Grabitja
Autori i maskuar dhe me armë vodhi gjithçka që kryefamiljari kishte kursyer për një vit
Çifti, bashkë me tre fëmijët janë zgjuar nga zhurma, kur përballë u ka dalë një person me armë
Në momentin e ikjes, grabitësi ka goditur kryefamiljarin, me qëllim që mos të njoftojë policinë
Bledi Gilaj
Rikthehen grabitësit me maska në Tiranë, të cilët kanë hyrë brenda banesës së një familjeje dhe nën kërcënimin e armës u kanë vjedhur paratë dhe gjithçka me vlerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në periferi të kryeqytetit, ndërsa i dëmtuari është pronari i një minimarketi, i cili për disa orë është terrorizuar bashkë me familjen e tij. Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në rrugën “Jordan Misja”, jo shumë larg “Burgut 313”, ndërkohë që policia ka krehur të gjithë zonën, por pa arritur të identifikojë autorin. Sipas të dhënave, rreth orës 04:35, në sallën operative ka telefonuar Petrit K., i cili ka kërkuar ndihmën e forcave të rendit, pasi një person i armatosur dhe me maskë, kishte hyrë në banesën e tij dhe i kishte grabitur gjithçka kishte. Menjëherë, në vendin e ngjarjes është dërguar një patrullë e Komisariatit Nr. 3, e cila ka marrë kontakt me telefonuesin, që më pas u ka shpjeguar se çfarë kishte ndodhur. I dëmtuari 42-vjeçar, babai i tre fëmijëve ka treguar për oficerin e policisë gjyqësore se ndodhej me familjen e tij, kur kanë dëgjuar krisma brenda banesës. Në ato momente, ata janë zgjuar për të kontrolluar, ndërkohë që përpara u ka dalë një person i maskuar, duke u drejtuar armën dhe kërcënuar që mos të bërtisnin e mos të bënin ndonjë lëvizje të dyshimtë. Të ngrirë para kësaj situate, kryefamiljari, i cili kishte edhe fëmijët e mitur brenda nuk ka bërë rezistencë, duke iu bindur urdhrave të grabitësit dhe fillimisht i ka dhënë paratë që kishte në banesë. Më pas, ai ka shkuar te minimarketi dhe grabitësi i ka kërkuar t’ia japë të gjitha paratë. Më pas, duke i dhënë një qese plastike, grabitësi e ka urdhëruar pronarin e minimarketit ta mbushte me cigare dhe me karta telefoni. Duke i mbyllur brenda në banesë, autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, i cili ka goditur me qytën e armës kryefamiljarin, është larguar me vrap. Pasi familja është siguruar për largimin e tij, është telefonuar në sallën operative. Madje, kryefamiljari ka shtuar se hajduti i kishte marrë të gjitha kursimet familjare. Nga ana tjetër, policia tha se sapo ka marrë njoftimin ka krehur gjithë zonën, duke shoqëruar persona me karakteristika të njëjta, sipas dëshmive të familjes së grabitur, por që deri në orët e vona të së djeshmes, nuk ka pasur një person të arrestuar për këtë vepër penale. Ndërkaq, grupi hetimor dyshon se autori është banor i zonës dhe e njeh mirë familjen e grabitur, pavarësisht se vetë të dëmtuarit nuk kanë ndonjë të dyshuar. Fakti i dyshimeve mbi autorin, sipas policisë vërtetohet edhe me njohjen e mirë të zonës dhe të banesës apo minimarketit të grabitur. Gjithashtu, policia mendon se autori mund të jetë person me precedentë penalë dhe që ka kryer disa grabitje të tjera në zonën e Kamzës. Grabitjet me armë, tashmë edhe në banesa, janë rikthyer në shqetësim të madh, duke alarmuar jo vetëm banorët, por edhe policinë që ka kërkuar shërbime të përforcuara sidomos në zonat e konsideruara me rrezikshmëri më të lartë.