Sport Kukësi, me stadium të ri në shtator, me kapacitet prej 5 mijë...

Kukësi, me stadium të ri në shtator, me kapacitet prej 5 mijë vendesh

167
SHPËRNDAJE

Në qytetin e Kukësit kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të futbollit që pritet të përfundojnë në muajin shtator, kur nisin zyrtarisht aktivitetet për Superioren. Ky investim, i shumëpritur për futbollistët dhe për mijëra tifozë, bëhet pikërisht pas ngjitjes së ekipit të Kukësit në Superiore. Presidenti i klubit, Safet Gjici, dhe kryebashkiaku Hasan Halili, kanë nënshkruar kontratën që bën efektive nisjen e punës në terren për ndërtimin e stadiumit të qytetit. Presidenti i klubit Safet Gjici, i cili preu shiritin e fillimit të punimeve, nënvizoi se tashmë për futbollin e Kukësit nis një histori e re. Lidhur me stadiumin, ai tha se do të ndërtohet në një kohë rekord dhe me parametra bashkëkohorë. “Ky stadium do të jetë modern dhe do ketë gjithë kapacitetin dhe aksesorët e duhur për t’u licencuar nga FSHF-ja dhe UEFA. Në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit do ta përfundojmë këtë vepër para 1 shtatorit, kur është afati që nisin aktivitetet e Superiore. Nga ana tjetër ne po formatojmë edhe ekipin e ri, që do përfaqësojë Kukësin në Superiore. Do kemi lojtarët më të mirë të Kukësit, të Shqipërisë dhe kryesisht të Kosovës”, ka thënë Gjici, duke shtuar se ekipi i Kukësit, siç tha ai, përfaqëson Kukësin, Shqipërinë dhe Kosovën. Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, e konsideron si historike ditën e fillimit të punimeve për stadiumin e ri, duke e cilësuar si realizimin e një ëndrre gati shekullore për Kukësin. “Fillimi i punimeve për ndërtimin e stadiumit të qytetit është një ditë historike për kuksianët. Përtej të qenit stadium i Kukësit, ai do mbledhë Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin, tre kryeqytete shqiptare që janë vetëm një orë e gjysmë larg Kukësit”, tha kryebashkiaku i Kukësit, Hasan Halili, duke i dhënë këtij stadiumi edhe një kuptim integrues që do ta afrojë më shumë jo vetëm futbollin, por trevat shqiptare në tërësi. Stadiumi i ri i Kukësit do të ketë një kapacitet prej 5 mijë vendesh, me ambientet e duhura për ekipet, arbitrat, gazetarët etj., sipas kushteve të vëna nga FSHF-ja dhe UEFA, ndërsa parashikohet edhe mundësia e zgjerimit në të ardhmen. Projekti kap shifrën rreth 80 milionë lekë dhe do të realizohet falë dashamirësisë së presidentit të klubit të futbollit të Kukësit, Safet Gjici, dhe zëvendësit të tij Bashkim Gjoka, të cilët do ta financojnë atë. Ky është investimi i parë i këtij kapaciteti për sportin në Kukës dhe ndodh pasi ekipi i futbollit të këtij qyteti ngjitet në Kategorinë Superiore, e cila gjithashtu ndodh për herë të parë që pas krijimit të klubit sot e 80 vite të shkuara. S. Dida