Korçë
Shkrumbohet vendkomanda e policisë së Korçës. Një zjarr i madh ka rënë dje pasdite në zonën ushtarake, që deri në mes të viteve ’90 ka shërbyer si depo sekrete e karburanteve dhe armatimeve për policinë e Korçës. Zona në fjalë ndodhet në kufi me parkun “Rinia” të qytetit, ku aktualisht ekziston vetëm rrethimi i dikurshëm dhe depozitat e boshatisura të karburantit. Vatra e zjarrit është shfaqur rreth orës 16:00. Forca të shumta policie kanë mbërritur të parat në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për izolimin e flakëve. Më pas mjetet zjarrfikëse dhe disa punëtorë të Bashkisë së Korçës i janë bashkuar operacionit për fikjen e zjarrit, duke bërë të mundur mbajtjen e flakëve brenda rrethimit që ndan zonën ushtarake nga parku publik. “Në lidhje me zjarrin e rënë pasditen e së martës në lagjen nr.10 të qytetit të Korçës, te zona e parkut “Rinia” pranë vendkomandës së Policisë, bëjmë me dije se ky zjarr fillimisht ka rënë te disa shkurre dhe më pas ka përparuar deri te rrethimi i kësaj vendkomande, e për pasojë janë djegur pjesërisht dy mjete të vjetra të Policisë së Shtetit, të cilat nuk ishin në përdorim”, bëri të ditur në njoftimin zyrtar për shtyp zëdhënësja e policisë rajonale të Korçës. Ndërsa drejtori i Policisë së Qarkut, Ylli Metko, deklaroi se për arsye shërbimi nuk ndodhej në qytetin e Korçës, por sipas të dhënave që kishte marrë nga vartësit e tij, rënia e zjarrit ka qenë aksidentale dhe mund të jetë shkaktuar nga hedhja e ndonjë bishti cigareje. Në të njëjtin konkluzion kanë arritur edhe pjesëtarë të grupit hetimor, sipas të cilëve nuk ka dyshime për zjarr të qëllimshëm.
G.Ashimi