Alan Turing, gjeniu i matematikës i lindur 100 vjet më parë më 23 qershor, ndoshta nuk vrau veten, bëhet e ditur nga analiza të reja shkencore. Në një konferencë të zhvilluar në Oksford, eksperti i Turing, Jack Copeland vuri në dyshim teorinë e deritanishme që thotë se gjeniu vrau veten duke u helmuar më 1954. Sipas ekspertit, disa fakte të bëjnë të mendosh se vdekja e tij, më shumë se sa vetëvrasje, ka qenë një aksident.
Teoria e gjithëpranuar deri tani është se Turing vdiq i helmuar me cianid. Ai u gjend nga shërbyesja në krevatin e vet me një mollë të ngrënë përgjysmë në komodinë. Qe 41 vjeç kur vdiq.
Turing është matematicieni që krijoi makinën e thyerjes së kodit gjerman të komunikimit Enigma, një zbulim ky që besohet se ka ndryshuar vetë fatin e luftës së Dytë Botërore duke kaluar balancën e forcave në anën e Britanikëve dhe Amerikanëve.
Makineria e shpikur prej tij për të thyer kodet e gjermanëve konsiderohet se është edhe paraardhëse dhe origjina e kompjuterit modern.
Biografët e gjeniut thonë se ai kishte për makth historinë e mollës së helmuar në përrallën e Borëbardhës dhe duket se iu drejtua pikërisht mollës për t’i dhënë fund vuajtjeve të tija personale. Ai vuante persekutim si pasojë e faktit që qe homoseksual.
Por sipas Prof Copeland, fakti që u gjend një mollë e ngrënë përgjysëm dhe që ai vuante nga makthi i Borëbardhës, nuk mjafton për të dalë në konkluzionin që ai vrau veten qëllimisht. Për më tepër, policia nuk kreu kurrë analiza mbi mollën për të zbuluar prani cianidi.
Copeland thotë gjithashtu se shënimet e Turing dhe miqve të tij në ditët para vdekjes nuk tregojnë asnjë shqetësim të jashtëzakonshëm për të besuar te vetëvrasja.
“Ne kemi rikrijuar një narrativë mbi jetën e Turing dhe kemi aluduar se ai ka qenë një i ri i palumtur që kreu vetëvrasje. Por nuk ka prova për ta mbështetur këtë” – thotë Copeland.
Ai i pati lënë një shënim vetes në zyrë, siç vepronte zakonisht, për t’i kujtuar vetes se çfarë punësh i mbetej të bënte pasi të kthehej nga fundjava.
Gjatë hetimeve mbi vdekjen e tij, mjeku që e pati mbikëqyrur JAK Ferns pati deklaruar: “Në një njeri të këtij lloji, nuk dihet kurrë si si zhvillohen proceset e tij mendore dhe se çfarë do të bëjë më vonë.” Ai nuk e shpjegoi se çfarë nënkuptonte me termin “të këtij lloji”.
Motivi i vetëvrasjes nuk është i vështirë të merret me mend. Në vitin 1952, pasi denoncoi një grabitje të rëndomtë, Turing mori vesh se qe duke u hetuar për “sjellje të papëlqyeshme” pasi pati deklaruar se kishte patur në shtëpi një të dashur mashkull.
Duke u përballur me rrezikun e burgosjes dhe ndoshta me humbjen e postit të profesorit të matematikës që mbante në universitetin e Mancesterit, Turing pranoi alternativën që iu ofrua, “kastrimi kimik”, një trajtim me hormone që supozohej se do të mposhte nevojat e tij seksuale.
Shpesh është raportuar që kimikatet sollën rritjen e gjoksit të tij, megjithëse Turing e ka përmendur këtë vetëm një herë.
Mbikëqyrja e vazhdueshme e autoriteteve mbi Turing u zbulua më 1953, kur një homoseksual me emrin Kjell i njoftoi me postë se do ta vizitonte, por në mënyrë të mistershme nuk mbërriti kurrë.
Turing i tha një miku të vet: “Puna mbërriti deri aty sa policia në Anglinë e veriut doli në kërkim të tij.”
Me gjithë këto probleme dhe me dështimin e kombit për të vlerësuar kontributin që ai dha gjatë luftës, shto këtu edhe mosmarrëveshjet që kishte me departamentin e kompjuterit në universitet, besohet se Turing u çua drejt vetëvrasjes.
Por Copeland argumenton se karriera e Turing në këtë kohë qe e shkëlqyer dhe se ai e kishte marrë me “humor të mirë” trajtimin me kimikate.
Britania e Madhe po zhvillon aktivitete të shumta me rastin e 100 vjetorit të lindjes së gjeniut. Ai besohet se shpëtoi miliona jetë gjatë luftës së Dytë Botërore kur arriti të zbërthejë kodin e komunikimit të ushtrisë gjermane, gjë që i dha Britanisë së Madhe informacion të bollshëm mbi luftën si dhe mundësinë për të kundërvepruar me efikasitet të lartë.
Qeveria e Britanisë së Madhe publikoi dokumentet dhe faktet në lidhje me zbërthimin e kodit gjerman vetëm në vitin 1974, shumë kohë pas vdekjes së gjeniut.
23 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

