Episodi i ndeshjes Angli-Ukrainë (1-0) në lidhje me gjuajtjen e ukrainasit Deviç, e cila u largua nga Xhon Terri kur kishte kaluar vijën fatale, dje ka ngjallur polemika të shumta


Sep Blater shpall “luftën”: Teknologjia, e domosdoshme



Një “fantazmë” shëtit në Europian. Është goli i ukrainasit Deviç, i paakorduar nga arbitri Kasai në minutën e 62-të të sfidës mes Anglisë dhe Ukrainës. Një gol që ndoshta do të mund të ndryshonte rrjedhën e lojës. Trajneri Roi Hoxhson mbron hungarezin Kasai, duke e cilësuar një gabim njerëzor, por kushedi se ç’do të thoshte nëse do të ishte ai në stolin e Anglisë, kur Frank Lampard pa të mos vërshëllehej goli i shënuar kundër Gjermanisë në Botërorin 2010. Reagimi i FIFA-s me anë të  Josef Blater, ka qenë i shpejtë: “Pas ndeshjes së të martës, teknologjia për linjën e portës nuk është më një alternativë, por domosdoshmëri”. Presidenti i FIFA-s, prej disa vjetësh është shndërruar në një mbështetës i flaktë i teknologjisë për të shmangur golat “fantazmë”, si ai i Lampard në Botërorin 2010 ose ai i Deviç të martën në Angli-Ukrainë, me gjyqtarin e portës, i cili nuk e vuri re që topi e kishte kaluar vijën e bardhë. Blater del sërish në favor të teknologjisë, ndërsa presidenti i UEFA-s kishte preferuar idenë e shtimit të syve “njerëzorë”. IFAB do të shprehet në lidhje me përdorimin e teknologjisë në mbledhjen e jashtëzakonshme të 5 korrikut të ardhshëm. Për momentin janë në fazën e dytë të eksperimentimit dy sisteme: “Hawk-Eye” (“Syri i Fajkoit” i përdorur në tenis) i bazuar në rikontrollimin optik nëpërmjet telekamerave, dhe “GoalRef” që përdor mikroçipin në top, i cili sinjalizon kalimin e vijës fatale.


Goli “fantazmë” i Deviç ka bërë shumë zhurmë dje, duke provokuar reagime të ndryshme. “Kemi bërë një gabim”, theksoi Pierluixhi Kolina, dizenjatori i gjyqtarëve të UEFA-s, i cili nuk fshihet. Në vazhdimin e konferencës për shtyp në Varshavë, ish-bilbili italian e pranon gabimin e pafalshëm të së martës në mbrëmje, pasi në gjuajtjen e Deviç, topi e kishte kaluar vijën fatale. Kolina njofton edhe se gjyqtari hungarez, Viktor Kasai, për sa kohë që nuk konsiderohet përgjegjës për atë që ka ndodhur, nuk do të drejtojë ndeshje të tjera në Europian. “Bëmë një gabim, do të kishte qenë më mirë të mos e kishim bërë, por ndodhi, shpjegoi Kolina. Gjyqtarët janë qenie njerëzore dhe qeniet njerëzore gabojnë. Në atë rast, topi e ka kaluar vijën, por ka qenë gabimi i parë në mijëra ndeshje, që kur është aplikuar gjyqtari i portës. I vetmi problem është ky: një gabim në tri vite Champions, dy Europa League dhe 24 ndeshje të Europianit”. Kolina kujton se gjatë të njëjtit turne kanë qenë edhe dy situata të tilla të ngjashme, në Gjermani-Portugali dhe në Itali-Irlandë, dhe vendimet kanë qenë gjithnjë korrekte, “rasti i tretë, për fat të keq, jo”. Kolina kujtoi më pas, që në situatat e pozicionit jashtëloje, përqindja e vendimeve korrekte është “95,7%”, përfshirë dhe ato mbi situatat e vështira si goli i Navas në Spanjë-Kroaci ose dopjeta e Ronaldos ndaj Holandës. I vetmi gabim është ai i golit që iu anulua Greqisë kundër Republikës Çeke, “edhe ai, një gabim njerëzor”.


Goli “fantazmë” shpërthen polemika të pashmangshme në kampin e Ukrainës. Do ta veshë bluzën e Ukrainës edhe për një ndeshje tjetër, për t’u përshëndetur nga tifozët e tij, por të martën në mbrëmje në Donjetsk, Andrij Shevçenko ka përfaqësuar vendin e tij për të fundit herë në një ndeshje zyrtare. Sheva, i zhgënjyer për eliminimin, por edhe nga goli “fantazmë” i Deviç, i cili sipas tij, “do të kishte ndryshuar ndeshjen”. Pikërisht, mosakordimi i golit ka irrituar trajnerin Oleg Blokhin, i cili në konferencën për shtyp nuk e ka fshehur revoltën ndaj Kasait dhe bashkëpunëtorëve të tij. “Janë pesë gjyqtarë në fushë dhe topi e kishte kaluar linjën e portës me 50 centimetra, shfryn ai. Atëherë për çfarë na nevojiten pesë gjyqtarët? A e ndëshkuan shkelmin e Kerrolit apo faullin nga mbrapa të Territ? Kolina na kishte thënë se çdo shkelm do të ndëshkohej me karton, ashtu sikurse çdo faull nga mbrapa. Dhe çfarë ndodhi? Shkruani atë që dëshironi, e patë vetë të gjithë ju”.


 


 


Episodet


Gjatë të këtij turneu kanë qenë edhe dy situata të ngjashme, në Gjermani-Portugali dhe në Itali-Irlandë, dhe vendimet kanë qenë gjithnjë korrekte, “rasti i tretë, për fat të keq, jo”. Për pozicionet jashtëloje, përqindja e vendimeve korrekte është “95,7%”, si në rastin e golit të Navas në Spanjë-Kroaci ose dopjetën e Ronaldos ndaj Holandës. I vetmi gabim është goli i Greqisë, i anuluar kundër Republikës Çeke


 


 


Sep Blater


Reagimi i presidentit të FIFA-s ka qenë i shpejtë: “Pas ndeshjes së të martës, teknologjia për linjën e portës nuk është më një alternativë, por domosdoshmëri”


 


Teknologjia


“Syri i Fajkoit”, i përdorur në tenis, bazohet në rikontrollimin optik nëpërmjet telekamerave, kurse “GoalRef” përdor mikroçipin në top, i cili sinjalizon kalimin e vijës fatale


 


Pierluixhi Kolina


Shefi i gjyqtarëve të UEFA-s: “Bëmë një gabim, do të kishte qenë më mirë të mos e kishim bërë, por ndodhi. Gjyqtarët janë qenie njerëzore dhe qeniet njerëzorë gabojnë”


 


Oleg Blokhin


Trajneri i Ukrainës: “Janë pesë gjyqtarë në fushë dhe topi e kishte kaluar linjën e portës me 50 cm, shfryn ai. Atëherë për çfarë na nevojiten pesë gjyqtarët?”


 


Andrij Shevçenko


Sulmuesi i njohur, i cili luajti ndeshjen e fundit me Kombëtaren e Ukrainës, u shpreh i zhgënjyer për golin “fantazmë” i Deviç, që sipas tij “do të kishte ndryshuar ndeshjen”


 


Gjyqtari Kasai


Kolina njoftoi se gjyqtari hungarez Viktor Kasai, për sa kohë që nuk konsiderohet përgjegjës për atë që ndodhi, nuk do të drejtojë ndeshje të tjera në Europian