35 ekspertë të mjedisit nga vendet e rajonit të Ballkanit mësojnë nga praktikat më të mira të mbrojtjes dhe menaxhimit të zonave të mbrojtura në Slloveni
Sllovenia, aty ku syri ynë i lodhur nga pluhuri i urbanizimit, “vritet” paqësisht nga gjelbërimi. 35 ekspertë të mjedisit nga rajoni i Ballkanit, prej të cilëve dhe 4 shqiptarë dhe 3 kosovarë mësuan mbi praktikat më të mira të mbrojtjes, zhvillimit dhe menaxhimit të parqeve natyrore në Slloveni, një nga shtetet anëtare të BE-së. Ky udhëtim, ishte pjesë e Programit për Mesdheun i WWF.
Laguna
Çdokush do të habitej sesi një lagunë e tërë është rrethuar me mur dërrase, ku janë hapur disa dritarëza të vogla prej nga shikohen shpendët. Në ndihmë të vijnë disa dylbi. Shpendëve nuk lejohet as t’u afrohesh dhe jo më të lejohet gjuetia. Në rezervatin natyror Škocjanski Zatok, gjithçka mbrohet me fanatizëm. Natasha Šalaja dhe Borut Mozetič na treguan se si një OJQ themeloi, restauroi dhe menaxhon për rreth një dekadë një park natyror.
Kriporja
Shumë afër lagunës ishte dhe një kripore shekullore “Sečovlje”. Vaskat ishin të ndërtuara me dërrasë. Këtë mënyrë të nxjerrjes së kripës jua kishin mësuar Kroatës në shekullin XIV dhe ata vazhdonin të përdornin atë mënyrë. Andrej Sovinc na foli për dispozitat e menaxhimit dhe mekanizmat e financimit. Edhe kriporja është zonë e mbrojtur, e cila menaxhohej nga një OJQ, e cila financohej nga një kompani celulare.
Shpella
Parku i Shpellës së Skocjanit, shpella më e madhe në Europë me stalagmite dhe stalagdite. Vanja Debevec dhe Borut Peric biseduan me ne rreth menaxhimit, turizmit dhe BE-së. Stalalagditet herë-herë ngjanin me shëmbëlltyra njeriu, forma nga më të çuditshmet. Diku mes tyre lakuriqët e natës kishin krijuar fole. Infrastruktura në shpellë ishte krejt e ndërtuar, me rrugë kalimi për njerëzit, me sistem elektrik. Në pjesën e dytë të shpellës vinte kanioni, poshtë të cilit rridhte një lumë i vogël, karstik, vetëm 900 metra i gjatë i cili gurgullonte fuqishëm. Mbi kanion ishte ndërtuar një urë për të kaluar turistët dhe për të shijuar gjithçka. Më pas vazhdoje me shkallë, që i ngjisje dhe i zbritje sipas tekave të shpellës karstike derisa dilje përjashta, ku të shfaqej një dritare gjithë gjelbërim. Aty të priste një ujëvarë e vogël dhe një ashensor, që kalonte mes gjelbërimit për të zbritur, nga parajsa në tokë.
Ministria
Një nga ditët u rezervua për një takim me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Mjedisit, si dhe Institutit të Mbrojtjes së Natyrës. Ekspertët e ardhur nga i gjithë rajoni ishin të interesuar në tema që lidhen me anëtarësimin në BE, fonde të BE-së dhe organizimin e sistemeve të mbrojtura të zonave sllovene. Mbi këto tema ata folën me Darij Krajčič, drejtor i Institutit Slloven për Ruajtjen e Natyrës, Mladen Berginc, kreu i Departamentit të Ruajtjes së Natyrës në Drejtorinë e Mjedisit dhe Peter Skobrne, ekspert i lartë në Departamentin e Ruajtjes së Natyrës.
Një nga detyrimet bazë të procesit të afrimit të çdo vendi që aspiron të hyjë në BE është përputhja me standardet e kërkuara europiane, standardi Natyra 2000, i caktuar për mjedisin, mbrojtjen e natyrës dhe biodiveristetin. Standardi Natyra 2000 është një sistem që ka të bëjë me vendosjen e një rrjeti të zonave me interes për ruajtjen e habitateve dhe specieve. (Në vendin tonë thjesht quhen zona të mbrojtura).
Triglava
Sllovenia ka shumë zona të mbrojtura dhe vetëm një Park Kombëtar, Triglavën. Ndërsa Shqipëria ka 13 Parqe Kombëtare, por asnjë të mbrojtur. Në Parkun Kombëtar të Triglavës, gjeje gjithçka, liqenin, pyjet, malin, skitë, shtëpitë e vogla të banorëve, turistët. Ndryshe nga ne në Shqipëri ku në parqe kombëtare nuk lejohen banorë, Triglava kishte banorët e saj të përhershëm, të cilët kishin pronat e tyre në këto pyje dhe e mbronin parkun me fanatizëm. Banorët jetonin me blegtori, me drurin dhe turizmin. Prerja e pyjeve lejohej, po sigurisht në zonat ku lejohej prerja. Megjithëse, zona mund të ishte pronë private, duhet të miratohej më parë. E pra, ndonëse një Park Kombëtar, prerja e pemëve lejohej, por prerje të paligjshme nuk kishte. Gjuetia lejohej, po gjueti të paligjshme nuk kishte. Parku Kombëtar i Triglavës përputhej plotësisht me kriteret e Natyra 2000. Z. Martin Šolar, drejtori i Parkut bisedoi me ne në lidhje me këtë projekt.
Parqet e Kozjanskit dhe Goričko
Dita e fundit e vizitës studimore në Slloveni ishte e rezervuar për Parkun Rajonal të Kozjanskit dhe për Peizazhin e Parkut Goričko. Njëri ishte në pjesën veriperëndimore dhe tjetri në pjesën verilindore të Sllovenisë. E megjithatë ne rrugën e bëmë brenda ditës dhe nuk na dhembën veshkat asnjëherë. Kozjanski është në një vend kodrinor, ku kultura kryesore që mbillej ishte molla. Çdo vit aty bëhet panairi më i madh i mollëve, të cilin e çel vetë Kryeministri i vendit. Aty të serviret mjaltë nga lulet e mollës, mollë të thata, mollë reçel, raki molle. Interesante është krijimi i fushave të vogla, të cilat shërbejnë për filtrimin e ujërave të zeza. Ky ujë përdoret vetëm për vaditje. Ndërsa Goricko është në ultësirën e Sllovenisë. I vetmi vend bujqësor i Sllovenisë malore. Ajo çfarë të bënte përshtypje ngado është fakti që në një vend aq të vogël sa Sllovenia, diversiteti mbrohet dhe zhvillohet ndër breza.
Kush është WWF
“Parqet e Harkut Dinarik”, ku përfshihet dhe Shqipëria
Misioni i WWF-it është të ndalojë degradimin e mjedisit natyror të planetit dhe të ndërtojë një të ardhme në të cilën njerëzit jetojnë në harmoni me natyrën. WWF ka për qëllim mbrojtjen e diversitetit në botë, përdorimin sa më mirë nga njeriu të rezervave natyrore të rinovueshme, si dhe marrjen e masave për ruajtjen e specieve në rrezik. Ky tur u organizua nga WWF MedPO, (WWF për Mesdheun) në projektin e “Parqet e Harkut Dinarik”. 30 ekspertët e mjedisit nga vendet e rajonit mësuan mbi sistemin e zonave të mbrojtura në Slloveni si dhe përgatitjen e institucioneve profesionale për detyrimet që sjell BE-ja dhe krijimin e Rrjetit Natyra 2000. Projekti Parqet e Harkut Dinarik do të zgjasë tre vjet dhe, krahas krijimit të një rrjeti të parqeve, ka edhe një detyrë të rëndësishme në ngritjen profesionale të punonjësve të parqeve në menaxhimin më të mirë dhe turizmin e qëndrueshëm. Një qëllim tjetër i projektit është që të punojë për njohjen e Harkut Dinarik, i cili përfshin alpet nga Shqipëria deri në Slloveni.