tij, Kryeministri belg theksoi nga njëra anë faktin se Shqipëria i takon Familjes Europiane, por nga ana tjetër edhe nevojën për të kryer disa reforma të rëndësishme si atë zgjedhore, parlamentare dhe reformat në drejtësi.


“Fati i Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe për këtë nuk ka dyshime, por Komisioni Europian ka bërë një analizë shumë të hollësishme të situatës së brendshme të Shqipërisë dhe Shqipëria duhet të respektojë zbatimin e ligjeve dhe duhet ta bëjë në mënyrë që të ndryshojë disa sisteme; duhet që transparenca për shembull në procesin elektoral të jetë e padiskutueshme; duhet që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë të sigurt që nga momenti i parë deri tek rezultati përfundimtar që çdo gjë është korrekte dhe transparente dhe të mos kenë dyshime në këtë drejtim”, – u shpreh Di Rupo në një intervistë për mediat.


Mmë tutje ai theksoi se rruga drejt Bashkimit Europian nuk duhej marrë aq lehtë nga Shqipëria, por duhet pasur parasysh fakti se ekzistojnë kushte dhe rregulla themelore që duhen respektuar, siç janë transparenca, demokracia, pavarësia e gjyqësorit, si dhe fakti që parlamenti është institucioni më i lartë që kontrollon qeverinë.

20 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)