Fryma e Re Demokratike është zyrtarisht partia më e re që i shtohet spektrit të gjerë të partive në Shqipëri. Gjykata e Tiranës ka dhënë sot vendimin për regjistrimin e FRD-së si person juridik.  Vendimi i regjistrimit zyrtarisht si parti politike i hap rrugë veprimtarisë intensive e cila nis që nga e premtja në qytetin e Vlorës, me hapjen zyrtare të degës së parë të partisë Fryma e Re Demokratike. Partia e re e spektrit të djathtë ka premtuar edhe më herët se synon që të sjellë një ndryshim në skenën politike shqiptare, duke rikthyer te shqiptarët shpresën për vendosjen e demokracisë së vërtetë.


Partia e re FRD është prezantuar zyrtarisht më 30 prill të këtij viti, ndërkohë që grupi nismëtar i kësaj partie përbëhet nga disa ish-anëtarë të PD-së, si Gazmend Oketa, kryetar dhe Aleksandër Biberaj dhe Andi Seferi si anëtarë. Por, edhe ish-personalitete të tjera të së djathtës në vendin tonë kanë shprehur mbështetjen për këtë parti të re, të cilës është folur vazhdimisht se do t’i bashkohet edhe presidenti Bamir Topi, sapo t’i mbarojë mandati i kreut të shtetit në fund të muajit korrik.


20 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)