Maria Sharapova është sërish më e forta në botë, përveçse më e paguara, më e bukura, më shik. Ju mjafton? Nëse jo, atëherë dijeni që ka gjetur edhe dashurinë, atë të vërtetën kësaj here
“Ky është momenti më i jashtëzakonshëm i karrierës sime. Kur në moshën 17-vjeçare fitova Wimbledon, mendova se kjo ishte etapa më e rëndësishme e jetës sime. Por kur u ula në gjunjë pas ‘match-point’ të finales së Roland Garros e kuptova që edhe kjo fitore është shumë speciale, ndoshta më specialja”, pasi mundi Sara Erranin në “Grand Slam” të Parisit. Masha, ashtu siç e thërrasin të gjithë, tashmë ka rilindur. I ka lënë pas krahëve dëmtimet, krizat, ndonjë dashuri të gabuar, dhe tani më në fund është rikthyer sërish në “çatinë e botës”: pas katër vjetësh është përsëri numri 1, mbretëresha e tenisit. Ka nga ata që thonë se është meritë e basketbollistit slloven Saša Vujacic, me të cilin do të martohet më 10 nëntor (për të arreduar dhomën e tyre të gjumit kanë porositur një krevat 4 metra të gjatë). Por jeta e saj private është një argument që nuk e prek shumë gjatë bisedave. Eh, kështu është gatuar ajo: e bukur (e vetmja në gjendje të qëndrojë perfekte edhe gjatë 4 orëve ndeshje), e ftohtë, por edhe shumë e edukuar. Me pak fjalë një yll i vërtetë.
Maria, më në fund rikthehet…
Nuk më pëlqen termi rikthehet. Gazetarët zakonisht e përkufizojnë kështu. Mund të them vetëm se jam duke punuar shumë fort.
Në Londër, para ndeshjes, nisët të kërcenit në fushë me fansat tuaj. Jo keq si metodë për të mbajtur trupin në formë…
Në të vërtetë palestra nuk më pëlqen fare. Përgatitja ime atletike përfshin jogën, kërcimin, ngjitjen, vrapin në plazh. Më pëlqen t’i provoj të gjitha këto nga pak. Por kërcimi në fushë ishte një mënyrë për të falënderuar fansat e mi.
Je konsideruar si ato femra që keni sjellë stil në botën e tenisit. Të gjitha veshjet para takimeve të rëndësishme janë perfekte.
Nëse ndihem mirë me atë që vesh, kam më shumë besim te vetja dhe luaj më mirë. Por në fushë, jam mbi të gjitha një teniste. Pastaj nëse njerëzit e pëlqejnë edhe mënyrën se si unë vishem, aq më mirë…
Kjo do të thotë se je pak e fiksuar pas modës…
Është e vërtetë. Fiksimi im është për këpucët, çantat dhe syzet e diellit. Nuk më mjaftojnë kurrë. Në shtëpinë time gjen me mijëra palë nga secila prej këtyre kategorive.
Veshjet e tua të preferuara?
Një palë pantallona “Rick Owens”, një palë xhinse “Hudson”, këpucët e sheshta “Cole Haan”, dhe dy apo tri fustane të Stella McCartney, për ngjarje të rëndësishme. Për dimër një pallto të mrekullueshme “Missoni”. Më japin shumë besim: e di që në momentin e fundit mund t’i vesh dhe të ndihem mrekullisht mirë.
Është e vërtetë që konsultoheni me Becks Welch, stilisten e Charlize Theron?
Punon me mua prej disa vitesh. Më dëgjon, më propozon veshje të reja dhe më e rëndësishmja nuk më imponon stilin e saj. Është një bashkëpunëtore shumë e mirë. Veshja duhet të tregojë personalitetin tënd, që nuk mund të fshihet as pas një tualeti të rëndë dhe fustani të ekzagjeruar.
Në sfilatat e fundit ke qenë e ftuar nga Marc Jacobs…
Për mua përfaqëson ekuilibrin perfekt: është kreativ, i vëmendshëm ndaj copave që përdor dhe veshjet e tij janë perfekte edhe pa qenë ekstravagante.
Je fotografuar nga firmat e mëdha të modës. Ju pëlqen të jeni modele?
Argëtohem shumë, më përkëdhelin gjithë ditën me veshje dhe tualet. Nuk është e lodhshme si një ndeshje tenisi, por më merr shumë energji. Për këtë arsye e praktikoj vetëm në fund të sezonit. Në fund të fundit jam vetëm një teniste, gjithë pjesa tjetër është një qershi mbi tortë.
Jeni imazhi i “Tag Heuer” prej 6 vjetësh. Çfarë qëndron pas kësaj bashkëjetese të gjatë?
Ndajmë të njëjtat vlera: është një markë që vazhdon të na befasojë me risitë, që rinovohet dhe pranon gjithmonë sfidat. Pak a shumë si unë. Më ka qëndruar afër edhe kur kam qenë e dëmtuar dhe për këtë i jam shumë mirënjohëse. Të jesh sërish numri një është një mënyrë për t’ua shpërblyer atyre që më kanë besuar gjithmonë.
Ju jeni e famshme për t’u thënë “jo” të gjitha gjërave që nuk ju bindin 100 për qind.
Kam shumë aftësi për të thënë jo. Por edhe po. Thjesht përdor trurin për të vendosur se çfarë është më mira për mua.
Shumë mendojnë se je një supergrua, gjithmonë perfekte…
Më bëhet qejfi, por nuk e kuptoj. Punoj shumë. Kam ulje-ngritjet e mia. Pak a shumë si të gjithë.