Shkodër
Në emër të kanunit të Lekë Dukagjinit po vriten njerëz të pafajshëm. Kanuni e ndalon vrasjen e grave, pleqve, fëmijëve, njerëzve të kishës. Kanuni, ky libër dikur më i shenjtë se Dhjetë porositë e Biblës dhe mësimet e Islamit po shtrembërohet nga vetë ata që vrasin në emër të Kanunit. Vrasësit i shkrepet të vrasë e vret në emër të Kanunit, duke e interpretuar sipas dëshirës Kanunin e bërë gjatë shekullit të 15-të nga princi Lekë Dukagjini i njohur si princi engjëllor.
Dikur ky libër i pashkruar, që u përmblodh mjeshtërisht nga studiuesi Shtjefën Gjeçovi në fillim të shekullit të 20-të shmangu asimilimin e shqiptarëve nga turqit. Ndërsa deri më sot janë asimiluar me qindra njerëz në emër të Kanunit, që sipas Gjergj Fishtës do të thotë “Prerje e drejtë”, pra vendosje e drejtësisë për çdo njeri, si për atë që është i pasur, ashtu edhe për të varfërinë.
Por “Prerja e drejtë” nuk ka vepruar e tillë për familjen Gjonlulaj që jeton në fshatin Mazrek, 15 km larg qytetit të Shkodrës.
Tri familje të një trungu jetojnë në një oborr për shkak të këtij zakoni mesjetar. Jetojnë të ngujuar që nga viti 1993 për shkak të një vrasjeje që kreu një prej djemve të kësaj familjeje.
Nik Gjon Lulaj, sot është 33 vjeç. Që 13 vjeç ai është ngujuar dhe nuk mban mend ndonjë ditë që të ketë dalë nga pragu i shtëpisë, përveç ditëve kur i është dashur të përcjellë për në banesën e fundit dy vëllezërit e tij. Ai tregon me detaje jetën e tij të përditshme të mbushur me ankthin se gjakësi do ta vrasë.
Ishte 13 vjeç kur filloi kjo histori e frikshme, që po zgjat prej 20 vjetësh. Për një periudhë trevjeçare jetoi me babanë te disa kushërinj të tij. U kthye në Mazrek në moshën 16-vjeçare. Ishin katër vëllezër, por kanë mbetur vetëm dy, ai dhe Gjergji, i cili po vuan dënimin në Burgun e Lezhës.
Gjakësi nuk u jep besë as për të punuar tokën që të ushqehen. Herën e fundit që i kërkoi besën ishte tetë muaj më parë, por përgjigjja ishte negative. Edhe kur është martuar nuk ka dalë nga dera e shtëpisë. Kanë shkuar gratë e shtëpisë dhe morën nusen.
Nuk e kupton dot se si ndihen njerëzit që ecin të lirë në rrugë, pasi gjithë jeta e tij ka kaluar në ngujim.
Nika tregon sesi ka mbyllur me tulla dhe beton një dritare të kullës së tij, që sheh nga faqja e malit dhe e ka shndërruar në një frëngji, se gjakësi mund të qëllojë kundër shtëpisë. Del në oborr çdo ditë në orën 11:00 dhe qëndron aty deri në orën 17:00. Nuk e ka kaluar pragun e shtëpisë për 20 vite. Ëndërron të shikojë festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, “por kur vetë jam i burgosur më dhemb në shpirt”, thotë i revoltuar.
Nuk e di si është jeta në liri. Ka qenë vetëm 13 vjeç kur e kanë privuar nga liria. Ëndërron të ecë vetëm një herë rrugëve pa u trembur se kush e ndjek nga mbrapa. “Zotit i lutem që të mos i shkrepë pushka, kur të më zërë pritë mua. Ndërsa vdekjes i lutem të mos më marrë”, rrëfen 33-vjeçari nga Mazreku
Ka dy djem, Amarildon 12 vjeç dhe Nikolinin 7 vjeç. Ata nuk kanë shkuar kurrë në shkollë, sepse nuk i lë gjakësi. Amarildoja di vetëm disa shkronja të alfabetit shqip, të cilat ia ka mësuar mësuese Liljana Luani, e cila aktualisht është mësuese në shkollën “Pashko Vasa” në Shkodër dhe njëkohësisht gjatë fundjavës kryen misionin humanitar, duke shkuar në familjet e ngujuara për të përhapur sadopak dituri. Ndihet e vetmuar në këtë realitet arkaik, por mjaftueshëm e motivuar për ta çuar misionin përpara.
Mbesa e Nikës, Elsa 14-vjeçare tregon se dikur ka marrë mësime një herë në javë, ndërsa tani jo më. Ajo ëndërron të bëhet juriste dhe të vendosë drejtësi në vend.